Ekstradohet nga Marseja, Francë, Valentin Gjini, 41 vjeç, i dënuar me 23 vjet burg për vrasje.
Vetëm pak ditë më parë Gjykata e Kurbinit dha dënimin në mungesë për të.
Xhaxha e nip, Ded Vukaj dhe Luigj Vukaj, u vranë më 6 maj të 2013s
në pritë nga Ndue Gjini dhe djemtë e tij, Kastrioti, Valentini dhe Aleksandri. Këta të fundit u gjykuan në mungesë, pasi janë arratisur pas krimit.
I vetmi që ka qenë në bankën e të akuzuarve është Ndue Gjini, 74 vjeç, i cili e ka pranuar krimin e rëndë, duke pretenduar se ka qenë i vetëm në momentin e vrasjes.
Në fund të procesit hetimor, trupa gjykuese që kryesohej nga kryetari i Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni dhe dy anëtarët Marçela Shehu e Jak Ndoka, vendosën të shpallnin fajtorë të të pandehurit.
Pas bashkimit të dënimeve, Ndue Gjini, u dënua përfundimisht me 22 vjet burg, Kastriot Gjini me 23 vjet burg, Valentin Gjini 23 vjet dhe Aleksandër Gjini po me 23 vjet burg.
Ata u akuzuan për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” në bashkëpunim dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Sipas të dhënave në dosjen e Prokurorisë, rezulton se mbi shtetasit Ded Vukaj dhe Luigj Vukaj është qëlluar me armë automatike jo vetëm nga shtetasi Ndue Gjini, por edhe nga djemtë e tij, të cilët kanë qenë më aktivë në kryerjen e vrasjeve.
Pas krimit ata janë larguar nga shtëpia dhe me gjithë kërkimet e policisë, ata kanë mundur të largohen nga Shqipëria, madje nëpërmjet pikës kufitare.
Prokuroria ka marrë të dhënat nga sistemi TIMS dhe ka rezultuar se ata janë larguar më 25 maj të vitit 2013, pra gati 20 ditë pas kryerjes së vrasjes së dyfishtë.
Gjykata ka vlerësuar edhe provat shkresore të ekspertimit balistik ku rezulton se viktimat janë qëlluar nga katër lloje armësh.