Aplikimi për patentë i kushtoi burgun një të riu shqiptar, që ishte emigrant ilegal në Britani. Mediat vendase raportojnë se shqiptari 21-vjeçar, Xhuljano Zota, deklaroi para gjykatës se ishte detyruar të kërkonte azil në Britani, pasi është gay dhe në Shqipëri presekutohej për këtë.
Xhuliano Zota, 21 vjeç, u arrestua pasi aplikoi për të ndryshuar patentën e tij italiane në atë britanike. Autoritetet vunë në dijeni se ai po jetonte ilegalisht në Britaninë e Madhe.
“Gazetta live” shkruan se, i riu po mbahet në burgun “Holme House”. Ai tha në gjykatë se patenta me emrin Christiano Riccio, ishte përdorur si formë identifikimi, ndërkohë që sqaroi se e mori atë në Itali ku qëndroi për dy javë, kur po udhëtonte nga Shqipëria për në Angli.
“Kjo nuk është një çështje trafikimi. Ai po largohej për shkak të persekutimeve që i vinin nga prirjet seksuale”,- tha avokati i tij.
Gjykatësi u shpreh se nuk e dinte nëse për homoseksualitetin në Shqipëri kishte sjellje të ndryshme nga ajo në Britani. Vendimi për të do të jepet më 19 nëntor, ndërsa deri atëherë do të hetohet për pretendimet e tij.