Familjarët e Flamur Sulës, i cili humbi jetën nga flakët e përfshirë në burgun e Shën Kollit, kërkojnë zbardhjen e ngjarjes, të cilën ata e cilësojnë “vrasje të qëllimshme”
“Djalin ma morën të gjallë dhe ma sollën të vdekur. Djali im nuk ka pasur probleme psikologjike siç është thënë. Eshtë vrarë qëllimisht”, tha për Ora News, Nuredin Sula, babai i të burgosurit Flamur Sula, i cili banon në Milot.
Ndërkohë, dy ditë nga zjarri që shpërtheu në burgun e Shën Kollit, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani bën me faj administratën e këtij institucioni.
Në njoftimin e zyrës së shtypit të kësaj ministrie nuk jepen shumë informacione se kush janë konkretisht personat përgjegjës ndaj të cilëve ka nisur procedimi disiplinor.
Nga shpërthimi i flakëve në burgun e Shën Kollit humbi jetën i dënuari Flamur Sula dhe 5 të tjerë u plagosën.
“Tashme qe Prokuroria ka nje version te qarte mbi ngjarjen e ndodhur ne burgun e Shenkollit, Ministri i Drejtesise, z. Ylli Manjani ka urdheruar fillimin e procedimit disiplinor per te gjithe personat qe kishin per detyre te parandalonin kete ngjarje. Ministri Manjani thekson se eshte pergjegjesi e administrates se burgjeve ruajtja e jetes dhe shendetit te çdo te paraburgosusi apo te denuari, prandaj kerkon dhe pergjegjesi maksimale per kete ngjarje. Manjani ka urdheruar fillimin e procedimit disiplinor per te gjithe personat qe kishin per detyre te parandalonin kete ngjarje,” thuhet në njoftimin e shpërndarë sot.
Gjithashtu, Manjani ka urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të rishikojë edhe rregulloret që sanksionojnë elemente të sigurisë ne burgje dhe njëkohësisht ka urdhëruar Drejtorinë e Policisë së Burgjeve të forcojë masat dhe kontrollet për sigurinë në institucionet penitenciare.