Stambolli digjet por… Çako e Çipa i fusin një selfie burokratike nga helikopteri i RENEA-s. Rasti më i fundit i bllokimit të një sasie rekord hashashi në Kurvelesh prej më shumë se 3 tonësh ka prodhuar edhe një situatë anakronike të abuzimit me asetet e Policisë së Shtetit.
Një ditë më parë burime zyrtare të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, bënë të ditur, se si rezultat i Operacionit të koduar, “Llufa”, i realizuar nga Sektori Kundër Narkotikëve në këtë drejtori, janë sekuestruar mbi 1 ton drogë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako dhe Drejtori i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda, Ardian Çipa, kanë udhëtuar drejt Gjirokastrës për të zhvilluar takime me krerët e policisë lokale pas këtij operacioni gjysëm të suksesshëm.
Themi gjysëm të suksesshëm, pasi policia që kishte të gjithë informacionin për ekzistencën e një bazë të grumbullimit të lëndës narkotike, organizoi aksionin e megjithatë nuk arriti të arrestonte poseduesit e kësaj lënde narkotike.
Dhe si të mos mjaftonte kjo, për t’u njohur me këtë operacion të policisë së Gjirokastrës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, bashkë Drejtorin e Përgjithshëm për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda, Ardian Çipa, kanë preferuar që të udhëtojnë drejt Gjirokastrës jo me fuoristradat e tyre luksoze me fenelina, por me helikopterin që përdoret për transportin e forcave “RENEA” në raste të operacioneve të menjëhershme larg Tiranës.
Me shumë gjasë, ndërsa Çako e Çipa fluturonin në ajër, poseduesit e 5 milionë eurove të hashashit të Kurveleshit u kalonin poshtë këmbëve të lirë.
Si të mos mjaftonte kjo, Çako e Çipa i kanë lejuar vetes edhe nja dy “selfie” në ajër, ndërsa policia e Gjirokastrës dërrmohej gërxheve të Kurveleshit në kërkim të autorëve të cilët edhe njëherë iu ikën “në drejtim të paditur”.
Nuk dihet se ç’farë nxitimi kishin Çako e Çipa, për të mbërritur sa më parë në Gjirokastrës me helicopter, ndërsa policët e tyre lokalë me aq sa mundën e kishin përfunduar operacionin për bllokimin e një sasie rekord hashashi.