Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Marsel Qeleshi sfidon shtetin, lëviz i armatosur

$
0
0

marselRrëfimi i adoleshentit pas ngjarjes së 7 tetorit dhe si ka ndryshuar jeta e tij. Rrëfimi për pistoletën në brez, sepse serbët e kanë kërcënuar se do t’i presin kokën në qendër të Beogradit dhe kërkesa për lejen e armës

Andi Qosja

Marsel Qeleshi, i riu rebel i Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, i cili qëlloi me gur autobusin e kombëtares serbe mbrëmjen e 7 tetorit, rrëfen për gazetën “Shekulli”,  se si ka ndryshuar jeta e tij pas incidentit. Ai tregon se lëviz gjatë gjithë kohës i armatosur dhe për këtë arsye ka shkuar në polici për të marr leje për dy armët që disponon pa leje. “Kam marrë kërcënime për jetën e time në Facebook, ku ma kanë thënë se, do ta presim kokën në mes të Beogradit”, shprehet Marseli. Më tej Qeleshi shton se, e ka fituar betejën ligjore ndaj Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, duke hedhur poshtë pretendimin e drejtoreshës Irama Shtini se ka rrahur dhe dhunuar fëmijët e kësaj qendre.

A ndjehesh i rrezikuar tani pas incidentit me serbët?

Po ndjehem i kërcënuar. I kam të gjitha mesazhet që mi kanë dërguar nga Serbia në Fejsbuk dhe në Instagram, ku më thonë se: “do ta presim kokën në qendër të Beogradit”. Madje më kanë shkruar disa serbë se: “Ivan Bogdanov, pra Ivani i Tmerrshëm do të vijë në Shqipëri dhe do më vrasë”. Unë nuk i kam frikë as këtë Ivanin dhe as të gjithë ivanët e Serbisë, sepse unë jam gjithmonë i armatosur dhe po pres nga dita në ditë që të më japë gjykata leje për pistoletën dhe pastaj le të vijë kush të dojë se, nuk kam frikë askënd.

Të duket e drejtë që dole nga burgu dhe “Ballisti”, Ismail Morina mbetet ende në burg?

Këtë nuk e vendos unë, por gjykata. Për mendimin tim është e padrejtë. Ja ku po ta them se edhe unë sot lëviz i armatosur. Ku do që shkoj e kam me vete pistoletën. Si me leje, si pa leje, unë nuk lëviz pa pistoletë në brez. Shteti shqiptar e di se si janë marrëdhëniet me serbët e pabesë. Ato kanë përhapur foton time nëpër portalet e tyre dhe kërkojnë kokën time në mes të Beogradit. Prandaj, si unë dhe “Ballisti” duhet të jemi të armatosur, sepse nuk ka se kush të na mbrojë. Ndërkohë, qëndrimi në burg i Morinës mund të them se, është më tepër politik, por më mirë t’ia lemë politikës këtë temë. Nga sot (dje), unë kam bërë një kërkesë në polici dhe do të marr edhe një leje në gjykatë për t’u pajisur me armë, sepse realisht ndjehem i kërcënuar. Të siguroj se unë do të shkoj edhe në Francë, po i armatosur kur të luajë Shqipëria ndeshjet eliminatore të Euro 2016-ës.

Nëse policia dhe gjykata nuk të pajisin me leje, do të qëndrosh përsëri i armatosur?

Unë gjithmonë i armatosur jam. Nëse unë nuk pajisem me leje arme atëherë unë do të kërkoj azil politik, sepse këtu nuk të mbron askush. Nuk mund të jetoj me frikën se dikush do të më vijë dhe të më vrasë, por unë po pres një përgjigje për t’u pajisur me leje arme, vetëm këtë dua. Unë edhe tani e kam armën me vete, sepse nuk i dihet se çfarë ndodh, por jam i ndërgjegjshëm që kjo gjë nuk është e ligjshme. Gjithsesi, jeta ime ka ndryshuar  tani pas incidentit me ekipin serb, dua apo nuk dua unë!

 

Në cilin shtet do të kërkoni azil dhe për çfarë do ta kërkoni?

Unë nuk dua të largohem nga vendi im qoftë edhe për një sekondë, sepse e dua me gjithë shpirt Shqipërinë, por nëse vazhdojnë të më dhunojnë të drejtat e mia, atëherë nuk mund të rri më këtu. Emrin e shtetit ku do të kërkoj azil nuk po ta them për momentin, por këtë gjë do ta tregoj në një moment të dytë. Unë mbeta një herë dy ditë në dyert e gjykatës, jo për fajin tim, por për fajin e personelit nga që nuk më pranon mua në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”. E theksoj se te jetimorja ka shumë fëmijë të tjerë që i kanë mbushur moshën për t’u larguar, pra janë mbi 18 vjeç, ndërsa ata qëndrojnë në ambientet e Shtëpisë së Fëmijës dhe mua më kanë larguar.

Përse Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli” ka kërkuar urdhër-mbrojtje ndaj teje?

Unë kam jetuar në Shtëpinë e Fëmijës, pavarësisht se isha mbi 18 vjeç, dhe drejtoresha Irma Shtini më ka pasur  inat, sepse nuk më komandonte dot. Të gjithë fëmijët e tjerë i kanë thënë drejtoreshës se, po iku Marseli nga qendra do të kesh punë me ne. Ka plot fëmijë të tjerë te “Zyber Hallulli” që janë mbi 18 vjeç, por askush nuk i ka larguar. Për këtë çështje unë dje kisha një seancë gjyqësore në Gjykatës e Tiranës, kundër drejtoreshës Irma Shtine dhe e fitova gjyqin. Drejtoria e qendrës kishte kërkuar  urdhër-mbrojtjeje në polici ndaj meje, por këtë gjykata e quajti të pavlefshme dhe e rrëzoi kërkesën absurde të bërë ndaj meje, sepse nuk kam bërë asgjë. Është e padrejtë që unë të sulmohem në këtë mënyrë vetëm se nuk i pëlqej “zonjës” drejtoreshë. Ajo i ka kamerat e sigurisë brenda ambiente të godinës. Nëse unë i kam thyer xhamat, atëherë le t’i dërgojnë pamjet në polici, kështu i tha edhe gjyqtarja sot (dje).

“E godita me gur ekipin serb, për lojtarët”

Marsel Qeleshi tregoi edhe pse qëlloi kundër autobusit me lojtarë serbë, akt që shkaktoi tension mes dy vendeve. “Serbët goditën lojtarët e Shqipërisë në Beograd para 1 viti dhe unë bëra të njëjtën gjë. Kjo ishte më pakta që mund të bëja për ekipin tim të zemrës. Unë bëra atë që do të bënte çdo tifoz i trojeve shqiptare. Nëse do të kisha diçka tjetër në dorë, atëherë do ta qëlloja ekipit serb me më shumë se sa një gur”, shpjegon arsyet e veprimit të tij Marsel Qeleshi. 18-vjeçari goditi me gur autobusi ku udhëtonin pjesëtarët e ekipit serb pranë zonës së “Zogut të Zi”, ndërsa policia arrestoi për këtë ngjarje adoleshentin më datën 8 tetor. Sipas uniformave blu, në momentin e mbërritjes së ekipit serb përpara hotelit, është vënë re se nga krahu i drejtuesit të autobusit kishte një plasaritje, e cila dyshohej se ishte bërë nga një goditje në distancë. Gjuajtja me gur ndaj ekipit serb nga 18-vjeçari Qeleshi shkaktoi edhe një incident diplomatik me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, kur ky i fundit nuk e pranoi “notën e protestës” së dhënë nga pala serbe, duke e quajtur një rast të izoluar këtë incident dhe të tepërt pretendimin e Beogradit zyrtar.

Marseli: Nuk jam jetim

“Unë jam i birësuar dhe kam një familje tjetër në Amerikë. Mami im e ka emrin Julie Bogard dhe më ka birësuar kur kam qenë në moshë të vogël. Ajo më ka ndihmuar shpesh si me para, ashtu edhe me veshje dhe për këtë unë i jam shumë borxhli asaj”, tregon Marseli. Ai shton se nëna e tij, jobiologjike ka ardhur disa herë në Shqipëri për ta vizituar dhe për ta marrë me vete në Amerikë, por e ka penguar babai, i cili nuk i ka dhënë firmën që të bashkohet me të. “Babai im nuk do që unë të rregullohem si gjithë fëmijët e tjerë, sepse në të kundërt nuk do ta braktiste nënën time kur ajo ishte shtatzënë me mua dhe këtë gjë unë nuk ia fal. Por nuk ka gjë, jeta vazhdon dhe unë do t’ia dal vetë në jetë. Julie Bogard, nëna ime që më ka birësuar erdhi vitin e kaluar për të parë dhe për të më marr me vete, por unë isha nën 18 vjeç dhe prandaj nuk munda të shkoj më të në Amerikë”-pohon i riu.

Qëndrimi në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” dhe padia ndaj tij

Marsel Qeleshi ka jetuar në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, nga mosha 4-vjeçare deri sot. Ai në vitin 2009 u transferua në Shtëpinë S.O.S., të Shkodrës, sepse kishte njerëzit e mamasë së tij biologjike atje. Më pas Marseli është rikthyer përsëri në Tiranë deri ditën kur është bërë një denoncim në Drejtorinë e Policisë së kryeqytet, duke kërkuar urdhër-mbrojtje, më datë 8 tetor ndaj adoleshentit.  Sipas drejtorisë, i riu, është shfaqur rreth ambienteve të shkollës dhe ka thyer edhe xhamat e institucionit, pasi nuk është pranuar të futet në ambientet e brendshme nga roja i objektit, si edhe ka ofenduar rëndë disa prej anëtarëve të stafit pedagogjik të “Zyber Hallullit”.

Po sipas drejtorisë, 18-vjeçari, herë pas here shfaqej në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” dhe keqtrajtonte fëmijët me zhvillim të vonuar mendor, duke u marrë lekë dhe duke i shantazhuar ata. Për këto akuza, dje është zhvilluar seanca e dytë gjyqësore në ngarkim të akuzuarit Marsel Qeleshi. Gjyqtarja e çështjes i ka dhënë të drejtë 18-vjeçarit , duke rrëzuar kërkesën e drejtorisë së “Zyrber Hallullit” për urdhër-mbrojtje ndaj adoleshenti dhe duke i dhënë të drejtë Marselit në këtë çështje./Shekulli/


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128