Gjykata e Lartë ka vendosur këtë të hënë të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për deputetin Armando Prenga.
Vendimi u mor nga anëtarët e kolegjit të Gjykatës së Lartë, kryesuar nga Mirela Fana, të cilët kanë pranuar në këtë mënyrë kërkesën e avokatëve.
Sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për të fajësuar deputetin dhe për këtë arsye ata kërkuan një masë më të lehtë sigurie.
Pavarësisht këtij argument, prokurorët kundërshtuan ndryshimin e masës së sigurisë, duke i kujtuar Gjykatës se mbi deputetin rëndojnë tre akuza, ajo e “kanosjes”, “plagosje e lehtë me dashje” dhe akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.
Prenga ndodhet i arrestuar qe prej 5 shtatorit, pas konfliktit me armë me familjen Cali për Lagunën e Patokut.
Një seancë më parë, Prokuroria dorëzoi në Gjykatë një provë të re në ngarkim të Prengës, që ishte akt-ekspertimi i gëzhojës së gjetur në vendin e ngjarjes, nga ku rezultoi se ajo i përket një pistoletë TT, e ndryshme kjo nga arma me leje që mbante deputeti Prenga.
Relatorja e këtij procedimi penal është gjyqtarja, Mirela Fana bashkëshortja e Neshat Fanës, avokatit të njohur të Sali Berishës.
Ajo lexoi vetëm dispozitivin, ndërsa vendimi i plotë pritet të zbardhet në faqen online të gjykatës.
Ndërkohë në rrjet ka shpërthyer zemërimi, si pas shumë vendimeve të tjera të debatueshme të drejtësisë.