Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

“Fitimet e recetave ndaheshin mes farmacive dhe depos”

$
0
0

farmaci-ilaceDepoja farmaceutike “Omega Farma” dhe farmacitë e përfshira në skemën e mashtrimit dyshohet se kanë ndarë mes tyre 2.2 milionë euro fitime vetëm nga rimbursimi i recetave fiktive të dy ilaçeve, insulinë dhe ketosteril. Dëshmitë e të “penduarve” zbardhin skemën e mashtrimit me rimbursimin e recetave fiktive, ndërsa prokuroria është në pritje të akt-ekspertimit për ilaçet e tjera.

Nga Leonard Bakillari

Dëshmitë e disa prej të arrestuarve si të përfshirë në skemën e mashtrimit me recetat fiktive kanë krijuar një panoramë më të plotë për mënyrën se si funksiononte kjo skemë e nisur që prej janarit të vitit 2013.

Deri tani është evidentuar depoja farmaceutike “Omega Farma” dhe të paktën 5 farmaci, të cilat me marrëveshje mes tyre kishin mundur të ndërtonin një mekanizëm fitimprurës, i cili vetëm për një ilaç ka prodhuar të paktën 2.2 milion euro të ardhura.

Por pjesë e mashtrimit dyshohet se janë edhe zyrtarë të Fondit të Sigurimeve, disa prej të cilëve tashmë të arrestuar dhe të tjerë të shpallur në kërkim. Zinxhiri i mashtrimit sipas të dhënave të prokurorisë nis nga depoja “Omega Farma”, e cila iu shiste farmacive ilaçe në mënyrë fiktive vetëm me një mandat të thjeshtë dhe pagesa kesh.

Ndërsa sipas ligjit, shitjet duhet të bëheshin me faturë tatimore dhe pagesat duhet të kalonin nëpërmjet sistemit bankar.

Skema e përzgjedhur e bënte thuajse të pamundur evidentimin e faktit se sasia e ilaçeve të shitura nga depoja ishte më e madhe se sasia e blerë prej saj.

Më pas, farmacitë, duke përdorur mekanizimin e falsifikimit të recetave dhe vulave të mjekëve, i paraqisnin këto ilaçe si të shitura, duke plotësuar një pjesë të skemës së mashtrimit. “Recetat” e shitjes së ilaçeve i paraqiteshin më pas Fondit të Sigurimeve, i cili duhet të bënte verifikimet përkatëse përpara se të rimbursonte sasinë e ilaçeve që i paraqiteshin si të shitura nga farmacitë.

Por këto verifikime nuk janë kryer asnjëherë dhe farmacitë janë rimbursuar sipas recetave që paraqisnin pranë Fondit.

Për mosfunksionimin e hallkës së verifikimeve, prokuroria bën përgjegjës ish-drejtorin e Fondit të Sigurimeve Tiranë, Pjerin Xhuvani, i cili u arrestua gjatë operacionit të parë të skandalit të ilaçeve dhe tashmë është me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Po ashtu, në proces hetimi janë edhe disa punonjës të Fondit të Sigurimeve Tiranë, përfshi edhe IT-në e këtij institucioni, i cili aktualisht ndodhet në qeli.

Bashkë me të, i arrestuar është edhe pronari i depos farmaceutike “Omega Farma”, Nadir Çausholli, i cili dyshohet se është në qendër të skemës së mashtrimit. Sipas prokurorisë mësohet se pasi plotësohej cikli i parë i skemës, pra lidhja depo-farmaci-Fondi i Sigurimeve, kishte edhe një tjetër cikël për të plotësuar gjithë qarkun, ku të përfshirë dyshohet se janë me dhjetëra persona.

Dëshmitë e marra nga prokuroria tregojnë se të gjitha farmacitë që dyshohet se janë të përfshira në këtë skemë, pasi merrnin paratë nga rimbursimi i recetave fiktive, një pjesë të tyre i rikthenin sërish në depo.

Një nga të dyshuarit i tha prokurorisë se ndarja e fitimeve ishte gjysmë për gjysmë, pra për çdo rimbursim që kryhej nga Fondi i Sigurimeve, gjysma e shumës mbahej nga farmacia dhe gjysma tjetër e parave i kalonte depos farmaceutike “Omega Farma”.

Për kryerjen e kësaj pagese, farmacistët shmangnin sistemin bankar, duke e bërë të vështirë provueshmërinë e këtij fakti, i cili do të vinte përpara përgjegjësisë ligjore jo vetëm pronarin e “Omega Farmës” dhe farmacistët, por edhe zyrtarët e Fondit të Sigurimeve.

Por megjithatë, prokuroria ka siguruar disa dëshmi që bëjnë të njëjtin pohim, pra ndarjen e parave përgjysmë mes depos dhe farmacive, çka mbështetet edhe nga një provë indirekte.

Bëhet fjalë për mandatet e arkëtimit, ku të gjitha farmacitë që kanë përfituar nga rimbursimi i recetave fiktive, barnat i kanë blerë me pagesa kesh pranë depos “Omega Farma”. Shumë prej tyre tashmë janë të identifikuara, por një pjesë tjetër e farmacive mbeten të panjohura për prokurorinë, pasi në mandate nuk është shënuar emri i blerësit.

Aty përshkruhet data, lloji i barit të blerë, pagesa kesh, por mungon emri i blerësit, pra i farmacisë që ka blerë barin.

Por burime të prokurorisë thonë se dëshmitë dhe provat e mbledhura nga hetimi i deritanishëm kanë krijuar një panoramë të qartë mbi mënyrën si funksiononte skema.

 

Çausholli: Po godisni një biznes që ka 40 për qind të tregut

Pronari i depos farmaceutike “Omega Farma”, i vënë nga prokuroria në qendër të skandalit me recetat fiktive, ka deklaruar në sallën e gjyqit se ai bën biznes të ndershëm.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurimit, Nadir Çausholli tha se kompania e tij zotëron 40 për qind të tregut farmaceutik në vend dhe për këtë arsye nuk është përfshirë në skemën e pretenduar nga organi i akuzës.

Ai tha se shifra për të cilën flet prokuroria është sa 1 për qind e xhiros që ka kompania e tij, çka do të thotë se nuk mund të ndërmerrte një risk të tillë, duke pasur parasysh ecurinë e biznesit të tij. I dyshuari tha se po goditej biznesi i tij.

Por pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata la në burg të dyshuarin, i cili bashkë me IT-në e Fondit të Sigurimeve janë dy nga 13 të ndaluarit që mbetën në qeli për skandalin e ilaçeve.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128