Të afërmit e 17-vjeçarit Dritan Shametaj, që u mbyt dje në Vjosë, në Fier, po vijojnë edhe sot kërkimet për gjetjen e trupit me mjete rrethanore.
Kërkimet u ndërprenë dje për shkak të errësirës, ndërsa sot në mëngjes herët kanë rinisur kontrollin përgjatë shtratit të lumit Vjosë. Por në ndihmë të tyre nuk kanë shkuar palombarë apo forcat e policisë, ç’ka nuk ka sjellë asnjë rezultat nga kërkimet.
Për këtë arsye familjarët i bëjnë apel organeve kompetente të ndërhyjnë. Xhaxhai i 17-vjeçarit në një lidhje telefonike me News24 tha se më shpejt ka mbërritur ai nga Greqia se sa strukturat e policisë.
Ai ka rrëfyer se nënës së viktimës i ka rënë të fikët dhe është sjellë në vete nga familjarët pasi nuk ka pasur as shërbim mjekësor.
“Erdha më shpejt unë nga Greqia, kurse shteti jo. I ra të fikët nënës, ne me alkool mezi e sollëm në vete 30 minuta. Infermieri kishte mbyllur telefonin. Mos t’ia lëmë natyrës ta nxjerrë fëmijën. Shpresojmë që shteti të ndërhyjë”, deklaroi xhaxhai i viktimës.
Edhe dje, daja i 17-vjeçarit bëri apel për ndihmë, duke kërkuar ndërhyrjen e palombarëve, për të cilët u shpreh i gatshëm ti paguanin edhe privatisht. Sot disa të rinj të fshatit Buzëmadh dhe familjarët po kërkojnë me not në lumin Vjosë, ç’ka mund të jetë e rrezikshme.