Hetuesit besojnë se krimi ishte i porositur prej rivalëve të viktimave në linjat e trafikut të narkotikëve dhe ekzekutorët ishin të paguar. Një prej të vrarëve kishte precedent penal dhe hakmarrja nuk është përjashtuar nga hetimi
Pista kryesore e hetimit të policisë për vrasjen e dyfishtë në Durrës është ajo e prishjes së pazareve të drogës së Ervin Kodrës me një grup kriminal. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se shënjestër e atentatit ka qenë 33 – vjeçari nga Durrësi, person me precedentë të mëparshëm kriminal në trafikun e lëndëve narkotike. Atentati dyshohet të jetë bërë nga vrasës me pagesë, të cilët kanë studiuar të gjitha lëvizjet e Kodrës. Burime të policisë thonë se një nga të dyshuarit si ekzekutues i porosisë është një person nga Kavaja, i cili është shpallur në kërkim.
I përfshirë në konflikt dyshohet të ketë qenë edhe Erdrit Çaushaj, 25 – vjeçari nga Vlora. Por roli i tij nuk është përcaktuar ende. Policia dhe Prokuroria po hetojnë edhe aktivitetin e tij dhe lëvizjet e ditëve të fundit. Krimi që tronditi Durrësin, gjatë kohës ku kishte shumë lëvizje, ndodhi në afërsi të një lokali në lagjen numër tre të qytetit bregdetar. Dy shokët Ervin dhe Endri Çaushaj sapo kishin dalë nga një lokal dhe në momentin që u futën në automjetin e tyre dhe tentuan të largoheshin, mbi ta është zbrazur automatiku kallashnikov. Për pasojë Kodra dhe Çaushaj mbetën të vdekur në vend, pavarësisht tentativës së disa qytetarëve për t’i dërguar në spital. Policia ka mbërritur mjaft shpejt, duke përfituar edhe nga një autopatrullë që gjendej pak më larg, por autorët arritën të arratiseshin me shpejtësi. Krimi shkaktoi panik tek shumë qytetarë që sapo dëgjuan krismat e armëve u fshehën në lokalet që gjendeshin pranë, për t’i shpëtuar plumbave. Megjithatë autorët e kanë pasur të qartë objektivin dhe plumbat kanë depërtuar vetëm në automjetin dhe trupat e 33-vjeçarit Kodra dhe 25-vjeçarit Çaushaj. Gjithashtu automjeti “BMW X5”, me targa “AA 292 IH” ka shenja të dukshme të plumbave. “Nga hetimet paraprake, ka rezultuar se dy viktimat kanë qenë duke pirë kafe në një lokal dhe sapo kanë hipur në automjetin tip fuoristradë, me drejtues dhe në pronësi të viktimës Ervin Kodra është qëlluar me armë zjarri kundrejt tyre.
Makina tip BMW X6 me targa AA292IH do të drejtohej nga Torra Veneciane drejt Bankës Kombëtare”-shprehet zyrtarisht policia. Personat që bënë atentatin qëlluan me breshëri automatike në xhamin e parë të automjetit, për të qenë të sigurtë për vrasjen ata kanë bërë dy hapa me tej dhe zbrazën sërish armët në dyert e parme të automjetit ku ndodheshin të ulur Kodra dhe Çaushaj, dukë i lënë të vdekur në vend. Pasi u siguruan se kishin kryer ekzekutimin, dyshohet se u larguan me një automjet drejt Urës së Dajlanit dhe më pas kanë humbur gjurmët.