Në opinionin publik ka shkaktuar shumë zemërim fakti që edhe Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 35 vite burg për Kostandin Xhuvanin, i akuzuar për vrasjen e katër personave më 4 nëntor të vitit të shkuar.
Xhuvani pranoi gjykimin e shkurtuar dhe përfitoi uljen e dënimit për akuzën e vrasjes së Enea Xhajit, Edison Jahos, Arbër Demirajt dhe italianit Xhanpaolo Azolo.
Gjykata e Apelit thotë se prokuroria doli kundër dosjes që bëri vetë.
Për më tepër, Xhuvani pranoi të gjitha aktet e prokurorisë.
Por cili është problemi më i madh?
Sipas Gjykatës së Apelit, dosja e prokurorisë nuk është e plotë pasi nuk dalin të qarta motivet e krimit të kryer nga Xhuvani dhe dinamika e vrasjes së Arbër Demirajt.
“Barra e provës rëndon mbi organin e akuzës dhe prokurori duhej të provonte jashtë çdo dyshimi se Kostandin Xhuvani e ka kryer veprën penale dhe të provojë motivet e saj,” thuhet në vendimin e Apelit.