Arrestimi i drejtorit të Hipotekës në Lushnje ka zgjuar shumë debat online. Veçanërisht po komentohet mosha e tij- 29 vjeç, koha e shkurtër në detyrë- 7 muaj, dhe shuma e marrë si ryshfet: 3 mijë euro. Mbi të gjitha rrjeti po zien për faktin se ai është drejtor i emëruar nga LSI. Si është historia e Elvis Bajazitit
Korrupsioni i zyrtarëve të lartë shtetërorë, veçanërisht në Hipoteka nuk njeh fund.
Drejtori i Hipotekës së Lushnjës, Elvis Bajaziti dhe shoferi i tij, Aurel Tiranishti u arrestuan nga policia lokale me akuzën e korrupsionit. Ndalimi i dy personave u krye në kushtet e flagrancës, duke i marrë 3000 euro shtetasit me iniciale D.B, nga qyteti i Lushnjes.
“Elvis Bajaziti, 29 vjeç, banues në lagjen ‘Kongresi’, dhe Aurel Tiranishti, 35 vjeç, banues në lagjen “Gafur Muço” të Lushnjes, u kapën në flagrancë nga efektivët e Sektorit për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në lokalin e D.B, teksa i merrnin atij shumën e parave. Shoferi, Aurel Tiranishti kishte rolin e sekserit në paratë që u merrnin qytetarëve”.
Kështu thuhet në njoftimin e policisë në lidhje me këtë ngjarje. Krejt të befasuar u ndjenë drejtori dhe shoferi i tij sekser kur mbërritën forcat e policisë, pasi në ato momente ishin në “gëzimin” e përfitimit të kësaj shume të majme.
Tashmë ata janë dërguar në dhomat e paraburgimit në pritje të vendimit të gjykatës që do të merret për zyrtarin e lartë të hipotekave dhe të shoferit të tij. Ndërsa menjëherë pas arrestimit, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço urdhëroi shkarkimin e Bajazitit, duke mbështetur edhe prokurorinë dhe policinë.
Arrestimi
Drejtori i Hipotekës së Lushnjes kishte rreth dy muaj që mbahej nën survejim, pasi prokuroria mori të dhëna të mjaftueshme se ishte i dyshuar për çështje korruptive.
Për këtë qëllim për të u aplikuan metoda speciale të hetimit, ku ndër më kryesoret ishte mbajtja nën përgjim e telefonit dhe adresës elektronike. Ndërsa mësohet gjithashtu se ndërsa procesi penal ishte hapur për Hipotekën e Lushnjes, qytetarë të ndryshëm ankoheshin si për vonesa në marrjen e shërbimeve, ashtu edhe për korrupsion të hapur në shkëmbim të marrjes së certifikatave të pronësisë apo të dokumenteve të tjera.
Për këtë qëllim është gjetur edhe momenti i specifikimit të hetimeve ku është ndjekur çështja e shtetasit D.B. Ai kishte aplikuar për një certifikatë pronësie, por në mënyrë të drejtpërdrejtë i ishin kërkuar 3000 euro nën dorë për t’u pajisur me dokumentin e kërkuar. Qytetari D.B, fillimisht kontaktet i ka mbajtur me shoferin Tiranishti dhe më pas drejtori 29-vjeçar paraqitet vetë pranë lokalit ku do merreshin 3000 euro.
Teksa ndodheshin të tre në një tavolinë të lokalit ndërhyri policia, që i arrestoi në kushtet e flagrancës, pasi po numëroheshin eurot e premtuara për certifikatën e pronësisë. Tashmë ata do të përballen me akuzën e “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë”, e kryer në bashkëpunim. Pavarësisht pretendimeve të të ndaluarve, duket se prokuroria e ka dosjen të kompletuar, pasi flitet për disa përgjime dhe të dhëna të tjera që tregojnë implikimin e kreut të Hipotekës së Lushnjes në këtë aferë.
Reagimi
Menjëherë pasi në pranga përfunduan Elvis Bajaziti dhe shoferi i tij, Aurel Tiranishti, reagoi edhe Ministria e Drejtësisë. Në një prononcim në lidhje me këtë ngjarje, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dënoi rastin dhe doli në mbështetje të institucioneve shtetërore ligjzbatuese.
“Jemi të vendosur të luftojmë korrupsionin në çdo qelizë të administratës publike. Inkurajojmë organet ligjzbatuese dhe i mbështesim ato në goditjen ë këtyre fenomeneve që shfaqen në institucionet e shërbimit publik”. Gjithashtu, ministri kërkoi që qytetarët të mos hezitojnë për të denoncuar në çdo rast të tentativës së mitmarrjes në hipotekat e vendit. Tashmë pritet që në Lushnjë të emërohet një tjetër person.
Megjithatë, rasti i arrestimit edhe i zyrtarëve të tjerë në lidhje me çështjen e korrupsionit në Lushnjë ka sjellë reagime të ndryshme, pasi edhe ish-drejtoresha e Arsimit të Lushnjes, Liza Tabaku ishte propozuar po nga forca politike LSI. Që në reagimet e mëparshme për çështje të ndryshme korruptive është shprehur zyrtarisht se distancohet nga çdo individ zyrtar shtetëror që shkel ligjin.