Baftjar Nelaj akuzohet nga policia se ka abuzuar me punën e tij, duke sekuestruar prona të qytetarëve pa pasur një vendim gjykate
Njeriu që është ngarkuar të ekzekutojë vendimin e gjykatës kundër ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është arrestuar dje nga Policia e Tiranës. Policia njoftoi se ka arrestuar pasditen e së martës me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” përmbaruesin privat Baftjar Nelaj, një emër jo pak i njohur për blutë e kryeqytetit, pasi është shoqëruar disa herë në polici për incidente të ndryshme, kryesisht gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, mësohet se Nelaj është ndaluar për faktin se gjatë ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Tiranës, ku ishin të përfshirë dy persona në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ka bërë bllokimin e pronave dhe të 3 personave të tjerë, prona të cilat nuk ishin objekt i këtij vendimi gjyqësor.
“Ndalimi i këtij shtetasi është bërë për faktin se me veprimet për ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për të cilën Gjykata ka lëshuar Urdhër Ekzekutimi me kreditor shtetasin B.M dhe debitor P.M, përmbaruesi, në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e gjykatës, ka bërë bllokim pranë ZVRPP-së për pronat e shtetasve SH.M, A.D dhe B.J, prona të cilat nuk ishin objekt i këtij vendimi gjyqësor”, thuhet në njoftimin që policia ka shpërndarë për arrestimin e Nelajt.
Policia thotë se e ka dokumentuar plotësisht këtë ngjarje dhe në cilësinë e provës materiale është administruar i gjithë dokumentacioni përkatës, si dhe dosja përmbarimore në zyrën e Baftjar Nelajt. “Specialistët e Sektorit për Korrupsionin ndaluan një shtetas me detyrë Përmbarues privat për veprën penale “shpërdorim detyre”, thotë policia. Sipas saj, në cilësinë e provës materiale është administruar pranë ZVRPP-së Tiranë i gjithë dokumentacioni përkatës në lidhje me pronat e bllokuara, sipas tyre padrejtësisht.
Në zyrën e Nelajt thonë se akuza e policisë është e rreme dhe se arrestimi i tij ishte i paligjshëm. Lapsi.al, që thotë se ka komunikuar me këtë zyrë, njofton se çështja për të cilën policia pretendon se ka ndaluar Nelajn është një çështje që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës dhe vetëm kjo e fundit ka tagër të urdhërojë ndalimin apo arrestimin e tij. Prokuroria pohoi për “Mapo” se nuk ka lëshuar asnjë urdhër arresti, por ata thanë se prisnin dosjen e policisë për të vlerësuar nëse arrestimi ishte i ligjshëm apo jo, ashtu si në raste të ngjashme të kësaj natyre.
Ndërkohë nuk kanë munguar aludimet se arrestimi i Nelajt ishte i lidhur me faktin që ai ishte ekzekutuesi i çështjes së fëmijëve të ish-kryeministrit Sali Berisha kundër ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Pas vendimit të gjykatës, Tahiri i detyrohet një shifër të majme dëmshpërblimi deputetes së PD-së, Albana Vokshi, dhe Shkëlzen e Argita Berishës. Madje kjo çështje u përmend edhe në akuzat e opozitës ndaj këtij të fundit për shitjen e një makine.