Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur dy aktivitete nga punimet dhe arritjet e bashkisë në kryeqytet.
Në njërën, Veliaj paraqiste disa punime mirëmbatjteje dhe vijëzimi rrugor që po kryhen, duke shkruar: “Fillim jave në punë për një qytet ku Bashkia pushoi 4 vjet. Vijëzimi i rrugëve “Papa Gjon pali i 2′ & ‘Ismail Qemali’ dhe kryqëzimit midis rrugës “Bardhyl” & rrugës së ‘Dibrës’. Kujdes në timon natën, respektoni punëtorët në rrugët e qytetit. Po punojmë 24/7, për të rikuperuar degradimin”.
Ndërsa në aktivitetin tjetër, Veliaj paraqiti ato që sipas tij janë arritjet e bashkisë me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve të Tiranës.
“Epoka e pandëshkueshmërisë e abuzimit në Ujësjellës ka përfunduar”, – shkruante Veliaj, që bënte të ditur se “Vetëm në muajin e fundit kemi bllokuar 15 autobote që vidhnin ujin e qytetarëve të Tiranës, kemi arrestuar 10 punonjës të UKT dhe kemi bllokuar gjithashtu veprimtarinë e 13 lavazheve apo subjekteve private”.
Të gjitha të mësipërmet mund të jenë të vërteta, përveç arrestimit të punonjësve, i cili, edhe nëse ka ndodhur, ka qenë me siguri një vepër e policisë dhe jo e bashkisë, deri në provë të kundërt.