Pas disa orësh në qeli janë liruar para pak minutash 8 studentët protestues që goditën sot paradite kryeministrin Edi Rama me vezë.
Kryeministri Rama u qëllua me vezë teksa dilte nga Universiteti i Shkencave Sociale.
Studentët që qëlluan me vezë kryeministrin qëndruan disa orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në një kohë që jashtë dyerve të saj dhjetëra studentë dhe pedagogë nisën një protestë për lirimin e shokëve të tyre.
Më herët disa studentë vendosën të ngujohen përpara ambienteve të Drejtorisë së Policisë në Tiranë, për të kërkuar lirimin e studentëve që hodhën vezë në drejtim të makinës së kryeministrit Edi Rama.
“Njëra prej studenteve të shoqëruara, Viki Çipi, nga mjediset e komisariatit të policisë ka shkruar në Facebook se “na trajtuan kafshërisht dhe na dhunuan turpësisht” duke konfirmuar se reagimi ndaj kryeministrit kishte të bënte pikërisht me kundërshtimin e reformës së Arsimit të Lartë.
“Arsimi është e drejtë dhe jo privilegj për të pasurit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Për ngjarjen ka shkruar edhe FoxNews.
Në fakt është një raportim krejt i shkurtër i Associated Press, i shpërndarë në disa media të huaja.
Bie në sy se PD dhe PS nuk kanë pasur ndonjë reagim.
Demokratët, sidomos ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë reaguar në FB dhe duket se janë kënaqur nga ky reagim.
Por selia zyrtare nuk ka pasur reagim deri më tani.
Në rrjet disa i sugjerojnë PD-së që të mos e përvetësojë protestën, pasi do u përgjigjen si në rastin e protestave për armët kimike, kur Sali Berisha dhe Lulzim Basha u fishkëllyen pasi dolën në protestë.
Gazetari Gjergj Erebara ka postuar një shkrim për rastin kur protestuesit i kërkuan Berishës dhe Bashës të largohen nga sheshi.
Atij i është përgjigjur në FB deputetja demokrate, Jorida Tabaku.
“Gjergj une dhe shume te tjere nga opozita kemi gjithe te drejten morale per te dale ne mbeshtetje te studenteve. Per nje vit e gjysem kam folur per reformen e arsimit te larte kudo, dhe per me teper kam qene e vetmja qe jam perballur me ministren e arsimit per kete ceshtje, e as kam kerkuar ta politizoj! Pastaj nqs duan ti fusin te gjithe ne nje thes le ta bejne! Sidoqfte si pedagoge ndaj te njejtat shqetesime me ta, si deputete jam perpjekurt e coj zerin e tyre ne kuvend!” shkruan ajo.