Skemë mashtrimi në tregtinë e çimentos, pranga dy korçarëve
Flet nëna: Pashë vrasësin e tim biri që qeshte, më ra të fikët…
“Gjyqtarët e Korçës, me në krye Stavri Kallçon, lanë të lirë autorin kryesor që i mori jetën djalit tim të vetëm. Më ra të fikët, kur pashë se po e mbronin Redi Kazermën, atë që ma futi djalin në kurth, derisa e vrau bashkë me 7 të tjerë”.
Adelina Hoxhallari nuk i ka ndalur lotët që nga qershori i vitit të shkuar, kur iu vra djali i vetëm, Klement Hoxhallari. Ai ishte vetëm 28 vjeç, i emëruar inspektor i Punës për zonën Korçë-Pogradec, por u vra pas një konflikti për pronën. Bashkë me të shoqin, Adelina priti që më 26 nëntor, Gjykata e Apelit në Korçë të rrëzonte vendimin e Gjykatës së Pogradecit dhe të dënonte për bashkëpunim për vrasje autorin që ata e quajnë kryesor, por në fakt ai u lirua plotësisht.
Trupa gjyqtare, e kryesuar nga Stavri Kallço dhe me anëtarë Olsi Xhavella dhe Brunilda Orhan, urdhëroi që Redi Kazerma të lirohej pasi kishte mbaruar dënimin për moskallëzim krimi. Ndërsa për personin e akuzuar për vrasje, Elton Bregu, la në fuqi vendimin me 12 vjet burg. Në një intervistë për gazetën, Hoxhallari tregon se si u sfumua hap pas hapi çështja e të birit, derisa Stavri Kallço në Apel i vuri vulën shpresës së familjes për të vënë drejtësinë në vend.
Si e prisnit seancën e 26 nëntorit në Gjykatën e Apelit në Korçë?
Prisja me shpresë se drejtësia do të vihej në vend. Prokurorja e Pogradecit nuk çoi asnjë provë në gjyq, duke fshehur autorët dhe faktet e krimit që i morën jetën tim biri në lule të rinisë. Kishim shpresa në Korçë. Prokurorja e Apelit që mbulonte çështjen kërkoi që të dy, si Elton Bregu dhe Rezi Kazerma, të dënoheshin njësoj, si bashkëpunë torë në vrasje.
Pse duhej të dënohej njësoj, kur Kazerma akuzohej vetëm për moskallëzim krimi?
Këtu është e keqja, që nuk ka drejtësi. Për ne, por dhe dëshmitarët që e kanë parë krimin, Redi Kazerma ka qenë organizatori i vrasjes së tim biri dhe ka marrë pjesë në të. Çdo gjë ka qenë e planifikuar më herët, por e sajuan sikur mes tim biri dhe Elton Bregut kishte ndodhur një sherr banal, kështu që autorët të shpëtonin.
Çfarë ndodhi në gjyqin e Apelit?
Prokuroja e çështjes foli si nënë vetë. Iu drejtua avokatit dhe gjyqtarëve të Apelit të Korçës: Ai djalë, Klement Hoxhallari, është vrarë e masakruar me thika e armë të tjera pa zhurmë. Si mund ta quani ju sikur ai është vrarë me biçak? Lirojini, pra, të dy më mirë, iu drejtua ajo atyre. Askush nuk e mori parasysh, as prokuroren e as dhimbjen tonë. Gjyqtarët, të tre, me në krye Stavri Kallçon, jo vetëm që nuk e kthyen çështjen, por e liruan atë që ne e quajmë autorin kryesor.
Ju si reaguat, kur u dha vendimi?
Unë kam pësuar parainfarkt që kur më vdiq djali. Nuk duroj dot më. Kur isha në sallë, shikoja autorët të dy që qeshnin. Më ra të fikët dhe më dërguan në spital. Tani po pres që të bëj një ndërhyrje në zemër, por nuk jam e qetë që të futem në sallë.
Si mendoni, pse nuk u mor parasysh kërkesa e prokurorisë?
Po çfarë të them, ata gjyqtarë janë blerë me para. Ata që akuzohen kanë lekë. Të tjerë janë përfshirë në krimin ndaj djalit tim, por asnjëherë nuk u akuzuan.
Kush e kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Faktit?
Kush tjetër?! Vetë autorët që morën dënimin minimal kërkonin të liroheshin për fare. Prokurorja e Pogradecit i mbrojti deri në fund autorët dhe nuk hetoi siç duhej për vrasjen e Klementit tim. Asaj nuk i interesonte që të dënonte më shumë autorët. Prandaj Elton Bregu kërkoi që të dënohej sa më pak. Ndërsa Redi Kazerma i kishte bërë mirë planet, sepse u dorëzua vetë kur nisi gjyqi. E kishin planifikuar çdo gjë. E dinin se do të dënoheshin pak dhe në Gjykatën e Korçës (Apeli) do të merrnin lirinë, siç e mori Redi Kazerma nga gjyqtari Stavri Kallço.
Keni pasur kontakte apo reaguar për vendimin?
Nuk kishim asnjë mundësi. Ne nuk na lajmëronin fare kur zhvilloheshin çështjet, por i merrnim vesh vetë dhe shkonim në seancë. Edhe ditën kur u dha vendimi, unë u bëra shumë keq se nuk i shikoja dot që të qeshnin autorët. Atë natë e kam gdhirë në spital dhe sot e kësaj dite po qëndroj shtrirë.
Sipas jush, Elton Bregu nuk është autor i krimit, siç e ka përkufizuar prokuroria?
Ai është vetëm një ndër 8 autorët që vranë tim bir. Djali im kishte 8 goditje: në kokë, në qafë, në zemër dhe në këmbë. Të gjitha të thella. Unë ia kam parë vetë me sytë e mi kur e pashë në spital. I kishte duart e nxira, sepse dy e kanë mbajtur dhe 4 të tjerë e kanë qëlluar me thika kasapësh. Njëri prej atyre që e porositi vrasjen e Klementit, me mbiemër Çekiçi, është kasap. Me thikat e tij u qëllua djali im i vetëm. Por prokurorja Dorina Bejko, e Pogradecit, nuk i mori parasysh këto. Në çështjen e djalit tim thuhet se goditjet i janë bërë me biçak, por as biçakun që pretendojnë nuk e gjetën.
Pse ndodhi vrasja e djalit tuaj?
Ditën e krimit e kanë kërcënuar, duke i kërkuar që t’u çonte letrat e tokës ku është ndërtuar furra e bukës, që ne e kemi blerë prej 18 vitesh. Vjehrri im ua kishte blerë gjyshërve të Redi Kazermës, njëkohësisht prindërve të dajove të tij, Çekiçëve, këtu në Starovë. Në atë kohë vetë ata na u lutën që ta blinim dhe Klementi ishte vetëm 10 vjeç atëherë. Papritur ata i kanë shkuar ditën e krimit, më 9 qershor të vitit 2014 tim biri në zyrë. Ai sapo ishte caktuar inspektor i Punës. I ka shkuar Redi Kazerma bashkë me të tjerë, duke i bërë presion: Na sill dokumentet, ndryshe nuk do ta gëzosh. Djali u kthye në shtëpi dhe na tregoi. Burri im shkoi në Starovë te dajat e Kazermës dhe u tha: Pse ma keni kërcënuar djalin? Pse i keni shkuar në zyrë? Ata iu përgjigjën: Djalin mbajeni mbyllur!
Kishit marrë kërcënime më parë për t’ua lënë furrën?
Jo, asnjëherë! Po të kishim probleme, ne do t’ua kishim falur, vetëm djalin të mos na e preknin. Por siç doli më pas ata e kishin planifikuar çdo gjë. Më vonë morëm vesh se ata kishin thënë se: “Do ta heqim qafe atë djalë!”. Jua thashë, atë ditë ndodhi gjithçka. Në orën 9 të mëngjesit i shkuan djalit në zyrë, në 4 e gjysmë pasdite ma vranë. Redi Kazerma e mori në telefon pasdite dhe i tha hajde të pimë një kafe dhe merr dokumentet me vete. Djali i tha të takoheshin në një kafe, por ai ia caktoi në një bilardo, në qendër të qytetit. Gjatë rrugës kanë parë Elton Bregun dhe 3 të tjerë që e kanë ndjekur djalin në lëvizjet e tij. Aty brenda e kanë sulmuar. Dy bënin roje dhe të tjerët e kanë qëlluar në pabesi.
Ka pasur dëshmitarë vrasja e djalit tuaj?
Ka pasur shumë, por nga frika apo se janë bashkëpunëtorë nuk tregojnë. Që nga kamerieri në lokal e të tjerë persona që e kanë parë djalin e të tjerët në bilardo. Kur e kanë vrarë djalin, kanë dalë me thika në duar duke kërcënuar ata që i panë të mos flisnin. Im bir ka mundur të dalë jashtë e aty ka dhënë shpirt.
Konkretisht ju përmendni shumë emra të përfshirë në krim…
Po, janë shumë, jo vetëm Elton Bregu. Këtë e sollën nga Korça enkas, por të tjerë ishin organizatorët. Janë dajat e Redi Kazermës e ky vetë që ma vranë djalin. Pse ky është akuzuar për moskallëzim krimi? Ai ma thirri djalin dhe e qëlloi bashkë me të tjerët.
Çfarë do të bëni pas vendimit të Apelit?
Mendova se Stavri Kallço me gjyqtarët e tjerë do ta dënonin Redi Kazermën ashtu si ai tjetri për bashkëpunim në vrasje. Mirë të tjerëve që nuk u hyri asnjë gjemb, por është dënuar vetëm një person që u thirr nga Korça në Pogradec nga të tjerët. Unë do të kërkoj deri në fund të bëhet drejtësi. E di që djali nuk më kthehet, por nuk mund të dënohet vetëm një, kur im bir u masakrua nga 8 veta. Do të kërkojmë që dosja të merret nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vetëm atëherë mund të shpresoj se do të hetohet deri në fund vrasja e tim biri./Panorama/
Nga Afrika në Francë, me vizë shqiptare të falsifikuar
Afrikanët e Malit po përdorin dokumente të falsifikuara shqiptare për të udhëtuar drejt Francës. Brenda pak ditësh, një person tjetër është ndaluar nga policia në Rinas.
Diallo Cheick Oumar 25 vjeç, lindur në Mali/Bamako u kap me një vizë shqiptare false.
Viza ishte lëshuar në Kajro, e vlefshme deri në shkurt të vitit tjetër. Malezi u zbulua për shkak se jepte përgjigje false, tha policia.
Pas kontrollit iu gjet edhe një leje qëndrimi e falsifikuar. Ai tha se kishte paguar 5670 dollarë për të dyja.
Ditët e fundit Mali është përfshirë nga një valë sulmesh terroriste. Një pjesë e këtij shteti kontrollohet nga ekstremistët.
Rreziku i shembjes së pallateve, studim për gjithë zonën e Selitës
37 familje të cilat rrezikoheshin për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut në Selitë të vogël, do të qëndrojnë të evakuara deri në një afat të pacaktuar.
Kjo sepse Shtabi i Emergjencës i ngritur për të rehabilituar perimetrin e prekur nga rrëshqitjet nuk ka ndërhyrë ende me veprime konkrete. Përveç bllokimit të zonës, e cila mbahet nën mbikqyrjen e policisë bashkiake dhe të policisë së shtetit, topografët kanë përfunduar matjet në vendngjarje që konsiderohen të rëndësishme për projektin që po përpilohet.
Prefekti i qarkut Tiranë Sadi Vorpsi pohon se ndërhyrjet do të kryhen kur të përfundojnë projekti teknik.
“Aktualisht po punohet pas një takimi që patëm dhe me kryetarine bashkisë dhe drejtorin e emergjencave civile po presim nga momenti në moment të hartohet një projekt rehabilitues. Janë specialistët ata që e orientojnë mënyrën se si do të ndërhyhet.
Janë rreth 110 metra që kërkon pilotim. Sa banesa rrezikohen nuk mund ta them, por situata është në kontroll dhe nuk ka vend për panik. Aty është një subjekt ndërtues që ka kërkuar për të marrë një leje ndërtimi, që nuk është zbardhur asnjëherë dhe ka operuar në kundërshtim me ligjin”,- tha Sadi Vorpsi.
Ndërsa pritet që të alokohet një fond i posaçëm nga shteti për këtë situatë emergjence, zoti Vorpsi pohon se për të parandaluar ngjarje të ngjashme do të ketë studime edhe në zona të tjera të Tiranës, kryesisht në kodrat pranë Kopshtit Zoologjik që janë shndërruar në zona banimi vitet e fundit.
“Ne po hartojmë një plan dhe një grup pune për të kontrolluar gjithë zonat problematike dhe dihet që sidomos zona kodrinore e Tiranës, siç ndodh në rastin konkret ka probleme.
Një plan të ngritur mbi një grup pune, bashkë me institucione shtetëore, duke nisur nga Shërbimi Gjeologjik shqiptar, që është një institucion shumë i rëndësishëm në rastin konkret dhe institutin e ndërtimeve, për të parë se ku janë zonat problematike dhe për të ndërhyrë dhe parandaluar situata të tilla”,- tha Vorpsi.
Nga ana tjetër vijon të jetë në kërkim administratori i firmës që kishte kryer gërmimet, shtetasi Bujar Hasa, ish prefekt i Fierit. Prokuroria e Tiranës thotë në rrugë zyrtare se ka sekuestruar dokumentacionin e kësaj kompanie ndërtimi, për të verifikuar se çfarë procedure është ndjekur.
Ndërkohë që ende nuk është kryer ndonjë veprim lidhur me verifikimin e ligjshmërisë dhe kriteret teknike të dhënies së lejeve të ndërtimit nga ish komuna Farkë, nën admistrimin e të cilës ka qënë kjo zonë./Top Channel/
Foto: Ja 4 pengmarrësit e Dukagjinit, të shpallur në kërkim
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot masën e arrestit burg për tre pengmarrësit e Dukagjinit, të cilët për një javë mbajtën peng një të ri në fshatin Plan. Ata janë: Tom Shkrepa, Lekë Shkrepa dhe Kol Dushku, të akuzuar për pengmarrje në bashkëpunim dhe kërcënim me jetë të 2 vëllezërve Avni dhe Sulltan Kuçaj.
Nga ana tjetër, 4 persona të tjerë të përfshirë janë ende në kërkim. Ata janë: Pal Dushku, Pëllumb Dushku, Françesk Vala dhe Zef Gjergji.
DESHMIA
Zbardhet dëshmia e vëllait të personit të mbajtur peng për gjashtë ditë në Shkodër, për një shumë prej 10 mijë eurosh nga tre persona tashmë të arrestuar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tre të ndaluarve në Shkodër, Kolë Dushku, Lek Shkrepa dhe Tomë Shkrepa. Ata dyshohet se i kanë shitur një sasi droge një shtetasi malazez.
Garant për malazezin dyshohet se kanë dalë dy vëllezërit e marrë peng, të cilët janë rrëmbyer pasi blerësi i drogës nuk ka bërë pagesën. Një ditë pas ngjarjes së ndodhur më 21 nëntor 2015, Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimi penal, që bën fjalë për veprën penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”.
Pikërisht, mbi bazën e këtij procedimi është marrë edhe dëshmia e vëllait të pengut, i cili ditën e ngjarjes kishte qenë bashkë me vetë pengun në zonën ku ai u mbajt i rrëmbyer nga autorët e krimit.
Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se hetimi ka nisur mbi bazën e dosjes së përcjellë nga Drejtoria e Policisë Vendore, Shkodër. Fjala është për kallëzimin e bërë nga shtetasi me iniciale A.K., (vëllai i pengut).
Ai, në kallëzimin dhe deklarimin e tij shpjegon se në datë 21 nëntor 2015, rreth orës 18:30, ka qenë duke pirë kafe me vëllain e tij, shtetasin S.K., në një lokal në vendin e quajtur Rus, qyteti Shkodër. Sipas dëshmisë së tij, aty kanë ardhur shtetasi me emrin Tomë, i identifikuar si Tomë Shkrepa, si dhe dy persona të tjerë, të cilët i kanë hipur në një autoveturë tip
“Benz Mercedes” dhe i kanë dërguar në fshatin Grudë e Re, Shkodër. Referuar dëshmisë së dhënë nga vëllai i pengut, pasi kanë zbritur nga automjeti, një prej autorëve të pengmarrjes ka filluar duke i sharë dhe ofenduar, si dhe i ka goditur me grushte, duke u thënë “ju, ose do të më jepni 10 mijë euro, ose do të më gjeni shtetasin x, nga Mali i Zi”.
MBAJTJA E PENGUT
Pas këtij momenti, në dëshminë e tij shtetasi me iniciale A.K. ka thënë se autorët e krimit i kanë hipur atë dhe të vëllain në një automjet tip fuoristradë e markës “Rang Rover”, ngjyrë jeshile, duke i dërguar në një përrua në fshatin RrashKullaj, Malësi e Madhe.
Pasi i kanë çuar atje, autorët i kanë rrahur dy vëllezërit, u kanë marrë telefonat, kanë lënë makinën dhe pas rreth tri orësh udhëtim në këmbë kanë shkuar në një fshat në zonën Dukagjin, ku përpara u kanë dalë dy persona të armatosur me armë.
Këta shtetas kanë marrë me vete shtetasin S.K. (pengun), ndërsa Tomë Shkrepa dhe një tjetër person, sipas dëshmisë së dhënë nga vëllai i të rrëmbyerit, janë kthyer së bashku me dëshmitarin A.K. në qytetin e Shkodrës. Ata kanë liruar vëllain e të rrëmbyerit, por i kanë lënë afat këtij të fundit që deri në datë 29 nëntor 2015, të sigurojë 10 mijë euro dhe, në rast të mosdhënies së kësaj shume, do t’i vrasin vëllain (të mbajtur peng).
NEGOCIATAT
Dy vëllezërit, që u morën peng në Dukagjin dhe ku njëri prej tyre qëndroi për një javë me pengmarrësit, janë lënë të lirë nga Policia e Shkodrës.
Edhe pse dyshimet janë për pazare droge, policia vendore ende nuk ka në dorë asnjë prej provave. Fillimisht është marrë në pyetje shtetasi A.K., duke qenë se ka qëndruar një javë në Shkodër sikur ishte në kërkim të shumës prej 10 mijë eurosh që kërkonin pengmarrësit. Gjatë kësaj kohe, përveç organizimit të planit operacional të policisë, hollësisht është marrë në pyetje shtetasi A.K., vëllai i pengut.
Qëllimi kryesor për policinë ka qenë shpëtimi i shtetasit Sulltan K., i cili mbahej peng prej një jave, që nga data 21 nëntor. Pas një aksioni të organizuar është arritur që uniformat blu të bëjnë lirimin e tij në zonën ku ai mbahej peng. Aksioni ka zgjatur për më shumë se 6 orë, por është mbyllur me lirimin e pengut ditën e shtunë./Panorama/
- Françesk Vala
2. Pal Dushku
3. Vala e Dushku
4. Lin e Françesk Vala
5. Lek Shkrepa
6. Kol Dushku
7. Tom Shkrepa
Ja cilat janë kushtet e Gjermanisë për punëtorët nga Ballkani
Shqiptarët nuk kanë shanse për azil politik, por Gjermania do të hapë rrugën për ardhjen legale të fuqisë punëtore nga vendet Ballkanit, thotë Anette Kramme, në bisedë me Deutsche Wellen.
Migracioni dhe refugjatët janë aktualisht ndër temat më të rëndësishme në Gjermani. Deri në tetor të vitit 201 janë paraqitur mbi 130.000 kërkesa për azil nga shtetasit e vendeve të Balkanit Perëndimor. Ndër ta janë rreth 35.000 nga Kosova dhe rreth 45.000 nga Shqipëria. “Por shanset e tyre për azil janë të gati të barabarta me zero”, thotë sekretarja e Shtetit në Minsitrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme.
Shanset për azil nuk ekzistojnë, por Gjermania do të hapë tregun e punës prej vitit të ardhshëm për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas propozimeve të tanishme, parashikohet që në vit të pranohen rreth 20.000 punëtorë nga këto vende. Parashikohet që ligji i ri të hyjë në fuqi në vitin 2016 dhe do të vlejë deri më 2020 kur do të bëhet evaluimi i tij. “Nga këto rregulla mund të përfitojë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, pohon Kramme.
E pyetur nga Deutsche Welle, se çfarë do të ndryshojë konkretisht me ligjin e ri, i cili duhet të hyjë në fuqi në vitin 2016, sekertarja e shtetit Anette Kramme përgjigjet: “Deri tani situata është kështu: migrantët mund të vijnë në Gjermani vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm. Ata ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card, që është mundësia e parë. E mundësia tjetër është nëse dikush ka një profesion të posaçëm, për të cilin ka mangësi në Gjermani. Ndonëse tani ne do ta hapim tërësisht tregun e punës për njerëzit nga vendet e Ballkanit, kushti i parë absolut është që të ketë një vend vend vakant. Dhe kushti tjetër është që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila të sigurojë, se për këtë vend pune nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kushtet e punës duhet të jenë të barabarta.”
Në Gjermani është folur shpesh për mungesën e fuqisë punëtore në shumë fusha. Njerëzit në Kosovë, Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shpresojnë se do të gjejnë ndonjë vend pune në Gjermani, por në cilat fusha ekziston nevoja më e madhe për fuqi punëtore? E pyetur për këtë nga DW, sekretarja e Shtetit pranë Ministrisë gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme, thekson: “Kjo vlen në veçanti për fushat ku nuk kërkohet ndonjë shkollim i posaçëm, si dhe për vendet e punës për të cilat nuk ka kandidatë nga Gjermania apo Bashkimi Evropian. Këto janë mundësitë për migracion pune, por natyrisht që tregu i punës është i hapur edhe për akademikë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.
Sa i përket problemit që kanë qytetarët e Kosovës me vizat, si e vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza në BE, Anette Kramme thekson, se: “Ne do të lehtësojmë të gjithë procedurën. Procedura e dhënies së vizave do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë.”/DW
Skandal seksual me Vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri
Rrjeti gjigant televiziv amerikan, CBS ka zbuluar një skandal të vërtetë të aferave seksuale me vullnetarët e Korpusit të Paqes anembanë botës.
Në listën e investigimeve kanë qenë edhe vullnetarët me mision në Shqipëri. Sipas investigimit të publikuar nga CBS, vullnetarët që kanë kryer abuzime seksuale nuk janë dërguar para drejtësisë, por atyre u është dhënë mundësia të japin dorëheqjen, dhe më pas u është dhënë një mundësi e dytë për të rihyrë në korpus.
Sa u përket viktimave të dhunës seksuale brenda Korpusit, ato nuk kanë marrë trajtimin e duhur, madje më keq akoma, janë larguar nga vetë Korpusi. Raporti citon edhe një rast flagrant në Shqipëri, që ka ndodhur në janar të këtij viti. Vullnetarja Bonnie Scott, që ka qenë në Shqipëri në fillim të këtij viti, zbulon skandalin. Ajo thotë për CBS se njoftoi Korpusin e Paqes për një nga zyrtarët amerikanë të tij, i cili kishte sulmuar seksualisht një grua në Shqipëri.
Por pak kohë pas raportit të saj, Scott u largua nga Korpusi i Paqes me motivacionin se nuk i kishte plotësuar në mënyrë korrekte letrat e punës. “Atij, që denoncova, i dhanë një mundësi që të jepte dorëheqjen ndërkohë që duhet të akuzohej në SHBA për akuzën në fjalë.
Në këtë mënyrë ata e mbuluan skandalin e tij”, thotë Scott në një intervistë për CBSnë. “Ata më larguan mua nga Korpusi 10 ditë pasi i dhanë mundësinë abuzuesit që të jepte dorëheqjen”, thotë Scott.
Mirëpo, raporti i CBS-së ka zbuluar se ka patur shumë raste kur punonjës të Korpusit të Paqes, të përfshirë në skandale seksuale u është dhënë mundësia që të japin dorëheqjen me mundësinë e dytë që të rikandidojnë për t’u ripunësuar aty, shkruan “Panorama”.
CBS shkruan se janë rreth 7 mijë vullnetarë të Korpusit të Paqes në 65 vende të Botës. Mesatarisht 1 në pesë prej tyre sulmohet seksualisht gjatë shërbimit. Gjithashtu, CBS shkruan se gjysma e të sulmuarve apo dëshmitarëve në një sulm seksual, nuk e raportojnë atë.
Krim në familje në Korçë, babai plagos djalin
Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë orëve të mbrëmjes së kësaj të hëne në qytetin e Korçës, ku babai ka plagosur djalin e tij me armë zjarri, nën efektin e pijeve alkoolike.
Motivet e ngjarjes së ndodhur në fshatin Pojan janë ende të paqarta, edhe pse dyshohet për motive të dobëta. Shtetasi Romeo Nako, i dehur, ka qëlluar në këmbë të birin e identifikuar me inicialet P.N., vetëm 15 vjeç.
I plagosuri është transportuar me urgjencë për në spitalin rajonal të qytetit, ku mësohet se i është dhënë ndihma e parë mjekësore, për shkak se gjendja e tij mësohet të jetë e rënduar nga gjakrrjedhja.
Ndërkohë, policia që kishte mbërritur më herët në vendngjarje, ka shoqëruar autorin e këtij krimi në familje dhe ka nisur hetimet për të mësuar rrethanat e kësaj plagosjeje, pasi ka bllokuar edhe armën e zjarrit, me të cilën është kryer krimi./ Top Channel
SHISH, 40 mln lekë bileta avioni për udhëtimet në vitin 2016
Shërbimi Informativ Shtetëror do të blejë 40 milionë lekë të vjetra, bileta për transport ajor ndërkombëtar dhe siguracion shëndetësor.
Ndryshe nga rastet e tjera, këtë herë biletat do të blihen me prokurim të hapur, por pa identifikuar vendin ku do të udhëtojnë zyrtarët e SHISH. Për blerjen e tyre do të përdoret Agjencia e Prokurimit Publik.
Ofertat do të pranohen deri në datën 3 dhjetor 2015. Biletat për punonjësit e SHISH do të përdoren për udhëtime të cilat do të kryhen nga data 1 janar deri në 31 dhjetor 2016.
Me një vlerë kaq të lartë, duket se punonjësit e SHISH do të kryejnë një sërë udhëtimesh jashtë shtetit, për të marrë informacione./shqiptarja.com
Dënohet me 14 vite burg Tufina, “tezja e kokainës”
Plot 14 vite burg ka dhënë Gjykata e Krimeve të Rënda për Valentina Tufinën, e njohur ndryshe edhe si “tezja e kokainës”.
Ajo është gjetur fajtore për akuzën e “trafikut të narkotikëve në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.
Nga hetimet e Prokurorisë, brenda një muaji rezulton se Valentina ka bërë të paktën shtatë udhëtime në disa vende të Evropës, Australisë, Kinës dhe më pas Amerikës.
Ajo ishte konsiderohej si “truri” i një rrjeti ndërkombëtar që trafikonte heroinë dhe kokainë nga vende të Amerikës Latine drejt BE-së.
Tufina u arrestua nga policia e Kosovës.
Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 17-vjeçarit shqiptar në Londër
Zbulohet autori i dyshuar i vrasjes së 17-vjeçarit shqiptar në Londër. Policia britanike njofton se arrestoi ditën e djeshme, më 30 nëntor, një të dyshuar për të cilin nuk bën të ditur as emrin dhe as origjinën.
Mediat londineze njoftojnë se, i dyshuari u arrestua në qytetin bregdetar Bognor Regis, në jug-perëndim të Anglisë.
17-vjeçari shqiptar Vaso Kako u vra me thikë shumë pranë shtëpisë së tij në lagjen e Islingtonit, jo shumë larg stadiumit të Arsenalit, më 24 nëntor të këtij viti.
Mjekët luftuan për të shpëtuar të riun shqiptar, por nuk ia dolën. Vëllai dhe pjesëtarë të familjes u bënë thirrje publikut dhe dëshmitarëve të mundshëm të jepnin informacione në polici për identifikimin e vrasësit të 17-vjeçarit.
Mediat britanike shkruajnë se, filmimet e kamerave të sigurisë tregojnë se pasi u godit me thikë në qafë viktima tentoi të largohej me biçikletë, por u rrëzua vetëm pas disa sekondash.
Detektivët ende nuk i kanë zbardhur motivet e vrasjes së adoleshentit. I riu shqiptar po kryente stazh pune dhe nuk kishte të bënte me bandat. Vëllai i tij i madh, Bruno Kako, 25 vjeç, thotë se nuk ia ka idenë se nga kush mund të jetë sulmuar. Vaso është i riu i 18-të që vritet në Londër në këtë vit dhe i 14-ti që vitet me thikë.
Fotot: Protestë në Tiranë për lirimin e Albin Kurtit
Protestave për lirimin e Albin Kurtiti i është bashkuar edhe Tirana. Me dhjetëra qytetarë kanë protestuar para Piramidës kundër kërkuar lirimin e deputetit.
“Po Albinit, Jo Zajednicës”, ishte parruga e vendosur para Piramidës. Ndërkohë thuajse të gjithë protestuesit mbanin në duar pankarta si dhe flamuj kombëtar ndërsa kërkuan lirimin e menjëhershëm nga burgu të Albin Kurtit.
Protestuesit shprehën kritik edhe për mungesën e reagimit të Tiranës zyrtare pas arrestimit të deputetëve të opozitës.
Manjani përgatit amnistinë, ja kush del nga burgu
Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një nismë për përpilimin me një ligji për dhënie amnistie në burgje. Ky ligj që pritet të finalizohet në fund të vitit 2015, përfshin një grup të dënuarish për veprash të ndryshme penale. Bëhet fjalë për një numër që varion nga 800 deri në 1000 të dënuar, shifër kjo që mund të ndryshojë, por që po diskutohet në vijim për tu amnistuar.
Momentalisht projekti është në fazën fillestare të diskutimit në Ministrinë e Drejtësisë, pritet të plotësojnë rreth 800 deri në 1 mijë të dënuar, të cilët janë dënuar me dënime të ndryshme. Kriteret për të lënë qelitë pritet të përfshijnë, të gjithë të dënuarit të cilëve u kanë mbetur deri në 2 ose 3 vite burg për të vuajtur, personat e dënuar me kusht apo me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në një datë të caktuar.
Nga kjo amnisti do të përfitojnë dhe të dënuarat femra, të cilat janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, të dënuarit meshkuj, që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç.
Në të gjitha këto raste përjashtohen të dënuarit për krime të rënda, si vrasje, trafik droge e shumë vepra të tjera penale të rënda.
Vodhën shuma të konsiderueshme nga bankomatet, arrestohen 6 të rinj
Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër ndalimi për disa persona, të dyshuar se kanë konsumuar veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, pasi, nëpërmjet kartave të klonuara, kanë tërhequr shuma të konsiderueshme parash nga bankomantët e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri. Urdhërat e ndalimit të Prokurorisë janë zbatuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
Këta shtetas, me banim në Lushnje dhe Kavajë, pasi kanë fallsifikuar karta debiti (tërheqje parash) kanë tërhequr shuma të ndryshme në bankomate në Lushnje, Kavajë dhe Durrës dhe i kanë shpenzuar ato për blerje karburanti për automjetet e tyre ose për sende të tjera.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin në bazë të informacionit të mbërritur nga selia qendrore e bankës së nivelit të dytë në Tiranë, e cila kishte konstatuar ndërhyrje të paligjshme në sistemin e saj, nëpërmjet një karte amerikane. Nga verifikimet e saj, banka ka krijuar dyshime se karta amerikane ishte e klonuar dhe nëpërmjet saj po tërhiqeshin shuma të konsiderueshme.
Nga hetimi rezultoi se personat, për të cilët është nxjerrë urdhër ndalimi, kanë tentuar të kryejnë transaksione (tërheqje) edhe nga disa karta të tjera, por këto tentativa kanë rezultuar të pasuksesshme.
E vetmja kartë që u ka funksionuar ka qenë ajo me të dhëna amerikane (të fallsifikuara), të cilën, krahas bankomatëve, e kanë përdorur edhe në disa pika karburanti në zonën e Lushnjes dhe Kavajës.
Pikërisht, nga të dhënat e përftuara në këto pika karburanti, është arritur të zbulohen personat e dyshuar. Këta shtetas, gjatë periudhën qershor-korrik 2015, kanë furnizuar me karburant mjetet në pronësi ose në disponim të tyre në disa pika karburanti në vlerë disa milionë lekë, nëpërmjet pagesës me kartë. Po ashtu, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ky grup personash ka tërhequr shuma të konsiderueshme edhe nga bankomatët.
Në vijim të hetimit, nga ana e Prokurorisë së Tiranës po punohet për të saktësuar shumën e plotë të marrë prej tyre nëpërmjet klonimit të kartave të debitit.
Për personat që dyshohet se janë përfshirë në veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, Prokuroria Tiranë ka nxjerrë urdhërat e ndalimit. E konkretisht, për shtetasit:
- Klodjan (Klajdi) Kodheli, i dtl. 1992
- Sajmir Krasnaj, i dtl. 1988
- Denilson Dusha (Vilson Camko), i dtl. 1998
- Besmir Kollçaku, i dtl. 1992
- Andi Hylviu, i dtl. 1993
- Marius Shehi, i dtl. 1993
Nuk zgjidhim dot problemet tona, por do t’ua zgjidhim të tjerëve
Ministria e Mbrojtjes njoftonte sot se “Niset kontingjenti i tretë paqeruajtës me mision në Kabul, Afganistan. Ceremonia e përcjelljes së trupave paqeruajtëse u zhvillua në mjediset e pjesës ushtarake të aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas. Kontingjenti i tretë paqeruajtës është pjesë efektive e Batalionit të Tretë të Këmbësorisë (b3k) në Poshnje, në varësi të Forcës Tokësore dhe niset në Kabul në kuadër të misionit “Resolute Support Mission” që NATO dhe vendet e PfP po kryejnë aktualisht në Afganistan”.
Angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO është vlerësuar shpeshherë nga partnerët e Shqipërisë.
Por dërgimi i një kontigjenti të tillë duket si një luks i tepërt.
Në një kohë kur Shqipëria është përballur me emergjenca të shumta civile kohët e fundit, si përmbytjet dhe ka qenë e pafuqishme që t’i parandalojë ato dhe dëmet që janë shkaktuar, nuk dihet se si mund të zgjidhim proablemet e vendeve të tjera, pa zgjidhur ende tonat.
Ushtria shqiptare gjithashtu ka qenë e paaftë të ruajë tërësinë territoriale të Shqipërisë në disa raste përballë e anijeve të huaja që ndotin brigjet tona.
Gjithashtu ushtria është pjesë e shtabit të emergjencave civile dhe ndërhyrja e saj në shtrate lumenjsh, apo kolektorë të bllokur mund të kishte qenë një veprim që duhej të ishte marrë me kohë nga qeveria dhe një kontribut i madh për vendin tonë, përpara se sa të mendojmë për kontributin që mund të japim për vendet e tjera.
Tiranë, 52-vjeçari tenton të përdhunojë motrën 48-vjeçare
Policia e Tiranës ka arrestuar një 52vjeçar, pasi akuzohet se ka tentuar të përdhunojë motrën e vet.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në bulevardin “Bajram Curri”, tek pallatet “1 Maji”.
Sipas policisë, shtetasi D.T, ka tentuar të përdhunojë motrën e tij 48vjeçare.
Ka qenë kjo e fundit që ka lajmëruar policinë, e cila ka prangosur 52vjeçarin, i cili tashmë do të përballet me akuzat që rëndojnë mbi të. Raportohet se ai ka qene i dehur gjate ngjarjes, por 52 vjecari e ka mohuar akuzen. Ai jetonte me te motren dhe te emen, e cila nderroi jete pak
kohe me pare. Te dy jane ata jane beqare, ndersa e motra ka thene ne polici se ai fillimisht e ka dhunuar fizikisht per shkak te ushqimit.
Korrupsioni te Patentat, në gjyq polici që “zgjidhte punë”
Një oficer policie në qarkullimin rrugor dhe tre persona që kërkonin ndihmën e tij për raste që do dilnin përpara komisionit të patentave kanë përfunduar në gjyq për akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”. Edmond Jupe, tashmë i arrestuar, ka ndërhyrë në disa raste te komisioni i patentave, duke paracaktuar vendimin e këtij komisioni për shkelje të ndryshme administrative.
Një oficer i policisë rrugore dhe tre persona që ndërhynin tek ai për shkelje të ndryshme administrative kanë përfunduar në gjykatë si të pandehur për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Edhe pse në shumë raste oficeri i policisë ka paracaktuar vendimin e komisionit administrativ, prokuroria e ka ndalur hetimin tek Edmond Jupe dhe tre personat që e kontaktonin atë për të ndihmuar të njohur apo miq të tyre.
Gjatë hetimit të nisur nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe më pas i zhvilluar nga prokuroria, janë provuar disa raste kur oficeri i policisë Edmond Jupe, tashmë i arrestuar, ka ndikuar tek anëtarët e Organit Administrativ Shtetëror (OASH) për uljen e gjobave të mjeteve të kapura me shkelje apo favorizimin e masës së dënimit ndaj drejtuesve të këtyre mjeteve.
Bashkë me oficerin Jupe, prokuroria ka marrë të pandehur edhe shtetasit Nertil Lilo, Qamil Doka dhe Andrea Çollari, të cilët kanë kërkuar ndihmë nga Jupe për miqtë e tyre që ishin kapur me shkelje nga policia rrugore.
“Punonjësi i policisë, Edmond Jupe, në periudha dhe kohë të ndryshme, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në punë, nëpërmjet lidhjeve të ngushta në polici dhe në institucione të tjera, u krijon favore personave të ndryshëm, mes tyre dhe persona me precedentë kriminalë, me qëllim përfitimin e parave prej tyre”, thuhej në referimin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Por nga hetimit i prokurorisë është provuar se punonjësi i policisë ka ndikuar në vendimin e komisionit apo i njohur ndryshe si Organi Administrativ Shtetëror, për një rast kur drejtuesi i mjetit ishte ndaluar me shpejtësi tej normave të lejuara.
Sipas prokurorisë, më datë 29.05.2015, shtetasi Nertil Lilo ka komunikuar me Edmondin dhe janë takuar para Komisariatit të Policisë nr.4, ku ndodhej komisioni. Në deklarimin e tij, shtetasi Nertil Lilo tregon se në një rast është konstatuar nga punonjës policie duke drejtuar mjetin e tij tip “Benz” me targë AA XXX CU me shpejtësi tej normave të lejuara, dhe është nxjerrë në komision.
Ai ka takuar efektivin e policisë, Edmond Jupe dhe i ka treguar fletën e gjobës e më pas Jupe i ka thënë se do të fliste me komisionin dhe do t’u thoshte që të vendosnin masë gjobë minimale.
“Edmondi u fut brenda te zyra e komisionit OASH, që ndodhej ngjitur me hyrjen kryesore të këtij komisariati. Pas gjysmë ore, Edmondi shkoi tek Nertili dhe i tha se kish folur me një nga anëtarët e komisionit OASH, dhe ndaj tij do vendosnin masë gjobë minimale 8000 lekë të reja dhe do i bllokohej patenta për një muaj”, thotë prokuroria.
Më pas, Nertili është futur në komision dhe pas pyetjeve formale doli prej aty me vendimin që i kishte thënë më parë efektivi i policisë: 8 mijë lekë gjobë dhe pezullimin e lejes së drejtimit për një muaj.
“Edmondi iu drejtua dhe i tha duke i kërkuar… ndonjë kafe për ata të komisionit do më japësh? Pasi pagoi gjobën, Nertilit i kanë mbetur 40 mijë lekë, të cilat ia ka dhënë Edmondit që e priste te lokali ngjitur me komisariatin”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Pasi janë ndarë nga njëri-tjetri, rreth orës 13:00 të po asaj dite, Nertili tregon se ka takuar rastësisht Edmondin tek semafori te ‘Stacioni i Trenit’.
“Edmondi tha: Nuk mjaftojnë ato para që më dhe. U turpërova me ata të komisionit. Përsëri Nertili e ndjeu veten ngushtë para Edmondit dhe i dha 6 mijë lekë të reja. Edmondi ia mori këto para dhe i futi në xhep dhe duke u ndarë e falënderoi Nertilin”, thotë prokuroria.
Por pavarësisht pretendimeve të të pandehurit dhe konfirmimit se vendimi i komisionit ishte i njëjtë me atë që i kishte thënë efektivi i policisë përpara se ai të dilte në komision, prokuroria nuk ka përfshirë në hetime tre anëtarët e Organi Administrativ Shtetëror që shqyrton rastet e shkeljeve administrative nga drejtuesit e mjeteve.
Të pandehur:
Edmond Jupe, efektiv i policisë rrugore në Tiranë, akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” tri herë dhe “mashtrim”.
Nertil Lilo, qytetar, akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Qamil Doka, qytetar, akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Andrea Çollari, qytetar, akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Vlorë, gjendet një Fuoristradë 150 metra nga bregu
Një automjet tip Fuoristradë është gjetur mëngjesin e sotëm në ujërat e bregut të Vlorës.
Sipas policisë lokale, mjeti është gjetur në zonën e quajtur “Plazhi i Vjetër”, rreth 150-200 metra nga bregu, në sipërfaqen e ujit.
Nga hetimet paraprake mësohet se nuk ka viktima në njerëz, ndërsa po punohet për të nxjerrë mjetin nga uji.
Hetimet kanë nisur për të zbuluar pronësinë e mjetit, targën e tij dhe detake të tjera./TCH
Përgjimet e reja të celulës xhihadiste: Do shkoj tek Lavdërimi, ai është shpirti i Sharias
Publikohet përgjimet e 3 shtetasve kosovarë dhe njëri maqedonas të arrestuar dje gjatë operacionit “Van Dam”, të kryer njëkohësisht në Kosovë dhe Itali.
Në një prej bisedave të kryera në inbox, njëri nga personat e arrestuar thotë: “Do të shkoj tek Lavdërimi nëse Allahu do. Jam i trishtuar pasi shoh se është shumë keq dhe Allahu e mbron sepse ai është shpirti i Sharias. Allahu është i madh”.
Biseda e përgjuar nga Policia italiane në internet
-Do të shkoj te Lavdrimi nesër (Muhaxheri) nëse Allahu do, pasi jam i trishtuar e e shoh se ai ndjehet keq e Allah ta mbroj se Ai është shpirti i Sheriatit.
– Allahu është i Madh.
– Bëji të fala nga unë, mos harro.
– Do t’i bëj vëlla, të fala ke dhe ti..
-Se Allahu do e ti je i mirë vetëm për në front, hajde këtu për Bajram e të shkojmë në parajsë, do të kënaqemi vëlla, hajde nëse Allahu do.
Biseda tjetër online pas sulmeve në Francë.
-Zoti shkatërroftë Francën o Zot, që deri dje avionët e saj kanë lëshuar mbi Siri karamele…
-Allahu është i madh, se Zoti do nesër 1500 të tjerë…
Izet Haxhia i gëzohet arrestimit të Giut dhe një rast me Gjin Gjonin
Sapo lexova diku ne nje gazete lajmin per arresitimin e prokurorit Haxhi Giu per korrupsin e marrje rryshfeti..Nuk me vjen mire duke u nisur nga ana njerzore qe asnje njeri te perfundoje ne burg e aq me teper kur njerzit jane te pafajshem.Por ne rastin e ketij prokurori te plepave puna qendron ndryshe..Ky person perben modelin e gjygjtarit dhe prokurorit te pas viteve 92 qe u zune vendin prokuroreve dhe gjykateseve e hetuesve te komunizmit.Njerez medioker qe vetem me gjashte muaj kurs arriten te behen prokurore dhe gjygjtare me komanden e partise dhe te shokut sali,per tu sherbyer me devotshmeri atehere kur i duhej partise.Dhe ky model gjygjtaresh dhe prokuroresh kane 23 vite qe mbaj peng vendosjen e drejtesise ne shqipri ,qe u sherbejne me perulesi e devotshmeri te neveritshme atyre qe shkojne e vijne ne pushtet ,qe denojne njerez te pafajshem e lene te lire kriminele ,perdhunues e çdo lloj soj e sorollopi te atyre qe bejne krime por qe jane te lidhur me politiken e kane te pagujne per xhepat e ketyre dallkaukeve te majmur me paret e korrupsionit dhe krimit..Me ka ndodhur qe ne marsin e trazuar te 97 disa prej tyre te me kerkojne ndihme per ti shpetuar nga kriminelet e ikur nga burgu qe u kerkonin atyre paret qe u kishin dhene kur ishin ne paraburgim per ti liruar apo dhene denime te lehta por ishim mashtruar nga keta gjygjtare e prokurore te korruptuar..mund ty permend disa emra te tyre,Gjin GJONİ pasi kishte marre 30miljon leke nga nje i denuar per vrasje per ti ulur denim ne 10 vjet burg nje te denuari per vrasje.,Agim Bendo,,,Arben Qeleshja.etj..E permenda kete emer te ketij prokurori te korruptuar Haxhi Giut se ky ka qene drejtuesi i grupit te prokuroreve qe ka hetuar çeshtjen Hajdari ku une dhe vllezrit e mij jemi denuar ne menyre te padrejte,ku akoma vellai i madh vazhdon te kryeje nje denim prej 15 vitesh ne menyre te padrejte..Ka qene devotshmeria ndaj partise dhe nxjerrsit ne prite te Hajdarit,,qe eshte Berisha ,qe beri kete prokuror te*ndershem* te na denonte neve per nje krim qe nuk e kishim bere..Ky prokuror ne kohen e gjygjit ndaj nesh nje dite shkonte ne zyrat e pd. dhe diten tjeter ne zyrat e shikut..Por drejtesia apo zoti vonon por nuk harron..Shpresoj qe fatin e ketij Giut ta kene te gjithe ata prokurore e gjygjtare qe kane vjedhur e jane ushqyer e majmur me parat e krimit..Dhe pas tyre le te vijne politikanet e te gjitha kraheve qekane vjedhur,korruptuar kane vrare e shkaterruar kete vend e qe nuk jane te paket, dhe tu bejne shoqeri ne dhomat e burgut njeri tjetrit ,sepse keta nuk bejne dot pa njeri tjetrin..