Dënohet me 1 vit burg një qytetar, i cili u konfrontua me punonjësit e policisë gjatë grevës së urisë së punonjësve të shkarkuar nga administrata.
Greva e urisë u mbajt verën e shkuar dhe u përkrah edhe nga deputetët e opozitës.
Rasim Hashani, 29 vjeç, do shkarkonte me kamionçinën e tij disa tualete portativë në vendin ku po mbahej greva.
Tualetet do i shërbenin grevistëve.
Por policia nuk e lejoi.
Atëherë një grup deputetësh të PD si Flamur Noka, Keltis Kruja apo Genti Strazimiri, së bashku me militantë dhe me vetë Rasim Hashanin, u përplasën me forcat e policisë.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Hashani jo vetëm ka shtyrë policin Bashkim M., por edhe ka goditur dhe ai është përkulur paksa dhe i ka rënë kapelja.
E gjithë skena është fiksuar nga kamerat e një makine të forcave “Shqiponja”.
Vetëm Hashani përfundoi në gjyq.
Ai është dënuar me 1 vit burg me akuzën e ‘goditjes për shkak të detyrës’.
Megjithatë gjykata ia pezulloi dënimin në liri me kusht për një periudhë 2-vjeçare.