Sikurse edhe vitet e shkuara, për peligrinazh në Mekë, këtë vit kanë shkuar një grup besimtarësh myslimanë të udhëhequr nga kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj.
Mes tyre edhe ish-kreu i Komitetit Shtetëror të Kulteve, Ilir Hoxholli, i cili nga Meka, gjatë një bashkëbisedimi me “Top-Channel” ka dhënë detajet se si është duke shkuar pelegrinazhi i këtij grupi shqiptarësh, pas lajmit për tragjedinë ku humbën jetën 717 pelegrinë.
“Në bazë të infomacioneve që mblodha menjëherë pas lajmit, rruga e cila kishin marrë shqiptarët, nga Minaja deri tek Xhemeratet, është krejt e ndryshme nga vendi i aksidentit, kjo për faktin se haxhinjtë shqiptarë respektojnë rrugën dhe orarin e caktuar nga organizatorët.
Ky është një vit i veçantë pasi prej shumë vitesh patëm harruar të dëgjonim për aksidente të tilla. Shprehim keqardhjen për jetët e humbura dhe njëkohësisht falenderojmë mediat për interesimin ndaj nesh. Shpresojmë që mos kemi asnjë lajm të keq për shqiptarët”,- ka thënë Hoxholli.
Hoxholli ka shpjeguar edhe se si po shkon haxhi i pelegrinëve shqiptarë.
“Janë rreth 400 haxhilerë shqiptarë, nga të cilët rreth 320 nga Shqipëria dhe 80 shqiptarë nga Mali i Zi dhe Bosnja. Gjendja e tyre është relativisht e mire”,- ka saktësuar Hoxholli. /Top Channel/