Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Skema: Biznesmenët “grosistë” të kanabisit nga Shkodra në Vlorë

$
0
0

magazinProkuroria zbardh rolet e biznesmenëve të arrestuar për trafikun e 700 kilogramëve kanabis. Tre prej tyre monitoronin blerjen e kanabisit në zonën e Shkodrës, Krujës dhe jugut të vendit dhe më pas shoqëronin ngarkesat me drogë në një vilë në Porto-Romano të Durrësit. Mesazhet e përgjuara: Kemi 30 pako gati për t’i larguar nga vila.

Të arrestuarit për trafikimin e 700 kilogramëve kanabis që magazinohej në një vilë në qytetin e Durrësit, janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me role të përcaktuara qartë.

Ky është konkluzioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila në bashkëpunim me policinë hetoi këtë grup prej një muaji. Në kërkesën për caktimin e masës së sigurimit që do të dorëzohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokuroria zbardh rolin e secilit prej të arrestuarve, përfshi dhe tre biznesmenë, njëri prej të cilëve me rol të rëndësishëm.

Grupi i të dyshuarve dyshohet se kryente mbledhjen dhe më pas trafikun e kanabisit jashtë vendit që prej muajit qershor të këtij viti, kur policia ka mundur të sigurojë dhe informacionet fillestare për këtë veprimtari.

Lënda narkotike blihej në zonën e Shkodrës, Krujës, Fierit dhe Vlorës me paratë e biznesmenëve të arrestuar, ndërsa gjithë veprimtaria dyshohet se koordinohej nga Ajet Sulaj, vëllai i një biznesmeni të njohur në Tiranë.

Ai shoqëronte ngarkesat me lëndë narkotike që magazinoheshin në një vilë në qytetin e Durrësit, ku pasi paketoheshin, ishin të gatshme për trafik. Prokuroria thotë se pak përpara se të ndërhynte policia, njëri prej personave që paketonte lëndën narkotike njofton me sms krerët e grupit se 30 pako ishin gati për të dalë nga vila.

Sipas hetimeve të deritanishme rezulton se procedimi penal është regjistruar pas informacioneve se disa shtetas shqiptarë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal gjatë muajve qershor-korrik 2015 e në vazhdim, grumbullojnë sasi të mëdha lënde narkotike.

Bëhet fjalë për lëndë narkotike të llojit kanabis-sativa, e cila magazinohej në qytetin e Shkodrës, në objektin e shtetasit Bejto Kotaj, me qëllim trafikimin jashtë vendit.

Sipas hetimeve, përgjimeve dhe vëzhgimeve në terren, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mundur të ndërtojë skemën dhe rolet e secilit prej të arrestuarve, ku rolet kryesore i kanë biznesmenët Bejto Kotaj, pronar i një Pub-i në Tiranë, Pajtim Braçaj, pronar i një kompanie me aktivitet në fushën e hidrokarbureve dhe Ajet Sulaj, vëllai i një biznesmeni të njohur në Tiranë.

Qerim Xhaka dhe Bejto Kotaj kishin si detyrë të siguronin lëndën narkotike në zonën e Shkodrës dhe Krujës, ndërsa Ajet Sulaj siguronte lëndë narkotike jo vetëm në zonën e jugut, por blinte edhe kanabisin që siguronin Xhaka dhe Kotaj.

“Personi nën hetim, Qerim Xeka mblidhte lëndë narkotike kanabis të papërpunuar në fshatrat e Krujës, ndërsa Bejto Kotaj siguronte lëndë narkotike kanabis në zonën e Shkodrës. Personi nën hetim, Ajet Sulaj siguronte lëndën narkotike në tri drejtime: së pari në zonën e jugut, nga persona akoma të paidentifikuar, në zonën e Krujës te personi i dyshuar Qerim Xeka dhe në zonën e Shkodrës, te personi i dyshuar Bejto Kotaj”, thotë prokuroria.

Në gjetjen dhe transportimin e lëndës narkotike Qerimi ndihmohej nga djali i tij i quajtur Lutfi Xeka. Pasi sigurohej kanabisi, shtetasi Ajet Sulaj organizonte transportin e lëndës narkotike nëpërmjet të arrestuarve Naim (alias Festim) Xhelilaj dhe Pajtim Braçaj, i cili është pronar i një kompanie që operon në fushën e hidrokarbureve.

“Lënda narkotike transportohej me automjetin tip “Passat”, ngjyrë e zezë  me targe AA xxx JN. Transportimi i lëndës narkotike bëhej duke u shoqëruar në distancë nga një automjet tjetër nga Pajtim Braçaj ose Ajet Sulaj”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Pas transportit, kanabisi dërgohej në një vilë, ndodhur në afërsi të Porto-Romanos në Durrës, e cila vendosej në ambiente të ndryshme dhe përpunohej nga Iqmet Pashollari, pronari i vilës dhe dy djemtë e tij që tashmë janë shpallur në kërkim.

“Nga të dhënat e hetimit rezulton se automjeti tip ‘Passat’ ka dërguar më shumë se 4 ose pesë herë lëndë narkotike në këtë shtëpi. Banesa ku grumbullohej lënda narkotike mbahej në mbikëqyrje nga personat e dyshuar Valter dhe Euglen Pashollari, të cilët merreshin edhe me paketimin e lëndës narkotike. Kontaktet me mbikëqyrësit e shtëpisë ku grumbullohej kanabisi mbaheshin nga personi nën hetim, Ajet Sulaj”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Tashmë prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 të arrestuarit, ndërsa kërkesa pritet të shqyrtohet sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

 

Përgjimet: Kemi 30 pako gati për të larguar nga vila

Pak përpara ndërhyrjes së policisë, vëllezërit Pashollari kanë njoftuar shtetasin Ajet Sulaj se kishin gati 30 pako, të cilat sipas prokurorisë dyshohet se do të trafikoheshin jashtë vendit. Por, edhe pse policia mbante nën mbikëqyrje vilën, dy vëllezërit Pashollari arritën t’i shpëtojnë aksionit të policisë.

Prokuroria thotë se të dyshuarit kanë qenë në vëzhgim që prej 25 shtatorit të këtij viti, kur është evidentuar edhe rasti i parë i grumbullimit të lëndës narkotike në vilën e Iqmet Pashollari.

Gjatë kësaj kohe, grupi i vëzhgimit ka evidentuar edhe katër raste të transportit të lëndës narkotike në vilë, e cila vendosjen në ambiente të ndryshme dhe më pas paketohej nga vëllezërit Pashollari.

Derisa në momentin e ndërhyrjes së policisë nuk është evidentuar asnjë rast daljeje i lëndës narkotike, por vetëm magazinim dhe paketim. Ditën e operacionit të policisë, vëllezërit Pashollari kanë njoftuar se kishin gati një sasi kanabisi të paketuar.

“Në datë 15 tetor, nga ana e personit që mbante nën mbikëqyrje vilen është dërguar mesazh se ishin gati 30 pako të përpunuara, të cilat mund të largoheshin nga vila”, thotë prokuroria.

Nga ana e policisë gjyqësore, e cila mbante në vëzhgim shtëpinë ku ndodhej lënda narkotike, është ndërhyrë në datë 16 tetor në shtëpinë përkatëse, në gjendjen e flagrancës, pasi nga të gjitha të dhënat e mbledhura dilte qartë aktiviteti kriminal i të dyshuarve.

“Konkretisht, më datë 16.10.2015, rreth orës 20:00, është ushtruar kontroll në gjendjen e flagrancës në banesën e shtetaseve Hyqmet Pashollari dhe Valter Pashollari. Nga kontrolli i ushtruar dhe konkretisht në katin e dytë të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 668 kg e 337gr kanabis-sativa”, thotë prokuroria.

Gjithashtu u gjendën dhe sekuestruan edhe një peshore elektronike, një pajisje vakuumi që shërben për presimin e lëndës narkotike, si dhe një sasi qesesh vakuumi prej plastmasi dhe ngjitës transparent që shërben për paketimin e lëndës narkotike. Pas gjetjes së lëndës së dyshuar si narkotike është bërë edhe arrestimi në flagrancë i të dyshuarve.

Në operacion morën pjesë policia e Shkodrës, Durrësit, Tiranës si dhe forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilët ndaluan të dyshuarit në Tiranë e Durrës. Mes tyre janë edhe tre biznesmenë, të cilët zotërojnë një lokal në Tiranë dhe një kompani nafte me aktivitet në qytetin e Fierit.

 

Të arrestuar:

Iqmet Pashollari pronari i vilës

Festim Xhelilaj, transportues i lëndës narkotike

Lutfi Xeka, kultivues i kanabisit

Qerim Xeka, kultivues i kanabisit

Pajtim Braçaj, biznesmen/financues

Ajet (Alket) Sulaj, biznesmen/financues

Bejto Kotaj, biznesmen/financues

Në kërkim:

Valter Pashollari, paketues i kanabisit

Euglen Pashollari, paketues i kanabisit

Akuzua:

“Prodhim dhe shitje të narkotikëve më shumë se një herë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”

“Krijimi i grupit të strukturuar kriminal”

“Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Latest Images