Ende pa varrosur të atin e vrarë, policia e arreston në banesë teksa priste njerëzit për ngushëllim, pasi u kap me armë pa leje dhe një sasi të vogël droge.
Policia e Vlorës arrestoi dje Olsi Nexhipin, 24 vjeç, për akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
“Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e këtij shtetasi në lagjen ‘Kushtrimi’, shërbimet e policisë, në një nga dhomat e kësaj banese kanë gjetur të fshehur një armë zjarri pistoletë e llojit ‘Beretta’, 11 fishekë të kalibrit 9 mm,115 gr lëndë narkotike, të llojit kanabis-sativa”, shprehen burimet zyrtare të policisë.
Dy ditë më parë, Olsi Nexhipit iu vra i ati, Hiqmeti, teksa udhëtonte me automjet në dalje të qytetit të Vlorës. Persona ende të paidentifikuar e qëlluan disa herë me automatik “Kallashnikov”.
Për policinë ka disa pista hetime, pasi mund të dyshohet edhe për ndonjë hakmarrje të mundshme, për shkak se 52-vjeçari ishte dënuar më parë në Itali me tre vjet burg për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
E përditshmja Panorama shkruan se edhe djali i tij, Olsi Nexhipi, është i dyshuar për këtë krim.
Ai jetonte me të ëmën, ndërsa babai jetonte vetëm pasi ishin divorcuar.
Hiqmet Nexhipi ishte pronar i një anije peshkimi, por strukturat e rendit dyshojnë se nga të dhënat e para nuk bëhet fjalë për ndonjë krim për shkak të konkurrencës, por mund të lidhet me të shkuarën e tij mbi trafikun e prostitucionit.
Ndërkohë Panorama shkruan se ka dyshime se Nexhipi është përfshirë në trafiqe, pasi anija e tij shpeshherë merrte naftë në det të hapur nga anijet e huaja.
Ka dyshime se mund të kryheshin edhe trafiqe të tjera.