Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Drogë shumë, autorë nuk ka

$
0
0

kanabisKapet në Malësinë e Kurveleshit 3.2 ton kanabis në një stan të braktisur. Krerët e Policisë së Shtetit fluturojnë me helikopter nga Tirana për të ndarë suksesin. Trafikantët dhe prodhuesit e mëdhenj të marijuanës mbesin të lirë, drogë e madhe e asgjësuar dhe shumë pak autorë të proceduar.

Nga Sebi Alla

Tre ton drogë nuk do të tymoset nga përdoruesit fatkeq, por u dogj në një luginë nga ana e policisë. Operacioni i zhvilluar në Malësinë e Kurveleshit solli dje bllokimin e rreth 3.2 ton kanabis në fshatin Llufë, pranë një stani të braktisur. Policia kapi kanabisin, por poseduesit e saj, madje edhe rojet e lëndës narkotike mundën që të largoheshin, duke humbur mall, por dolën mirë, pasi shpëtuan kokën. Operacione të tilla kanë meritë gjysmake dhe pavarësisht pompozitetit të fryrë, që suksesit t’i japin shkëlqim më shumë nga ç’është, sërish del problemi kryesor, ai i mosarrestimit të kokave të mëdha të trafikut. Zotëruesit e kanabisit në shumë raste kanë mundur të largohen, ose nuk janë as në listën e të dyshuarve dhe vijon në aktivitetin e tyre normal në të tjera biznese. A ka të zot ky kanabis? Çdo bimë e shembur dhe e djegur e ka pronarin e saj, por forma për të shkuar deri në arrestimin e trafikantëve dhe kultivuesve nuk ka pasur rezultatet e duhura. Sipas specialistëve të policisë, nuk mund të jetë vetëm një dorë, por grupe të organizuara që kultivojnë dhe më pas trafikojnë hashashin. Megjithëse janë asgjësuar mbi 700 mijë bimë narkotike, numri i të arrestuarve është shumë i vogël dhe përbri dosjeve që shënojnë bimët e djegura, policia shkruan edhe “pa autor”. Nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, sepse mos arrestimi apo procedimi penal ndaj trafikantëve të mëdhenj është nga problemet më kryesore në luftën kundër drogës. I ngjashëm ishte edhe aksioni i djeshëm me tre ton drogë të kapur, por ende asnjë të arrestuar.

Për të mësuar nga afër rreth operacionit në malet e krahinës së Kurveleshit, por edhe marrë ca merita në sukses, ishte i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe zëvendësi i tij, Ardian Çipa. Zbritja me helikopter dhe shkrehja e fotove tregonin “stampimin” e gëzimit për këtë rast. Është aksion i rëndësishëm jo vetëm nga sasia e madhe e lëndës narkotike të bllokuar, por edhe një mënyrë për t’i treguar opozitës se nuk bëhen dallime krahinore në luftën kundër drogës, sepse ndërhyhet në Vlorë, Tepelenë apo Gjirokastër. Në aksionin e zhvilluar në fshatin Llufë, morën pjesë disa efektive policie të mbështetur edhe nga forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Shpejt u zbulua një ton kanabis e presuar dhe e vendosur në ambiente të hapura për tu tharë dhe më pas do të tregtohej. Zotëruesit e drogës sapo pikasën efektivët e rendit u larguan, duke mos lënë asnjë gjurmë pas. Sipas burimeve zyrtare, ata përfituan nga terreni i thyer dhe njohja e mirë e zonës. Lajmi i kapjes së mbi 1 ton kanabis mbërriti shpejt edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku nuk u hezitua aspak dhe u urdhërua ngritja në ajër e helikopterit për të qenë sa më shpejt në vendin e “gostisë” së kanabisit. Për drejtuesit e policisë të tjera surpriza do të vinin në orët në vazhdim. Policia njoftoi pasdite se nga kontrolli më në thellësi të zonës, po në fshatin Llufë u gjetën në katër vende të ndryshme edhe rreth 2.2 ton boçe kanabisi të njoma, të cilat ishin në procesin e fundit të përpunimit, atë të tharjes.

Kapen punëtorët

Të shihje atë sasi të madhe kanabisi të shpërndarë në hapësira të mëdha për tharje, ngjante si një zonë që njihet për industri të madhe “agropërpunuese”. Aty kishin hedhur djersën shumë njerëz, pasi edhe vlera e drogës nëse do të kalonte në treg kap shifra të larta. Sërish edhe këtu droga mbeti pa autor, ndërsa policia mori vetëm pak të dhëna dhe mësohet se u shpallën në kërkim katër të rinj. Sërish edhe ata nuk dyshohet se janë trafikantët e vërtetë të mëdhenj, por punëtorët dhe rojet e kanabisit, dikush më i madh, që gjithnjë shpëton fshihet pas sasive të mëdha të narkotikëve. Një situatë e ngjashme ishte edhe në zonën e Dukagjinit ku strukturat e rendit asgjësuan sasi të madhe të bimëve narkotike, por numri i të ndaluarve ishte krejt i papërfillshëm. Trafikantët paguajnë punëtorë me mëditje që të kultivojnë sasi kanabisi dhe më pas nëse ajo mund të shpëtojë përfitojnë shuma të mëdha, nëse bien në duart e policisë të paktën nuk do të kalojnë muaj apo vite në qeli. Kjo praktikë po ndiqet masivisht në vitet e fundit, pasi nuk merren drejtpërdrejtë me kultivimin e bimëve narkotike, por paguajnë punëtorë dhe ndërkohë trafikantët vijojnë aktivitete të tjera, kryesisht në bare, restorante, në loto sportive apo edhe në fushën e ndërtimeve. Në kohën kur në Lazarat kultivohej masivisht kanabisi, fshati ishte kthyer në një mundësi e madhe punësimi. Furgonët shkonin plot dhe të gjithë e dinin që të paktën tre muaj në Lazarat kishte vend për fuqi punëtore. Një ditë pune shkonte 15-20 mijë lekë të vjetra dhe nganjëherë në “mungesë parash”, një pjesë punëtorësh që binin dakord, paguheshin me hashash. Mjaft interesante ishte edhe puna e grave. Ato ishin “mjeshtre” në ndarjen e bohçeve nga degët e kanabisit, sepse kërkonte punë të gjatë dhe me mjaft përqendrim në ndarjen e bohçeve të hashashit. Kjo bëri që edhe aty të “specializoheshin” gratë që punonin në përpunimin e lëndës narkotike. Ata gjithnjë kërkojnë një punë dhe nga Gjirokastra kanë marrë rrugën drejt Vlorës dhe Tepelenës, pasi pas gjunjëzimit të plotë të kultivuesve në fshatin Lazarat, kultivimi i narkotikëve është përqendruar më shumë në Tepelenë, Vlorë dhe zona të tjera, që më parë nuk figuronin në hartën e zezë të kultivimit të kanabisit.

Hetime përgjysmë

Në fshatra të thella shihet çdo mënyrë për të mbjellë bimë narkotike, për më shumë tashmë që vlera e saj në treg është rritur, edhe si pasojë e vështirësisë për ta siguruar. Policia është përqendruar për të kryer operacione masive të shkuljes së kanabisit dhe jo të gjetjes së trafikantëve dhe kultivuesve të mëdhenj. Puna hetimore e policisë ka ceduar në këtë drejtim, pasi nuk i shkon çështjes së trafikut deri në momentin kur të mbërrijë në duart e trafikantëve, por shpesh mjaftohet vetëm me asgjësim në parcela dhe më pas me djegien e saj, duke bërë “hi” edhe shpresën se do të mbërrijë deri në arrestimin e trafikantëve të mëdhenj. Bashkë me policinë, edhe prokuroria ka probleme të shumta në vijueshmërinë e hetimeve të thelluara. Në rast të kapjes së trafikantëve, dosja shkon në gjykatë vetëm me kërkesën për dënimin e personave të kapur në kushtet e flagrancës. Ndërkohë hetimet ndalojnë pikërisht në gjendjen e momentit të kapjes në flagrancë dhe nuk shkohet më tej për të gjetur burimin e madh të furnizimit me marijuanë. Procesi shkon zinxhir nga kultivimi deri në duart e konsumatorëve, por ata që quhen bosët e mëdhenj dhe të vërtetë të marijuanës, janë jo vetëm të lirë, por edhe persona me emër, pasi kanë aktivitete të ndryshme private në Tiranë dhe zona bregdetare. Gjithsesi, suksesi do të vijojë të jetë i përligjur për strukturat e policisë që janë në terren për asgjësimin e bimëve narkotike, ndërsa kolegët e tyre të antidrogës, apo prokuroria mjaftohet me operacionet që shkojnë deri në bllokimin e disa dozave marijuanë.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128