Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Skandali në gjykatë, ja si u lirua babai vrasës

$
0
0

hysen bibaGjykata e Tiranës pas vetëm 3 vitesh burg dhe mbyllje në psikiatri liroi Hysen Bibën, personi që hodhi nga dritarja e maternitetit foshnjën e tij të sapolindur. Ja si u “bind” treshja gjyqësore që i dha lirinë dhe raporti mjekësor nga psikiatri. Gjykata cakton si kujdestare të Bibës bashkëshorten e tij, gruan që pa tmerrin me sy.

 

Nëse reforma në drejtësi do të nisë me synim për të mos lejuar kryesisht gjyqtarët të marrin vendime skandaloze dhe problematike për shoqërinë, me siguri do kenë mjaftueshëm raste për t’u parë. Një tjetër skandal ka ndodhur me Gjykatën e Rrethit Tiranë, ku një treshe gjyqësore ka lënë të lirë babain vrasës, personin që tre vjet më parë hodhi nga kati i katërt i dritares së maternitetit foshnjën e tij të sapolindur, që vdiq po aty, në sheshin e maternitetit “Koço Glozheni” në Tiranë.

Ky krim i rëndë u shoqërua me reagime të shumta, por sot Hysen Biba është një njeri i lirë, një burrë që duhet të shkojë në shtëpi dhe nën kujdesin e bashkëshortes, (që ende vuan pasojat e humbjes së fëmijës) të shkojë në qendra ambulatore të shëndetit mendor.

Vendimi që ngjan më se skandaloz për lirimin e tij, është marrë nga Gjykata e Tiranës, ku treshja gjyqësore përbëhej nga kryetari Altin Abdiu dhe anëtarët Bujar Krasniqi dhe Kreshnik Omari. Si argument gjykata ka parë raportet psikike mjeko-ligjore të specialistëve. Sipas mjekëve, thuhet se pas trajtimit spitalor psikiatrik, ai ka shëndet të mirë dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Krejt i çuditshëm ngjan ky vendim që tashmë ka lënë të lirë 38-vjeçarin e dënuar më parë me mbyllje në psikiatri, pasi hodhi nga kati i katërt i maternitetit foshnjën djalë të sapolindur. Treshja gjyqësore është “bindur” mjaftueshëm duke e bazuar vendimin e lirimit të 38-vjeçarit Biba në përgjigjet shkurt të mjekut psikiatër.

Cila është gjendja aktuale psikike e shtetasit Hysen Biba dhe nëse ky shtetas vuan nga ndonjë sëmundje psikike, çfarë mase mjekësore rekomandohet? Kjo ishte pyetja e treshes gjyqësore, ndërsa eksperti mjekësor me profesion psikiatër, por që në vendimin e gjykatës nuk del me emër, u përgjigjet se “gjendja aktuale psikike e shtetasit Hysen Biba është përmirësuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore për shkak të sëmundjes, theksoj vuan nga çrregullimi deluzional. Mënyra më e mirë e kurimit të shtetasit Hysen Biba është ajo e kurimit të detyruar ambulator, te Qendra Kombëtare e Shëndetit mendor nën kujdesin e një të afërmi”.

Kaq mjaftoi që gjykata ta largojë nga psikiatria babain vrasës dhe dërgojë drejt e në shtëpi, madje duke “detyruar’ bashkëshorten e tij që të kujdeset për të. Pikërisht këtë grua që tre vjet më parë pa tmerrin me sy, teksa bashkëshorti Hysen Biba i rrëmbeu foshnjën nga gjiri dhe e hodhi nga dritarja, duke e vrarë në vend.

“Marrëdhëniet me Hysenin, i kemi të mirë, ai reagon mirë, e takoj shpesh te spitali i burgut. Unë aktualisht jetoj në banesën e tij së bashku me mamanë dhe vëllanë e tij, kam një fëmijë tjetër me të, i cili është i moshës 5 vjeç. Marr përsipër të kujdesem për mjekimin ambulator të tij”.

Kështu thotë bashkëshortja Lulja, e cila tashmë edhe për çështje mentaliteti vijon ta trajtojë si burrë. Drejtësia kështu ka vepruar, i dha lirinë 38-vjeçarit që vrau foshnjën e tij të sapolindur.

Ngjarja makabre ndodhi mbrëmjen e 30 qershorit 2012. Ulërimat e nënës së fëmijës alarmuan stafin dhe personat e tjerë që ndodheshin afër. Teksa u futën në dhomë ata panë nënën e re që qante, ndërsa i qetë qëndronte 38-vjeçari Biba, që ende belbëzonte: “E hodha, nuk ishte fëmija im”.

Menjëherë u lajmërua policia, që arrestoi 38-vjeçarin Hysen Biba dhe pasi u mor në pyetje, ai shfaqte çrregullime mendore dhe shpesh ishte konfuz në deklarime. Ai pretendonte se gruaja mund ta kishte tradhtuar, se nuk ishte fëmija i tij, dhe për këtë arsye e kishte marrë të sapolindurin dhe hedhur nga dritarja e maternitetit. Gjykata vetëm një vit më vonë urdhëroi mbylljen dhe trajtimin në psikiatri.

Mirëpo vendimi i dy ditëve më parë për ta lënë të lirë ka hapur një tjetër kapitull, tashmë Biba konsiderohet si i rehabilituar, por në vend që të dënohej për veprën penale të kryer, është lënë i lirë nga gjykata për t’u trajtuar me shërbim ambulator në qendra të trajtimit mendor.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Trending Articles