Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Ne dhe ISIS: Përgënjeshtrime, imazh dhe reagime

$
0
0

isisPas një serie shkrimesh në media të ndryshme të huaja, mbi mundësinë që organizata terroriste ISIS të ketë baza financimi apo rekrutimi në vendin tonë, vijnë reagimet e para zyrtare. Qëndrimeve të ministrit të Brendshëm dhe kreut të Policisë së Shtetit, i shtohet edhe ai i Prokurorit të Përgjithshëm. Këndvështrimi i diplomatit Tomorr Alizoti për reagimin zyrtar të Shqipërisë. 

Nga Sebi Alla

Duhet të jetë ndjerë keq ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kur lexoi e pa edhe vizualisht si mediat e huaja e futën në fokusin e tyre Shqipërinë, si një vend ku trafiku i narkotikëve, veçanërisht i kanabisit, kontrollohet nga ISIS, apo edhe se një pjesë e armëve që furnizojnë organizatën terroriste, mund të vijnë edhe nga Shqipëria. Nxituan ta përgënjeshtronin këtë lajm, fillimisht kreu i Policisë, më pas ministri, e së fundi adetin e reagimeve e bëri dje edhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. “Këto nuk janë materiale të shërbimeve sekrete të shteteve europiane, por këto që përmendëm edhe pak ditë me parë nga Gjirokastra. Kjo është një hamendje mediatike e disa mediave periferike vendëse. Në Shqipëri nuk ka në asnjë mënyrë, elementë terroristë, ose që prodhimi i kanabisit të përdoret për qëllime terroriste. Hetimet që ka kryer prokuroria në të gjithë territorin e vendit, në ato vende ku paraprakisht ky material, pra kanabisi, kultivohej me shumicë, por që tashmë zona është krejtësisht e pastër, nuk ka rezultuar në asnjë rast që kanabisi të jetë i lidhur me terrorizmin”. Kështu deklaroi Llalla, duke i vënë “vulën” përfundimtare reagimeve të strukturave shtetërore ligjzbatuese polici, ministri, prokurori. Po nëse mediat ndërkombëtare, të nisura edhe me idenë e skupit, veshin Shqipërinë edhe pa shumë fakte si zonë problematike, ku po lulëzon kanabisi që financon organizatën më të rrezikshme terroriste, madje duke e ngjallur edhe me burime njerëzore, kjo nuk duhet të ulë krejtësisht vëmendjen e institucioneve shtetërore. Veçanërisht shërbimi sekret, njësia antiterrorizëm në Policinë e Shtetit dhe Prokuroria, nuk nevojitet që të mjaftohen vetëm me përgënjeshtrime. Është momenti që edhe një lajm të pavërtetë ta shohin me kujdes, për të mos i lënë asgjë rastësisë. Ky duket se do të jetë imazhi më i mirë që mund t’i bëjë Shqipëria vetes, pas atij llumi të hedhur nga një pjesë e mediave ndërkombëtare.

Diplomati dhe politologu Tomorr Alizoti, shprehet se pavarësisht të vërtetave të vogla, apo të pavërtetave të mëdha, shkrimet në mediat e huaja e lënë një imazh negativ. “Që në momentin që shkrimet janë botuar e kanë lënë një shenjë negative për Shqipërinë, ata janë lexuar apo parë edhe vizualisht. Mendoj se duhet që institucionet shtetërore të reagojnë dhe të shpjegojnë se shqiptarët nuk kanë lidhje me ISIS, apo financimet për këtë organizatë”. Alizoti njëkohësisht këmbëngul se mënyra e reagimit mund të jetë në forma nga më të ndryshme, ku të kërkohet të jepen intervista në këto gazeta, apo të sqarohet situata e vërtetë në vendin tonë nëpërmjet ambasadave përkatëse në Itali apo Angli. “Duhet të bëjë që Shqipëria të ketë një qëndrim zyrtar të shtetit për këto raste dhe jo të mendohet si mund të bëhen reklama qeveritare me pagesë në media prestigjioze”. Në lidhje me zërat se mund të ketë një tendencë për të etiketuar dhe veçuar Shqipërinë dhe Kosovën qëllimisht edhe nga Europa si zona me rrezik dhe të lidhura me ISIS, Alizoti e hedh poshtë. “Nuk mendoj se ka tendencë nga Europa, për të na etiketuar si zona problematike, kjo nuk ka asnjë bazë, pasi jemi popull që kemi treguar bashkëjetesë mes besimesh. Unë mendoj që Shqipërisë nuk i ka ardhur rreziku, apo të jetë probabël që në të ardhmen të rrezikohet nga ndonjë lëvizje e armatosur fetare” -argumenton Alizoti.

Aktualisht janë nëntë persona në bankën e të akuzuarve, të proceduar për krijim të organizatave kriminale dhe terrorizëm, që po përballen me gjykatën, dhjetëra të tjerë procedohen e mbahen në survejim si persona që kanë shkuar apo aktualisht luftojnë në Siri dhe Irak, si pjesë e ISIS dhe ata kanë dalë pikërisht nga vendi ynë. Ishte një tulatje gati amatoreske e policisë së Rinasit, kur një vit më parë, lejoi të kalonte drejt Turqisë e më pas Sirisë babai me dy fëmijët, bashkë me 50 mijë dollarë në çantë. Iku në zonën e luftës, e pas disa muajsh erdhi lajmi se ishte vrarë. Emri i tij qe skeduar nga shërbimi sekret shqiptar, si person i dyshimtë që mund të ishte implikuar në organizatën terroriste ISIS dhe nga momenti në moment mund të tentonte largimin. Në fakt e bëri në mënyrën më të thjeshtë të mundshme dhe një nga punonjësit e policisë u justifikua më pas “nuk dyshova, ishte me dy fëmijë”. Raste të tilla ku i është lënë terren që eksponentë të ndryshëm, të vetëshpallur imamë, apo edhe besimtarë të manipuluar, për një kohë të gjatë kryen aktivitetin e tyre më se kriminal, kur afruan dhe më pas rekrutuan dhjetëra persona (dyshohet në total 90 vetë), drejt Sirisë, për të qenë pjesë e ISIS. Shumë prej tyre informojnë burimet pranë shërbimit sekret shqiptar, kërkojnë të kthehen, por e kanë të pamundur, pasi në rast largimi, konsiderohet dezertim dhe hakmarrja e ISIS për ta, mund të shkojë deri në makabritet. Mbesin fatkeqë të manipuluar deri në palcë, por që tashmë i janë nisur një rruge pa kthim, që në momentin që pranuan të jetë pjesë e organizatës terroriste ISIS. Përsa i përket radikalizimit të fesë islame në vendin tonë, personat që iu bashkuan ISIS (edhe pa e kuptuar qëllimin e saj), janë krejt minorë në raport me frymën apo mijëra njerëz që praktikojnë besimin. E duke qenë se në dy muajt e fundit ka pasur një tendencë për shkrime të ndryshme nga media të huaja mund të jetë thjesht një koeçidencë, apo një tentativë për të shitur diçka, edhe aty ku nuk ka “treg” dhe tempi i imazhit negative të Shqipërisë mund të vijë drejt venitjes. Por kjo nuk përjashton mundësinë që grupe të ndryshme kriminale, si kudo në çdo vend të botës për të krijuar globin e tyre të paligjshmërisë dhe trafikut, tentojnë të krijojnë lidhje me këdo, pa marrë në konsideratë se është organizatë terroriste me karakter fetar apo me qëllime të tjera.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128