Gjykata e Durrësit la në qeli tre të arrestuarit, të cilët do kryenin një vrasje me pagesë pranë një fabrike në Maminas. Të ndaluarit mohojnë akuzat, ndërsa prokuroria thotë se të dyshuarit do kryenin një vrasje në bashkëpunim, por pa përmendur se ata ishin paguar nga grupi rival i objektivit të atentatit.
Gjykata e Durrësit la në qeli tre të arrestuarit si pjesë e një grupi që do ekzekutonin një biznesmen në zonën e Maminasit. Dritan Nikolli, Gazmend Dervishi dhe Bruno Shehu nuk pranuan asnjë akuzë, duke mohuar vrasjen, madje edhe prezencën e tyre në automjetin ku policia sekuestroi edhe disa armë zjarri. Por pavarësisht qëndrimit të tyre, prokuroria i akuzon ata për “vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Tre shtetasit e arrestuar, kanë mohuar faktin se janë të përfshirë në veprat penale për të cilat dyshohen, por në bazë të veprimeve procedurale të deritanishme janë siguruar elementë të mjaftueshëm për të vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”.
Por në kërkesën e lexuar përpara gjykatës, prokuroria e Durrësit nuk ka përmendur në asnjë rast se të dyshuarit ishin paguar për të vrarë shtetasin që dyshohet se ishte objektiv i atentatit. Menjëherë pas arrestimit, policia tha se tre të ndaluarit ishin pjesë e një grupi që dyshohet se janë paguar për kryerjen e krimit.
“Harresa” e parave duket se rrëzon versionin e policisë se tre personat do e kryenin krimin kundrejt pagesës.
Sipas akuzës, më datë 19.1.2016, rreth orës 10:00, në fshatin Maminas, e konkretisht pranë pikës së prodhimit të materialeve plastike. në pronësi të shtetasit R.F., shërbimet e policisë kanë konstatuar tre të dyshuarit duke udhëtuar me automjetin e markës “Mercedes Benz”, tip C Class, me targë ‘HTB564”.
Në kohën që u është bërë thirrje për të ndaluar, këta shtetas kanë braktisur automjetin e tyre dhe kanë tentuar që të largohen. Ata janë ndjekur dhe janë kapur më pas në flagrancë në oborrin e banesës së një shtetasi.
Gjatë këqyrjes së automjetit me të cilin po udhëtonin këta persona, janë gjetur një armë zjarri e tipit “Kallashnikov”, dy krehra automatiku, tri maska fytyre, tri qese dorezash plastike të hapura dhe dy bidonë plastikë me nga 1.5 l benzinë.
Gjatë këqyrjes së oborrit të banesës së shtetasit S.M, u gjetën dy aparate celularë të markës “Blackberry” dhe “Nokia”, një kapuç leshi, një kapuç i zi dhe dy palë doreza plastike, me ngjyrë verdhë e blu.
Nga kontrolli i banesës së shtetasit Bruno Shehu, policia sekuestroi edhe një pistoletë bashkë me 6 fishekë. Nga ana e policisë, janë pyetur si persona ndaj të cilëve zhvillohen hetime tre të dyshuarit, që kanë dhënë shpjegimet përkatëse.
Konkretisht në deklarimet e tyre, shtetasit Dritan Nikolli, Gazmend Dervishi dhe Bruno Shehu shprehin pak a shumë të njëjtat rrethana. Sipas tyre, ditën e ngjarjes janë takuar në pikën e karburantit “IP”, në lagjen nr. 14, Shkozet dhe më pas janë nisur të dy me automjetin e markës “Volkswagen Golf 4”, me ngjyrë të zezë me targë AAxxx, për te fabrika e prodhimit të peletit që ndodhet në Maminas.
Kur kanë mbërritur aty, kanë dëgjuar të shtëna dhe kanë parë disa automjete e punonjës policie dhe nga frika, janë larguar disa metra nga rruga dhe janë afruar pranë disa shtëpive në këmbë.
Ata kanë mohuar që të kenë qenë duke udhëtuar se bashku me shtetasin Gazmend Dervishi, me automjetin e ndaluar nga policia, madje janë shprehur se nuk kanë dijeni se kujt i përket ky automjet.
Nga ana e policisë gjyqësore janë kryer veprimet e nevojshme procedurale, nga ka rezultuar se tre të dyshuarit kanë qenë duke udhëtuar me automjetin e mësipërm të sekuestruar nga policia gjyqësore.
Nga kryerja e hetimeve të deritanishme si dhe nga informacionet e mbledhura nga policia gjyqësore, ka të dhëna të arsyeshme të bazuara në prova se tre të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qenë duke kryer veprime të drejtpërdrejta për kryerjen e vrasjes me paramendim, duke përdorur armë luftarake.