Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Hetimi nga Krimet e Rënda: Ja dosja ndaj Shullazit

$
0
0

emiliano emiljano shullazi arrestimProkuroria e Krimeve të Rënda po heton për dy raste gjobëvënieje ndaj bizneseve në Tiranë, si dhe për dhurimin e ish-Hotel Vollgës në Durrës, ku ai rezultoi të jetë bashkëpronar. SHISH ka referuar edhe katër informacione të tjerë për gjobëvënie ndaj Shullazit dhe dy miqve të tij.

Shullazi dhe grupi i tij të njohur si “çunat e Rrugës së Kavajës” po hetohen për disa akuza gjobëvënieje nga Prokurori e Krimeve të Rënda.

Ky fakt është pranuar zyrtarisht nga policia, e cila pasi ekzekutoi urdhrin për ndalimin e të dyshuarve tha se ata po hetohen për pjesëmarrjes në organizatë kriminale, gjobëvënie dhe shkatërrim prone me eksploziv.

Sipas burimeve të prokurorisë mësohet se Shullazi dhe miqtë e tij po hetohen për dy episode tashmë të provuara sipas akuzës që kanë të bëjnë me një rast gjobëvënie dhe një shkatërrim prone me eksploziv.

Por këtyre dy episodeve u janë shtuar edhe katër informacione që Shërbimi Informativ Shtetëror i ka përcjellë prokurorisë për gjobëvënie, që dyshohet se mbajnë autorësinë e Shullazit.

Këto raste kanë të bëjnë kryesisht me biznesmenë që kanë paguar gjobën por nuk kanë denoncuar në polici e prokurori, duke bërë që të mos regjistrohet zyrtarisht asnjë çështje penale.

Sipas burimeve mësohet se një nga rastet që po heton prokuroria ka të bëjë me pronësinë e ish-Hotel Vollgës në Durrës, ku Emiljano Shullazi rezulton të jetë bashkëpronar edhe pse çështja e pronësisë së kësaj godine është në proces gjyqësor prej 15 vitesh.

Ndërsa çështja e dytë lidhet me shantazhimin e një biznesmeni nga kryeqyteti për pronësinë e një parking në Rrugën e Kavajës në Tiranë.

Në muajin shkurt shtetasi Arjan Zika ka denoncuar se është kërcënuar nga Shullazi për një parking 1200 metra/katrorë në Tiranë.

“Emiljano Shullazi më kërkoi takim. Dikush erdhi e më tha se Emiljano po të pret ta takosh. Kohë më parë kam blerë një sipërfaqe parkingu prej 1.200 metra/katrorë, Emiljano më tha ose blije sërish me çmimin e tregut të sotëm, ndryshe do të vras. E kam takuar katër herë Shullazin dhe nuk pranova”, thuhet në dëshminë e tij.

Pas kësaj ngjarjeje në dyqanin e kallëzuesit, në datën 13 mars ndodhi një shpërthim me eksploziv.

Pas denoncimit shtetasi Arjan Zika është larguar nga Shqipëria për motive ende të panjohura.

Episodi tjetër për të cilin dyshohet Shullazi ka lidhje me ish-Hotel Vollgën në Durrës, që dyshohet se i është dhuruar përmes kërcënimeve nga pronari.

Ai rezulton të jetë një nga bashkëpronaret e godinës me sipërfaqe trualli rreth 250 metër katrorë që ndodhet në qendër të Durrësit.

Ky fakt provohet edhe nga certifikata e pronësisë e lëshuar nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, e cila është sekuestruar tashmë nga prokuroria dhe ky dokument është bërë pjesë e dosjes së hetimit.

Sipas dokumentit rezulton se Emiljano Shullazi është bashkëpronar në këtë pronë, të cilën e ka fituar me anë të një kontrate dhurimi që dyshohet se është bërë në kushtet e kërcënimin.

Shullazi është kthyer një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, disa herë ai është shoqëruar e ndaluar për armëmbajtje pa leje, ndërkohe që akuzën më të rëndë që i ka dhënë atij fajësi me 7 vjet burg, ka lidhje me çështje droge.

Shullazi u akuzua ditët e fundit edhe nga ish-kryeministri Berisha se kishte kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Për këtë episod policia po kryen ende verifikimet dhe nuk e ka kaluar ende dosjen në prokurori.

Më herët ai u denoncua në prokurori nga ish-deputetja e Partisë Demokratike Voltana Ademi, e cila tha se Shullazi i kishte kërkuar t’i përcillte një mesazh kërcënues kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi një hetim për këtë rast por çështja u pushua pasi kërcënimi i denoncuar sipas prokurorisë nuk provohej me prova të tjera.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128