Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë dhe i ka kaluar çështjen Prokurorisë së Tiranës për krimin në familje që ndodhi disa muaj më parë, për të cilin janë të dyshuar Jurgen Kurti dhe daja e tij Leonard Ristani.
“Top-Channel” raporton se, prokurorët e Krimeve të Rënda nuk mund ta hetojnë këtë ngjarje si krim të rëndë brenda familjes, pasi fillimisht u dyshua se ka qenë bashkëpunim mes Leonard Ristanit dhe nipit të tij Jurgen Kurti për të vrarë babain e këtij të fundit, Artur Kurti.
Djali 23-vjeçar Jurgen Kurti, u lirua nga qeli pasi u arrestua, kurse daja i tij Leonard Ristani po mbahet nën arrest me burg. Sipas ekspertizës, Ristani qëlloi me thikë Artur Kurtin, pasi ky i fundit kërcënonte të vriste atë dhe bashkëshorten e vet.
Këtë qëndrim të Ristanit e konfirmuan më pas edhe ekspertizat e Mjekësisë Ligjore, që iu përgjigjën prokurorëve të Krimeve të Rënda se, Ristani kishte plagë të shumta në duar, gjurmë këto që i bindën prokurorët se, Leonard Ristani ishte përpjekur ta neutralizonte viktimën, duke tentuar t’i rrëmbente thikën.