Vetëm tani Orialda Kajtazi është e ndërgjegjshme për veprimet që ka bërë.
Nëse koha do të kthehej pas, nuk do t’i vinte flakën shtëpisë, nuk do t’i kishte vjedhur kursimet e prindërve dhe nuk do të largohej me të motrën, duke alarmuar familjen e policinë.
Ajo gjendet në burgun 325 në Tiranë, nën akuzën për vjedhje dhe shkatërrim prone. Pas pak ditësh në qeli ka mundur të rivendosë kontaktet me prindërit që e denoncuan. Ka takuar babain dhe i ka premtuar se do ta bindë motrën e vogël, Klevisën, që të kthehet në shtëpi.
Ajo gjendet në një qendër sociale në Tiranë me një urdhër të Gjykatë së Durrësit që e mbron nga “kërcënimi” i prindërve. Orialda i ka rrëfyer gazetës Shekulli disa detaje të kësaj historie, që na japim të kuptojmë se e gjithë ndodhia është pasojë e veprimeve të pamenduara të dy adoleshenteve dhe jo reagim i ndonjë akti dhune në familje.
Orialda rrëfen se gjatë kohës që ka qëndruar në Vlorë me të motrën e vogël është ndjerë e lirë të bëjë atë që dëshironte, të blinte rroba e të dëfrehej nëpër lokale, në çdo kohë që e mendonte të arsyeshme, pa i kërkuar llogari askush. Ato u fotografuan edhe në një prej diskove më të njohura të plazhit të Vlorës.
Ka njohur edhe një djalë me të cilën është shoqëruar për 5 ditë me radhë. Një periudhë lumturie në kurriz të kursimeve të prindërve, sepse të gjitha shpenzimet u paguan me 240 mijë lekët dhe 400 eurot që ajo vodhi në shtëpi.
Ka qenë një periudhë pushimesh; pushime që u prishën nga mediat që flisnin çdo ditë e më shumë për dy vajzat e zhdukuara pasi kishin helmuar prindërit dhe i kishin vënë flakën shtëpisë.
Në fund të këtyre pushimeve të gjata, afro 1 muaj, Orialda thotë se kishte ndjerë edhe mungesën e prindërve, ndonëse atyre nuk u hodhi as sytë në sallën e gjyqit dhe nuk shfaqi pendesë.