Prangoset nga policia mëngjesin e djeshëm në Halkidiki Klodi Lesi, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes Lela Mavromatis dhe rrëmbimit të djalit 4-vjeçar. I mituri qëndronte në krahët e të atit kur mbërriti policia. Rrëfimi i gjyshit për gjendjen e 4-vjeçarit dhe deklarata e Lesit në polici. Historia tragjike e çiftit shqiptaro-grek, që tronditi opinionin në dy shtete
“Dorëzohem, mos qëlloni”.
Këto ishin fjalët e para të Klodi Lesit, shqiptari i akuzuar se 17 ditë më parë vrau me thikë bashkëshorten greke Lela Mavromatis dhe më pas mori edhe djalin e tyre 4-vjeçar dhe u arratis. Por ikja për Lesin nuk ka zgjatur më shumë.
Ditën e djeshme ai është arrestuar nga policia greke pranë fshatit Ormylia, afër zonës së Halkidikisë, aty ku edhe çifti jetonte përpara se të ndodhte ngjarja e rëndë. Sipas mediave greke, 34-vjeçari është gjetur në befasi i strukur në një kasolle për t’u mbrojtur si nga moti i keq, ashtu edhe nga policia.
Ishte telefonata e një të moshuari në këtë zonë që ka njoftuar policinë, i cili dyshonte se bëhej fjalë për Klodi Lesin; gjithashtu telefonuesi ka komunikuar se burri që ngjasonte me të kërkuarin sapo ishte takuar me dy persona të tjerë, që ishin shqiptarë.
Kaq ka mjaftuar që drejt fshatit të niseshin forca të shumta policie dhe pas një aksioni të beftë kryen arrestimin e të riut.
Pranë ka pasur të birin dhe ndonëse akuzohet për krimin e rëndë të masakrimit të bashkëshortes me thikë në sy të dy djemve të mitur, ishte mjaft i tronditur.
Mësohet se edhe pas shoqërimit në stacionin policor është shfaqur mjaft i tronditur.
Sipas portalit grek “news.gr”, 34-vjeçari shqiptar ka shfaqur pendesë para prokurorëve të çështjes.
“Ajo që bëra ishte e tmerrshme, nuk duhet ta kisha bërë. Jeta ime ka marrë fund, nuk dua më të jetoj. Shkatërrova fëmijët e mi”, – mësohet të jetë shprehur Lesi.
Ai është nën mbikëqyrje të vazhdueshme, pasi burimet policore shprehen se gjendja psikologjike duket e rënduar dhe mund të tentojë edhe vetëvrasjen.
Prej disa vitesh Lesi jetonte në Greqi dhe aty u njoh me shtetasen greke Lela Mavromatis, që më pas u bë bashkëshortja e tij, gjashtë vjet më e madhe, por kjo nuk u kthye në pengesë për t’u kurorëzuar me martesë.
Sollën në jetë dy djem, 6 dhe 4 vjeç aktualisht, por harmonia mes Lesit dhe Mavromatis nuk ekzistonte më pas pak vitesh në çift. Media greke raportojnë se kohët e fundit ishin në prag divorci, ndërsa më datë 6 janar të këtij viti ndodhi ngjarja e rëndë.
Brenda në banesë, pas një zënke me bashkëshorten, dyshohet se e qëlloi atë disa herë me thikë në sy të dy fëmijëve dhe pasi e la të pajetë, mori djalin 4-vjeçar në krahë dhe u largua.
Në momentin e arrestimit të Lesit, i mitur vetëm katër vjeç ishte i veshur trashë dhe keq, i pangrënë dhe mjaft i shokuar, teksa qëndronte në krahët e babait të tij, pa qenë në gjendje të kuptonte se ishte vrasësi i nënës.
Kjo ka qenë situata e vogëlushit 4-vjeçar pas arrestimit të Lesit, ndërsa tashmë ndodhet nën kujdesin e gjyshërve të tij. Pas prangosjes së Klodi Lesit, ka folur për mediat vjehrri i tij, Heralambos Mavromatis. Ai tha për mediat greke se gjendja e fëmijës ishte e rënduar.
“Djali ishte i paushqyer. Ishte dobësuar shumë dhe ishte i tronditur. Më erdhi shumë keq nga ajo që pashë. Ai nisi të qante sapo më pa mua, por kur takoi vëllanë, pushoi së qari. Nuk e di se me çfarë është ushqyer, por gjendja e tij ishte mjaft e keqe. Rrobat i kishte të grisura dhe të sajuara. do t’i duhet shumë kohë sa të marrë veten”, – deklaroi ai.
Edhe për familjen e Lesit në Lezhë situata ka qenë mjaft e rëndë në dy javët e fundit, qëkur u informuan se djali i tyre kishte vrarë bashkëshorten dhe më pas rrëmbeu edhe të birin për t’u arratisur.
Nëna dhe familjarët e Lesit ende nuk e besonin se djali i tyre që kishte ikur në emigracion që 14 vjeç të kishte kryer këtë krim të rëndë dhe për më tepër që pas ngjarjes të merrte edhe të birin e mitur me vete.
“E dinim që jetonte me një greke, por nuk i kemi thënë gjë se ai ka jetën e tij. I bëj thirrje që të dorëzohet në polici menjëherë dhe të mos e torturojë djalin e vogël”, – është shprehur më herët nëna e Lesit.
Tashmë tentativa për t’u arratisur ka përfunduar për 34-vjeçarin, mbi të cilën rëndon akuza e rëndë e “vrasjes me dashje”.