Në ambientet e Komandës së Forcës Tokësore në Zall-Herr u zhvillua ceremonia e përcjelljes së trupave të kompanisë së parë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, të cilët do të marrin pjesë në stërvitjen shumëkombëshe “Trident Juncture-15”. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, si dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Qëllimi i stërvitjes “Trident Juncture-15” është për të trajnuar dhe testuar Forcën e Reagimit të NATO, një forcë shumëkombëshe e gatishmërisë së lartë dhe teknologjikisht e avancuar e përbërë nga komponentët e forcave tokësore, ajrore, detare dhe forcave speciale. Në këtë stërvitje do të përfshihet një personel prej 36 000 vetësh, më shumë se 60 luftanije dhe rreth 200 avionë nga mëse 30 vende aleate dhe partnere. Stërvitja do të zhvillohet në Itali, Portugali, Spanjë, Oqeanin Atlantik, Detin Mesdhe dhe gjithashtu në Kanada, Norvegji, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë.
Stërvitja “Trident Juncture-15” është stërvitja më e madhe e NATO që nga viti 2002, pas stërvitjes “Strong Resolve 2002” në të cilën morën pjesë rreth 40 000 trupa. Ajo do të demonstrojë nivelin e ri të rritur të ambicies së NATO në luftën moderne dhe do të tregojë një Aleancë të aftë dhe të pajisur me aftësinë dhe kapacitetet e përshtatshme për të përmbushur sfidat e tanishme dhe të ardhshme të sigurisë.
Më tepër se 12 organizata ndërkombëtare, agjenci dhe organizata joqeveritare, të tilla si BE dhe AU, do të marrin pjesë gjithashtu në këtë stërvitje, duke demonstruar përkushtimin dhe kontributin e NATO në një qasje gjithëpërfshirëse. Forcat Tokësore, Ajrore, Detare dhe Forcat Speciale do të marrin pjesë në të njëjtën kohë në vende të ndryshme dhe në shtabe të ndryshme për t’u stërvitur në një mjedis kompleks për të përmirësuar kapacitetet e aftësive të Aleancës për të gjithë spektrin e operacioneve.
Kuptohet se gjithe keto pergatitje te NATO-s behen me nje sy nga Lindja, ku Putini eshte gjithnje e me agresiv dhe ekspansionist.