Një burrë rreth 50 vjeç u filmua në aeroportin “Nënë Tereza” në tiranë duke i mësuar tre djemve si të sillen gjatë fluturimit të tyre të parë.
Ishte 2 janari i 2014, kur policia shqiptare ndaloi djemtë e rinj të cilët do të fluturonin për në Siri në betejë.
Njëri prej tyre kishte një letër me shkrim dore ku lexohej “Tiranë-Stamboll-Gaziantep-Kilis. 750 dollarë i takojnë familjes së Ebu Amar”.
Letra përshkruante rrugën që duhet të ndiqnin xhihadistët e rinj për të mbërritur në Siri.
Shuma e parave ishte një “kontribut për vëllezërit myslimanë në Tiranë dhe jetimët e Diamant Rashës, i cili jeton ende në kampet siriane.”
Rasha i cili mori nofkën Ebu Amari, ishte një shpërndarës picash në Tiranë i cili vdiq në 28 dhjetor 2013 duke luftuar për ISIS në Siri.
Gjurmimi për financimet e xhihadistëve shqiptarë që luftojnë në Siri prej 2012 deri në 2014 rezultoi një sfidë e vështirë për Prokurorinë e Krimeve të rënda shqiptare e cila po heton një grup prej 13 të dyshuarish që u arrestuan në mars.
Dokumentat e hetuesisë ë BIRN ka siguruar tregojnë se burimi për financimin e 90 shqiptarëve që luftojnë në Siri është ende një mister.
Pagesat e identifikuara nga hetuesit ishin bërë për të mbuluar biletat e fluturimit ose për të ripaguar borxhet që xhihadistët kishin marrë para se të niseshin në luftë.
Nga 13 personat e arrestuar, 4 prej tyre përballen me akuzën e financimit të xhihadistëve të ardhshëm.
Sipas zyrës së Prokurorisë, premtimi i shpërblimeve të përjetshme ishte “bonusi” kryesor për xhihadistët shqiptarë që iu bashkuan Al Kaedas dhe Shtetit Islamik.
Hetimi i rrjetit të shpërndarjes së parave
Në janar 2014, policia turke bastisi zyrat e një organizate bamirëse “Humanitarian Relief Foundation” në Stamboll dhe Gaziantep, pasi dyshoheshin për financimin e xhihadistëve të huaj.
Autoritetet siriane kanë akuzuar këtë organizatë për financimin e qindra shqiptarëve që shkuan në Siri për të luftuar presidentin Bashar al Assad.
Gjithsesi Prokuroria në Shqipëria ende nuk ka zbuluar lidhjet e transfertave të organizatave të ngjashme drejt dy imamëve shqiptarë Genci Balla dhe Bujar Hysa.
Hetuesit kanë verifikuar transaksionet bankare në Shqipëri dhe gjetën se dy imamët morën shuma të mëdha parash nga individë nga Turqia, por jo nga organizata.
Fluksi i transaksioneve bankare niste që prej 2010-ës kur u transferuan shumë prej 3 mijë dhe 5 mijë eurosh në llogaritë e Ballës dhe Hysës.
Transfertat vlerësoheshin si donacione për xhamitë, por identiteti i këtyre trasnfertave “filantropike” mbetet ende i paqartë.
Një burim pranë Prokurorisë tha për BIRN se shumica e donacioneve për shqiptarët xhihadistë nuk ishin më shumë se 200 apo 300 euro.
Dy imamët kanë deklaruar se paratë ishin të destinuara për të ndërtuar xhamitë në Tiranë.
“Ne nuk mund të faktojmë se dy imamët kanë përfituar financiarisht nga ndonjë organizatë turkë ose organizatë lokale të vendosur në Lidnjen e Mesme”,- tha burimi për BIRN.
Përveç transfertave bankare hetuesit kanë investiguar edhe udhëtimet për në Kosovë mes 2012 deri në 2014 të dy imamëve, të cilët konsiderohen krerët e rrjetit të rekrutimeve në Shqipëri.
Kjo periudhë koinçidon me ngritjen e numrit të xhihadistëve shqiptarë që iu bashkuan “Al Nusras” dhe ISIS në Siri.
Ka dyshime se paratë erdhën ilegalisht nga Kosova, por është e vështirë të provohet.
Dokumentat e hetuesve zbuluan se xhihadistët shqiptarë furnizoheshin me para edhe në Siri, por gjithashtu shuma të konsiderueshme parash u jepeshin edhe familjeve të shqiptarëve të vrarë në Siri.
Ashtu si në rastin e Rashës, paratë ishin dërguar nëpërmjet njerëzve që shkonin apo vinin nga fronti.
Në një përgjim të 27 tetorit të 2013, një xhihadist i sapoardhur në Siri pyeti imamin se si duhet t’i ndante paratë e marra.
“Jepi 200 euro Ebu Enesit dhe 100 euro Hasan Korvafajt”,- iu përgjigj imami.
Emri i vërtetë i Enesit ishte Hamit Myslija, i vrarë në Siri disa ditë para se të kryhej kjo telefonatë.
Një biletë vetëm vajtje për në luftë
Pavarësisht kostos së ulët të jetesës në Siri, xhihadistët shqiptarë kanë nevojë për para për të shkuar atje.
Bileta avioni, pagesa për armë ose kosto jetese, për familjet etj, kushtojnë me mijëra euro. Imamët e arrestuar nuk mund të përballonin vetë gjithë pagesat.
Sipas BIRN, imamët dhe ndjekësit e tyre ndanë shpenzimet në bazë të parimit se financimi i xhihadistëve ishte njësoj si të sakrifikonin vetë për xhihadin.
Shumë xhihadistë shqiptarë morën borxhe apo shitën shtëpi për t’iu bashkuar xhihadit.
Një prej tyre, Shkëlzen Dumani i cili vdiq në 5 nëntor 2014 shiti shtëpinë për të shkuar në Siri.
Para se të nisej, Dumani bleu biletat për vete dhe dy xhihadistë të tjera, dhe një pjesë të parave ia la imamit Hysa.
Përveç biletave dhe kostove të tjera, xhihadistët shqiptarë kanë nevojë edhe për para për të jetuar në Siri.
Ata kanë ushqim dhe veshje, por u duhen edhe para për nevoja personale.
Ata që kanë vendosur të qendrojnë në Siri, kanë shitur shtëpitë e tyre në Shqipërië ndërsa të tjerë kanë mbijetuar si të mundin.
Pagesa mujore e tyre ka qenë rreth 150 dollarë në muaj për familje.
Megjithatë nëj xhihadist i cili u kthye në Shqipëri tha për BIRN se është një jetë e vështirë në Siri.
“Nuk kishte ushqim mjaftueshëm. Nuk kishim dushe dhe nuk laheshim për një muaj pasi ishte shumë ftohtë. Ishim të bashkuar në besim, dhe ndaj ndanim gjithçka bashkë, edhe kafshatën e fundit”,- tha ai./BIRN/