Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë vijuar operacionin “Bluzat e bardha” për pastrimin e rivierës shqiptare, për sezonin turistik veror.
Vetëm në ditët e para të këtij operacioni, FA kanë bërë të mundur heqjen e dhjetëra tonë mbeturinash nga akset rrugore të pjesës më të bukur të bregdetit shqiptar.
Të ndarë në dy task – forca, rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë po pastrojnë akset rrugore përgjatë rivierës, që nga Vlora deri në Butrint.
Task – forca e parë e përbërë nga rreth 200 efektivë të Shkollës së Trupës në Bunavi, Forcës Detare dhe asaj Ajrore, po pastrojnë segmentin rrugor nga Vlora deri në Llogora, përfshirë plazhin e Orikumit.
Aksi rrugor nga Palasa deri në Butrint, por edhe rrugët dytësore që të çojnë në bregdet, po pastrohen nga task – forca e dytë e përbërë nga 300 efektivë të batalionit Komando, batalionit të parë të këmbësorisë në Zall-Herr dhe batalionit të tretë të këmbësorisë në Poshnje, Berat.
Gjithashtu efektivët e angazhuar në këtë operacion mbështeten nga mbi 65 mjete të rënda të FA që ndihmojnë në pastrimin e masivëve të mbeturinave dhe transportin e tyre nëpër vendgrumbullimet.
Ky aksion i ushtrisë shqiptare nxjerr në pah dështimin e të të gjitha bashkive të Jugut të vendit, kryesisht ato të Vlorës, Sarandës dhe të Himarës me menaxhimin e plehrave.
Është detyrim i këtyre bashkive që të marrin të gjitha masat e nevojshme jo vetëm për vendosjen e koshave të plehrave në çdo fshat dhe pranë çdo zone ku veprojnë biznese, por gjithashtu edhe që të kryejnë zhvendosjen e mbetjeve me mjetet e tyre si dhe të ndëshkojnë kundravajtësit dhe të sensibilizojnë qytetarët mbi rëndësinë e mbajtjes pastër të mjedisit.