Një tjetër skandal shënohet me policinë rrugore. Vetëm pak orë pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku një polic i bënte me dije një qytetari se po e gjobiste për shpejtësi dhe shpejtësinë e maste me sy, një tjetër video skandaloze publikohet po në internet.
Kësaj here është filmuar rasti i një polici në Kavajë. Ashtu si në Tiranë edhe polici i Kavajës kërkon ta gjobisë drejtuesin e mjetit për tejkalim shpejtësie, por ai nuk ka radar apo ndonjë aparat tjetër për matjen e shpejtësisë.
Qytetari refuzon dhe i kërkon patrullës t’i tregojë se me çfarë e mati shpejtësinë e tij.
Qytetari thotë se polici e ka urdhëruar të zbresë nga makina, për t’i kërkuar rryshfet.
Por pasi ka parë që po e filmonte me celular është acaruar dhe e ka kërcënuar se do ta arrestojë.
Drejtuesi i automjetit ka vijuar t’u kërkojë policëve arsyet e sjelljes së tyre dhe nga këmbëngulja e tij patrulla është tërhequr.
Për më tepër shihni videon. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, reagoi pas videos së Tiranës me një status në Facebook, por siç duket reagimet e tij nëpër rrjete sociale nuk mund ta ndryshojnë realitetin.