Pasi Venecia “ia kaloi topin” politikës për miratimin e Reformës në Drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme paralajmëroi “furtunë” në bazë dhe në qendër. Tashmë Llalla “i ka duart e lira” të hetojë ministra e ish-ministra sepse mori garanci për mandatin.
Nga Leonard Bakillari
Një njoftim në “Twitter” i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë “e la topin e reformës” në dorën e politikës. Mesazhi ishte i qartë: “Tashmë është përgjegjësi e Parlamentit të bëjë reformën historike në drejtësi që kërkojnë qytetarët shqiptare”, shkruhej në profilin në Twitter të përfaqësisë së Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Ky mesazh i dha fund një herë e mirë debatit për mendimet e Komisionit të Venecias apo përkthyer ndryshe: “Presim Venecian”. Rastësi ose jo, vetëm pak minuta më pas, prokuroria edhe pse jo me fjalë të shprehura, paralajmëroi një reformë brenda radhëve të saj. Reforma do të jetë e shtrirë në kohë dhe pritet të prekë disa hallka të rëndësishme të institucionit të akuzës nga baza në qendër. Sipas një njoftimi të Zyrës për Mediat në Prokurorinë e Përgjithshme thuhet se këto ndryshime vijnë si nevojë e përmirësimit të rezultateve të ndjekjes penale.
Ky ristrukturim me qëllim vitalizimin e institucionit të prokurorisë, pritet të kalojë në disa faza dhe të prekë disa prokurori jo vetëm në rrethe, por edhe në Apel, si dhe vetë Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Prokuroria thotë se prokurorë të ndryshëm kanë vite në pozicione të caktuara drejtuese, zv. drejtuese, qoftë në prokuroritë e rrethit ashtu dhe në prokuroritë e Apelit. Riformatimi pritet të prekë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, por pa dhënë detaje se si do të kryhet ky ristrukturim në majën e piramidës së akuzës, ku gjatë drejtimit të Adriatik Llallës janë transferuar dhe emëruar një numër i konsiderueshëm prokurorësh. “Riorganizimi do të realizohet në disa faza, ku fillimisht po shqyrtohen mundësitë në ato njësi të Prokurorisë, në të cilat vlerësohet se ka nevojë për ndërhyrje në një kohë sa më të shpejtë”, thotë njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, por pa sqaruar detaje rreth njësive që kanë nevojë për ndërhyrje të shpejtë dhe fazat që do të kalojë procesi. Prokurori i Përgjithshëm është bindur për nevojën e këtyre ndryshimeve edhe pas analizave vjetore të zhvilluara në fillim të këtij viti, çka i kanë krijuar një pamje të qartë për problematikat e institucionit.
Në kushtet kur prokuroria paralajmëron reformë, por pa dhënë detaje, tezat e mundshme të këtyre ndryshimeve lidhen vetëm me një arsye: Reformën në Drejtësi, por nuk mund të mbetet jashtë vëmendjes edhe nevoja reale e ndryshimeve në nivele drejtuesish brenda prokurorisë. Madje kjo është dhe arsyeja e përligjur zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme, edhe pse bie ndesh me raportin përfundimtar të Prokurorisë që i është dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë në fillim të kësaj jave. Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2015 janë kontrolluar 1854 dosje në disa prokurori të vendit dhe janë konstatuar vetëm 5 shkelje. Pra, bazuar në shifrat e raportit dhe faktin se dy prokurorë u arrestuan për korrupsion dhe një tjetër u shkarkua, atëherë rezultati është: Prokuroria funksionon në mënyrë gati perfekte. Kjo nuk do të përligjte asnjë ndryshim apo ristrukturim.
E nëse teza e parë e reformës kundërshtohet nga vetë raporti i prokurorisë, një tjetër tezë merr rrugë e që lidhet drejtpërdrejt me reformën e pritshme në drejtësi. Konkluzionet e “Komisionit të Venecias” tashmë janë shprehur qartë se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm nuk mund të ndërpritet sikundër propozonte drafti i ekspertëve, vetëm në rast se ai nuk kalon procesin e “Vetingut” (testin e pastërtisë së figurës). Tashmë në kushte komode për të përfunduar mandatin e tij, Adriatik Llalla duket se i ka duart e lira për të hetuar ministra dhe ish-ministra, duke patur në krah dhe Prokurorinë Antikorrupsion. Edhe pse ka paralajmëruar shpesh se po heton zyrtarë të lartë, askush prej të dyshuarve apo të përmendurve nuk ka përfunduar në gjykatë me akuzën e korrupsionit. Por terreni duket se po përgatitet, pasi tashmë Llalla “nuk i ka asnjë borxh” politikës, e cila bëri ç’mundi për ta larguar nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm.
Një lëvizje që përforcon tezën e hetimit të zyrtarëve të lartë ishte ristrukturimi i Njësisë Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, vetëm një muaj pasi po me urdhër të Llallës kjo strukturë “u shkri”. Të gjithë njerëzit e Prokurorit të Përgjithshëm u përzgjodhën për të qenë pjesë e kësaj strukture përveç prokurorit që arrestoi ish-Guvernatorin, i cili nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës. Lëvizja e dytë ishte dorëheqja në bllok e katër drejtuesish prokurorish në rrethe, për arsye që ende nuk janë bërë publike. Lëvizja e tretë u paralajmërua dje zyrtarisht nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. A po i shpëton Llalla politikës? Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim dhe grupi i provës është dosja e Koncesioneve në Ministrinë e Shëndetësisë. Mbrojtja publike e Kryeministrit ndaj ministrit të tij të Shëndetësisë nga njëra anë dhe dy hetime të nisura nga prokuroria nga ana tjetër, do të tregojnë nëse Llalla po reformon prokurorinë për të hetuar zyrtarët e niveleve të larta, apo thjesht po bën disa lëvizje nga nevoja imediate e rifreskimit të institucionit që drejton. Për të bërë të parën, i duhen njerëzit e duhur. Përndryshe përfundimin e mandatit, e ka të garantuar.
Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Udha e Shkronjave”
Raporti i Prokurorisë: Në një vit u shkarkua një prokuror dhe u përgjuan 4000 qytetarë
Në fillim të kësaj jave, Prokuroria e Përgjithshme i dorëzoi Kuvendit të Shqipërisë raportin vjetor për gjendjen e kriminalitetit në vend. Dy nga elementet kryesore të raportit, veç volumit të madh të çështjeve të hetuara lidhen me inspektimet e punës së prokurorëve dhe numrin e lartë të qytetarëve të përgjuar me kërkesë të prokurorisë. Lidhur me çështjen e parë, prokuroria thotë se kontrolli i brendshëm i prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë dhe i prokurorive pranë gjykatave të apelit ka qenë një ndër prioritetet e punës së Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2015. Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, në përmbushje të këtij funksioni, për këtë periudhë kanë ushtruar kontrolle të përgjithshme, të pjesshme, për grup çështjesh dhe për çështje të veçanta. Janë kontrolluar prokuroritë e Kurbinit, Lezhës, Sarandës, Matit dhe Fier. Gjatë vitit 2015 janë kontrolluar në total 1854 procedime penale (vendime mosfillimi, vendime për pushimin e hetimeve etj.) si dhe 895 dosje të gjykuara dhe masa sigurimi të marra në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë. “Në përfundim, nga rezultatet e kontrolleve të ushtruara janë filluar procedime disiplinore për 5 prokurorë. Këshilli i Prokurorisë ka shqyrtuar procesin disiplinor për 5 prokurorë dhe në përfundim të këtij procesi, duke marrë në konsideratë propozimet e Këshillit të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm ka dhënë masë disiplinore “Ulje në detyrë” për një prokuror, masë disiplinore “Vërejtje” për dy prokurorë, “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” për një prokuror, si dhe i ka propozuar Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra të një prokurori. Presidenti i Republikës ka dekretuar shkarkimin nga detyra të këtij prokurori”, thuhet në raport. Ndërsa lidhur me çështjen e dytë, atë të përgjimeve, rezulton se përgjatë vitit 2015 janë përgjuar plot 4 mijë e 99 qytetarë shqiptarë. “Gjatë vitit 2015 janë ekzekutuar gjithsej 1945 vendime për lejimin e përgjimit, marrë nga prokurorët në kushtet e emergjencës, si dhe vendime të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 702 procedime penale. Sa më sipër është mundësuar interceptimi për 4099 persona. Numri më i madh i aplikimit të përgjimeve lidhet me procedimet penale të regjistruara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ku rezultojnë 859 vendime, marrë në 164 procedime penale”, thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme.