Sipërmarrësi italian i zonës së Lombardisë, Pasquale D’Ambrosio, u thoshte shpesh klientëve të resortit të tij: “Nëse dua, mund të marr avionin dhe shkoj të pi një kafe në Leçe”.
Në fakt e bënte diçka të tillë me një avion të lehtë, por për të transportuar marijuanën që kultivohet në Shqipëri.
Kështu e nis shkrimin e saj gazeta e njohur italiane, Corriere della Sera.
Gazeta i referohet kapjes së një avioni me drogë shqiptare para pak ditësh, duke e çuar në tre rastin e avionëve të vegjël që transportojnë drogë nga Shqipëria drejt Italisë, të kapur nga forcat e ligjit.
Tre është numri i mjaftueshëm për të provuar tashmë akuzat e opozitës se trafiku me avionë është bërë normal.
Por për avionin e fundit, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thotë se nuk është nisur nga Shqipëria.
Megjithatë dy apo tre, sërish avionët po fluturojnë dhe kjo ka frymëzuar karikaturistin Bujar Kapexhiu për të sjellë këto punime.
Ndërkohë Corriere shkruan se në Shqipëri po hetohet për akuzat e Dritan Zaganit, një ish-oficer policie, se njerëzit e afërm të Tahirit janë të përfshirë në trafik droge.