Ka ngjallur shumë debat dhe reagime në rrjet një ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në zonën e Kombinatit.
Altin Dani sulmoi të shtunën me armë zjarri një pikë bastesh në Kombinat.
Ndër të parët që reagoi pas ngjarjes ishte edhe Sali Berisha.
Ish-kryeministri shkroi se Dani është pjesë e bandës së Shullazit dhe Pajtim Serjanit.
Sipas Berishës, Dani është liruar nga ministri i Brendshëm, pasi është pjesë e bandës së lidhur me qeverinë.
Por e motra e Danit, Anila, i ka kthyer një përgjigje.
“I dashur zoti Sali Berisha. Ai Altin Dani që shkruan ti nuk ka lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në Kombinat, që e ke implikuar edhe me ngjarjen e 5 janarit 2015. Vëllai nuk ka lidhje me ta, prandaj mos na shqetëso me shkrimet e tua politike në FB. Shiko fëmijët e tu të lutëm, kam dy prindër të sëmurë me zemër, prandaj të lutem mos m’i shqetëso me shkrimet e FB”, shkruan ajo.
Vetë Dani ka deklaruar në polici se ka qenë i dehur.
“Kam qenë i pirë. Nuk mbaj mend me saktësi se çfarë ka ndodhur, por nuk kam pasur si qëllim të vrisja njeri. Sherri ka nisur sepse pronari i lokalit nuk më anuloi një skedinë, që e kisha humbur”.
Sipas gazetës Panorama, Dani është shprehur se nuk ka lidhje me atentatin e 5 janarit 2015, që iu bë mikut të tij, Pajtim Serjani.
“Kam qenë me të atë natë, por mua nuk më ndodhi asgjë. Nuk është e vërtetë që jam plagosur. Këtë mund ta vërtetoni lehtësisht duke verifikuar kartelat nëpër spitale”.
Megjithatë policia ka referuar në prokurori materialet me akuzën e ‘vrasjes në rrethana të tjera cilësuse kundër dy ose më shumë personave’.