Mario Bici ka filmuar fqinjën e tij punonjëse policie teksa ishte në dush dhe më pas i ka kërkuar 500 euro për të mos publikuar videon. I arrestuari ka pranuar akuzën dhe tashmë rrezikon një dënim prej 3 vitesh burg.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin me 3 vjet burgim për të pandehurin Mario Bici, 22 vjeç, i akuzuar se nëpërmjet kanosjes, i ka kërkuar 500 euro një punonjëseje policie në Elbasan, në këmbim të mospublikimit në internet të një videoje.
Sipas prokurorisë, në këtë video kallëzuesja ishte filmuar nga i pandehur teksa ishte duke bërë dush në shtëpinë e saj. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 24 gusht 2015, kur shtetasja R.L po bënte dush në tualetin e shtëpisë së saj njëkatëshe në Elbasan.
Gjatë kohës që ishte në dush, ka dëgjuar zhurmë në dritaren e tualetit dhe ka parë një djalë të ri që po e filmonte. Ajo i ka thirrur dhe djali është larguar.
Duke qenë se kallëzuesja ka qenë e zhveshur, nuk ka mundur të ndjekë djalin, i cili ka kaluar murin e oborrit dhe është larguar me vrap.
Dy ditë më pas, mëngjesin e datës 26.08.2015, në derën e shtëpisë së saj ka gjetur një letër anonime, në të cilën shkruhej se “duhej të linte 500 euro pranë koshit të mbeturinave të zonës, në orën 22:00 të mbrëmjes së asaj dite, pasi në të kundërt pamjet e saj nudo në dush do të bëheshin publike në rrjetet sociale dhe në faqe të ndryshme interneti”.
Me të marrë këtë letër, shtetasja R.L. ka bërë kallëzim pranë kolegëve të saj në policinë vendore të Elbasanit. Pas kallëzimit të saj në policinë vendore, oficerja e policisë R.L u autorizua për të kryer veprime simuluese “dorëzim i kontrolluar i një zarfi’’ në vendin e paracaktuar nga letërshkruesi, duke u mbikëqyrur ky veprim nga forcat e policisë.
Oficerët e policisë gjyqësore printuan nga internet 5 kartëmonedha 100 euro me numër serial dhe i futën në një zarf, të cilin e mori kallëzuesja, dhe para orës 22 të datës 26.08.2015, ajo me automjet shkoi tek koshi i mbeturinave, ku e kishte orientuar të hidhte zarfin letërshkruesi.
Sapo ajo u largua, një person u afrua tek koshi i mbeturinave, mori zarfin, e futi në xhep dhe u largua.
Ai u ndoq nga forcat e policisë që vëzhgonin veprimet në terren, dhe u kap në largim e sipër me vrap.
Ai u identifikua si shtetasi Mario Bici, banues në Elbasan, ndërsa në xhep kishte zarfin e sapomarrë dhe një telefon tip “Nokia”, ku u gjendën fotot e kallëzueses e zhveshur.
Gjatë marrjes në pyetje, i pandehuri Mario Bici pranoi autorësinë e kryerjes së këtij veprimi të kundërligjshëm.
Ai ka rrëfyer për prokurorinë të gjitha veprimet që ka kryer, nga filmimi i punonjëses së policisë në dushin e banesës së saj e deri tek marrja e parave në koshin e plehrave.
Tashmë 22-vjeçari rrezikon dënimin me 3 vjet burgim për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.