Afërdita Nuhaj ng Fieri ka shkuar në Gjermani si qindra azilkërkues shqiptarë me shpresën për një jetë më të mirë, por afro një muaj më vonë ka humbur djalin e saj të vetëm 9vjeçar. I mituri ka hyrë të lahej në një pishinë publike, por është nxjerrë prej andej në gjendje kome dhe pas 12 ditësh ka dhënë shpirt në një spital në Montein të Gjermanisë.
Por drama e 36-vjeçares shqiptare nuk ka marrë fund me kaq. Katër ditë më parë (dy muaj pas vdekjes së djalit), ajo është njoftuar nga autoritetet gjermane se akuzohej për vrasjen e të birit.
“Është e tmerrshme ajo që po më ndodh mua. Shkova në Gjermani për të siguruar një jetë më të mirë për familjen time, por humba fëmijën. Autoritetet gjermane, në vend që të hetojnë personat përgjegjës për vdekjen e djalit, më akuzojnë mua për vrasje nga pakujdesia”, – tha dje Afërdita Nuhaj.
Në një intervistë për “GSH”, 36-vjeçarja deklaroi se kërkon ndihmën e shtetit shqiptar për padrejtësinë që i bëhet.
“Sipas saj, në 12 prill me djalin Erid Çela morëm rrugën e shkuam azilantë në Gjermani. Meqënëse isha nënë me një fëmijë, na stabilizuan në një hyrje pallati në qytetin Spyer…Në datën 5 qershor vendosa me djalin të shkonim në pishinat publike. Hyrja ishte 10 euro për person, kështu që pagova 20 euro. Teksa bëmë gati shezllonet, djali u zhvesh se donte të lahej. Teksa isha duke i bere ushqimin gati, ai iku. Pishinën e kisha 5-6 m larg. Pas dhjetë minuta dëgjova se po ulërinin njerëzit. Djali rrinte i mbytur në pishinën e të rriturve, që ishte ngjitur me atë të fëmijëve. E nxorëm djalin nga pishina. kërkuam ndihmë nga personeli i pishinave, nuk na ndihmoi askush. Një doktorshë me origjinë kosovare më ndihmoi. Pas afro 15 min erdhi helikopteri dhe e çuan në spital në Montein. Aty qëndroi për 12 ditë në koma.”