
ABC News ka mësuar se kapiteneria e Portit të Durrësit kanë njoftuar Policin e Shtetit se nga verifikimi i lëvizjeve të anijeve në ujërat shqiptare kanë identifikuar dy anije të dyshimta.
E para një anije italiane që transportonte hidrokarbure dhe një tjetër që është ankoruar në portin e Malit të Zi, e që transportonte mallra të ndryshme.
Burimet thonë se për të dy këto anije, është kërkuar nga portet përkatëse të verifikojnë depozitat e vajit të djegur të motorrëve, për të parë nëse janë të boshatisura.
Hetuesit dyshojnë se njëra prej këtyre dy anijeve, mund të ketë derdhur në ujërat shqiptare, disa milje larg bregut, tonelata të vajit të djegur të motorëve. Për të saktësuar vendin dhe kohën e derdhjes, mësohet se prokuroria e Durrësit ka kërkuar ekspert të flotës detare të ushtrisë dhe kapitenerisë së Durrësit për të specifikuar sasinë e mundshme të derdhjes, vendin dhe kohën që i është dashur solucionit të hedhur në det të mbërri në bregun e plazhit të Durrësit.
ABC News ka mësuar se prokuroria ka nisur hetimin e çështjes dhe janë ngritur dy pista hetimore.
Ajo e derdhjes me qëllim ndotjen e ujërave shqiptare dhe pista e dytë, është për të evituar detyrimet financare që anijet bëjnë në çdo port kur shkarkojnë në depozitat portuale vajin e djegur të motorrëve.
Për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë ekologjike, mësohet se prokuroria ka kërkuar ndihmë edhe nga Shërbimi Informativ Shtetërore, për të dhënat kofidenciale mbi këtë ndotje të ujërave shqiptare. Sipas prokurorisë, mësohet se është kërkuar nga kapiteneria e portit të identifikojë dhe verifikojë të gjitha lëvizjet e anijeve të transportteve që kanë kaluar në ujrat shqiptare 3 ditët e fundit.
Hetimet për ngjarjen në fjalë, janë regjistruar për akuzën e “ndotjes së ujërave” dhe nëse arrihet të provohet e identifikohet personi apo kompania që ka kryer këtë derdhje, sipas legjislacionin shqiptar rrezikon një dënim nga 5 deri 10 vjet burg. Pasi, si pasoj e derdhjes së vajit të djegur të motorrëve të anijes janë ndotur ujrat shqiptare me një perimetër rreth 3 km, nga zona e njohur si ura e Dajlanit e deri në afërsi të pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit./ABC News