Që të pasurit kanë edhe mjete luksi për të dalë në det për të shëtitur dhe argëtuar, kjo është e ditur. Numri i këtyre mjeteve, që regjistrohen në Kapitaneri, po rritet çdo ditë e më shumë, sepse të pasurit, nuk e ndjejnë krizën si pjesa tjetër e popullsisë dhe si qeveria jonë që investon me pikatore, dy vitet e fundit. Por ku qëndrojnë këto mjete luksoze?
Porta e portit të ri të peshkimit, nuk u hap për grupin e xhirimit. Nga rojet e sigurisë u tha që është e ndaluar për çdo njeri hyrja në këtë vend, me pretendimin se duhej një leje speciale nga drejtuesit dhe zbatuesit e projektit të këtij porti. Kamera jonë filmoi nga një pikë tjetër e portit, ku dukshëm vihej re prania e njerëzve, dhe në vend të peshkarexhave për të cilat u ndërtua porti, gjendeshin ankoruar jahtet luksoze.
Bankinat e këtij porti që u kanë kushtuar më shumë se 15 milionë euro kredi xhepave të qytetarëve shqiptarë, janë zënë nga këto mjete që nuk sjellin asnjë të ardhur në buxhet, ndërsa peshkarexhat qëndrojnë të lidhura në krahun tjetër të portit, gati për t’u mbytur./ portali DurresLajm