Sokrat Shani, biznesmeni 65-vjeçar nga Lushnja që vrau të dashurën dhe më pas veten, e ka kryer krimin pasi dyshonte se Jonida Çanaku, 35 vjet më e re, e tradhëtonte.
Ditën e shtunë, Sokrati së bashku me Jonidën kanë shkuar në shtëpinë e të motrës së autorit, në Golem të Kavajës. Prej disa kohësh, çifti bashkëjetonte dhe shkonin shpesh në zonën e plazhit, në Kavajë. Në fundjavë, banorët e pallatit në Golem i kanë parë të hynin të dy, por prej aty ka dalë vetëm Sokrati.
Askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me Jonidën 29-vjeçare, deri mëngjesin e së hënës. Në shtëpinë e tij në Krutje të Lushnjes, Sokrati qëlloi veten në gojë me një plumb pistolete. Familjarët e tij kanë shkuar menjëherë në dhomën e Sokratit dhe e kanë gjetur atë pa jetë. Në tavolinën e dhomës, ai kishte lënë tre letra.
Në letrën e parë, ai shkruante se po vriste veten. Në letrën e dytë, ai shkruante se tek shtëpia e të motrës së tij, në Golem, gjendej e vdekur shtetasja Jonida Çanaku dhe se atë e kishte vrarë Sokrati. Ndërsa në letrën e tretë, ai shpjegonte se gjithçka e kishte kryer nën tronditje të fortë psiqike. Letrat mbajnë datën 14 gusht 2014, pra një ditë para se ai të vriste veten. Gjithashtu, është kujdesur që letrat të jenë të nënshkruara prej vetë tij.
Pasi janë gjetur këto letra nga ana e Policisë, e cila kqyri vendin e ngjarjes, është kontaktuar menjëherë me forcat blu të Kavajës. Këto të fundit kanë kryer kontrollin në adresën e shkruara nga Sokrat Shani dhe kanë gjetur trupin e pajetë të Jonida Çanakut, njëlloj siç e kishte përshkruar autori. Ajo ishte e lidhur nga këmbët e duart dhe kishte shenja të dukshme të mbytjes.
Krimi për pasion, flasin fqinjët: Sokrati qejfli femrash
Pas krimit të dyfishtë, prokuroria e Lushnjës ka marrë në pyetje familjarët e viktimës Sokrat Shani, të cilët kanë deklaruar se kanë qenë në banesë, në katin e parë, kur kanë dëgjuar një krismë arme rreth orës 06:00-06:30 dhe kur kanë shkruar në dhomën ku banonte 65-vjeçari, kanë konstatuar se ai ishte i shtrirë dhe i gjakosur në fytyrë.
Gjatë marrjes në pyetje, ata janë shprehur se kanë qenë në dijeni të lidhjes që kishte Shani me 29-vjeçaren nga fshati Kryekuq të Divjakës. “Sokrati ka qenë i lidhur me atë vajzë që prej më shumë se 3 vitesh. Në dijeni të kësaj lidhjeje, ka qenë edhe familja e saj.
Gjithashtu, familja e vajzës e dinte se ajo shkonte me Sokratin herë pas here edhe në Golem. Ne e dinim se ata shkonin mirë me njëri-tjetrin dhe se nuk kishin konflikte. Jemi tronditur nga kjo që ndodhi”, thanë të afërmit e biznesmenit.
Nga ana tjetër, bashkëfshatarë të viktimës dje u shprehën për “Gazeta Shqiptare” se 65-vjeçari jetonte i vetëm dhe se ishte qejfli femrash. “Pasi ndau bashkëshorten, Sokrat Shani ka pasur lidhje edhe me femra të tjera. Prej disa kohësh ai ishte lidhur me këtë vajzën që mbyti në Golem. Jemi shokuar nga kjo ngjarje”, thanë banorë të zonës së Krutjes së Sipërme.
Nga hetimi, rezultoi se biznesmeni ka pasur lidhje dhe ka bashkëjetuar me shtetasen Jonida Çanaku, të cilën e shëtiste me fuoristradë, raporton Gazeta Shqiptare.
Gjithashtu, burime zyrtare nga policia e Lushnjës sqaruan se 29-vjeçarja Jonida Çanaku ishte nga fshati Kryekuq i Lushnjës. Fillimisht u tha pas ngjarjes se vajza që u gjet e vrarë në një apartament në Golem të Kavajës ishte studente.
Por, ky version u hodh poshtë nga policia, e cila deklaroi se 29-vjeçarja ishte shtëpiake. Nga ana tjetër, të afërmit e 29-vjeçares dje u shprehën për mediat se ajo ka qenë e fejuar para disa vitesh dhe se është ndarë me mirëkuptim.