Ngjarja ndodhi në fshatin Mokër të Pogradecit, ku 37-vjeçari Kujtim Alla pësoi dëmtime në të gjithë trupin. Dyshohet që në konflikt të jetë përfshirë edhe administratori i Proptishtit, Gëzim Alla, që bashkë me katër vëllezërit e tij dhunuan rëndë djalin e xhaxhait. Familjarët e të plagosurit bëjnë përgjegjës kryesor administratorin dhe kërcënojnë se, nëse nuk merren masat, do kalojnë në vetëgjyqësi.
Për një vijë uji, gjashtë kushërinj përfshihen në një sherr të dhunshëm që mbyllet me plagosjen e njërit prej tyre, me vesh të prerë dhe brinjë të thyera.
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në fshatin Mokër të Pogradecit, ku Kujtim Alla u sulmua nga pesë vëllezër që janë njëkohësisht edhe djemtë e xhaxhait të tij.
Sherri ka nisur për një vijë uji që kalonte në tokën e 37-vjeçarit të plagosur dhe pikërisht në kohën që një fadromë po hapte kanalin, nisi sherri i dhunshëm që çoi në përdorjen e kosoreve dhe lopatave.
Sipas policisë, në konfliktin fizik u përfshi edhe administratori i njësisë administrative Proptisht, Gëzim Alla dhe 4 vëllezërit e tij, të cilët janë përleshur me djalin e xhaxhait të tyre, Kujtim Alla.
Dyshohet se në tokën e Kujtimit kishin futur një ekskavator me qëllim që të hapnin një vijë uji. Në ato momente ka mbërritur 37-vjeçari dhe pas debateve të ashpra me fjalë nisi përleshja fizike, që gati u kthye në një sulm të frikshëm që mund të përfundonte me pasoja edhe më të rënda.
Sipas policisë, 37-vjeçari Kujtim Alla ka marrë plagë të shumta në kokë dhe trup, por më të rëndat janë në veshin që i është prerë dhe në brinjë që rezultojnë të thyera.
Mësohet se policia ka shoqëruar në komisariat dhe po e mban ende në gjendje arresti shtetasin Vito Alla.
Megjithatë, familjarët e të plagosurit shprehen se autori kryesor është administrator i Proptishtit, Gëzim Alla.
Të afërmit e të dëmtuarit kërcënojnë me vetëgjyqësi nëse nuk bëhet drejtësi për ngjarjen, ndërsa i bëjnë një apel kryebashkiakut të Pogradecit, Eduart Kapri, që të marrë masa ndaj të emëruarit si administrator i Proptishtit.
Nga të dhënat e para mësohet se konflikti mes kushërinjve ka nisur rreth shtatë vjet më parë dhe bëhej fjalë pikërisht për një vijë uji që kalon në tokën e 37-vjeçarit.
Disa herë ka pasur sherr mes tyre, por ai i ditës së djeshme ka qenë i dhunshëm, që u mbyll me një vesh të prerë dhe disa brinjë të thyera.
Ndërkohë, burime policore shprehen se janë në fazën paraprake të hetimeve dhe pas dhënies së plotë të ndihmës mjekësore, i dëmtuari do të merret në pyetje për të treguar rrethanat e ngjarjes. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndalime të tjera për plagosjen e 37-vjeçarit.
Ndërkohë, drejt zonës ku ndodhi plagosja janë nisur efektivë të policisë që kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë që ishin dëshmitarë.
Në spitalin e Pogradecit gjendja ishte disi e tensionuar, pasi familjarë të Kujtim Allës ishin të revoltuar. Më të rëndë ngjarjen e bën edhe fakti se dyshohet që në sherr të jetë përfshirë edhe administratori i Proptishtit, Gëzim Alla.
Gjithsesi burime të policisë shprehen se nuk do të anashkalohet askush dhe po kryhen të gjitha hetimet për të përcaktuar dinamikën e krimit.
Mjekët konfirmojnë se 37-vjeçari ka humbur shumë gjak, por gjendja e tij shëndetësore për momentin është e stabilizuar dhe po kryhen të gjitha shërbimet e duhura.