Ka kaluar rreth një vit e gjysmë që nga dita kur këngëtari 23-vjeçar, Renato Hamzai, i njohur si këngëtar i tallavasë, figuron i zhdukur. Humbja e tij mbetet mister për familjen.
Në banesën e Renit, ku aktualisht jeton nëna e tij bashkë me djalin, nusen e Renit dhe vajzën e tij një vjeçe e gjysmë, ka pllakosur heshtja, lotët dhe malli për djalin, vëllain dhe bashkëshortin e zhdukur, pa lënë asnjë gjurmë.
Silvana, nëna e Renit, për herë të parë akuzon se djali i saj është zhdukur nga Indrit Shaqja, i cili akuzohet për vrasjen e dy kunatave të moshuara në Durrës.
Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama”, nëna e Renit, Silvana, rrëfen kalvarin e gjatë të vuajtjes së saj që nga zhdukja e djalit e deri në ditën e sotme, ku vazhdon të qëndrojë në dyert e Policisë për të gjetur qoftë edhe një gjurmë të të birit.
Pse dyshoni tek Indrit Shaqja?
Katër ditë para se të zhdukej, Reni ishte në Durrës ku edhe këndonte në një lokal. Aty i vjen Indriti dhe i thotë se kishte zë të mirë, dhe i propozoi një lokal tjetër, ku do të paguhej më mirë.
Kur erdhi në shtëpi, djali më tregoi se pasi mbylli punën në lokalin ku këndonte në Durrës, Indriti dhe dy djem të tjerë, që nuk i identifikonte dot nëse ishin kosovarë apo tropojanë, i treguan një lokal tjetër ku Reni do të paguhej 50 mijë lekë nata, më shumë se te lokali ku këndonte gjithnjë në Durrës.
Aty është njohur për herë të parë Reni me Indritin, dhe ditën e nesërme, në datën 26 qershor, Reni vjen në shtëpi dhe më tregon për takimin dhe propozimin që Indriti i kishte bërë.
Pse mendoni se Indriti mund të ketë gisht në zhdukjen e Renit?
Sepse Reni më herët kishte një lidhje me një vajzë, e cila edhe ajo ishte balerinë në lokale. Reni e kishte njohur disa vite më parë.
Vajza, Redona Daullxhiu, ishte dikur e martuar dhe kishte edhe një fëmijë, por që ia mbante nëna në Tiranë. Reni nisi një lidhje me të dhe unë shqetësohesha shumë, pasi ajo i merrte edhe paratë që Reni këndonte në lokale.
Si nënë që isha, bëra të pamundurën që ta ndaja këtë lidhje, sepse doja që djali im të kishte një familje të rregullt. Ajo e mësoi këtë gjë dhe herë pas here më kërcënonte duke më thënë se “këtë djalë nuk ke për ta gëzuar ndonjëherë, ke për ta qarë”, por unë nuk iu besoja fjalëve të saj.
Sa zgjati lidhja e Renit me vajzën?
Kjo lidhje zgjati rreth tre vjet dhe pastaj Reni iku në Greqi. Kur u kthye, u njoh me nusen e tij dhe unë isha shumë e lumtur që djali u lidh me të dhe më pas u martuan.
Kur nusen e kisha tetëmuajshe shtatzënë, mësova se Redona rikthehet sërish në jetën e tij dhe herë pas here shkonte e takonte në lokalin ku punonte Reni në Durrës.
Dhe ditën që Reni është zhdukur, ajo është parë nga dëshmitarë të shumtë në Elbasan, madje duke folur edhe në telefon. Madje një ditë para se të zhdukej, Reni e ka parë me disa djem te një lokal në Elbasan, dhe iu desh të ndërronte lokal që të mos përballej me të.
Çfarë ndodhi ditën e zhdukjes së Renit?
reniDitën që Reni u zhduk, që kur u zgjua në mëngjes, Indrit Shaqja e merrte në telefon dhe i thoshte që ishte në Elbasan dhe kërkonte të pinte një kafe me të.
Ai këmbënguli me telefonata dhe po atë pasdite të datës 29 qershor Reni i la takim në një lokal, por që asnjëherë nuk u ul aty. Dëshmitarët tregojnë se Reni hipi në një mjet ngjyrë qumështi dhe që nga ajo ditë asgjë nuk dihet për djalin tim. Jam e bindur se atë e ka vrarë apo zhdukur Indrit Shaqja.
Ndoshta në këtë rrëmbim të djalit tim ka gisht edhe ish-e dashura e tij, e cila ka një shoqëri të zgjeruar me tipa të tillë kriminelësh. Ajo kam bindjen se e ka bërë për xhelozi se Reni u martua dhe nuk ka ditur si të hakmerret ndaj djalit tim.
Ndoshta ka vendosur që nëpërmjet miqve të saj, që kush e di se si i shpërblen, ka vepruar në këtë mënyrë duke ma zhdukur djalin nga faqja e dheut.
Ju po bëni një akuzë të fortë rreth këtyre dy personave…
Po, dhe kërkoj menjëherë ndërhyrjen e shtetit, kërkoj që Krimet e Rënda të hetojnë që nga nisja e kësaj historie e deri në vijim, dua të gjej djalin, të paktën edhe po të jetë i vdekur, të ketë një varr ku të qaj djalin tim. I kam rritur jetimë dy djemtë, pasi babai i la fare të vegjël.
Nuk kam më forcë e vetme. I lutem ministrit të Brendshëm, Kryeministrit, të gjitha mediave të më ndihmojnë të gjej Renin. Ai është vetëm 23 vjeç dhe akoma nuk e ka nisur jetën. Ka një vajzë të vogël që nuk mundi dot ta shihte kur lindi. Ishte tetëmuajshe në barkun e nënës dhe tashmë është një vit e gjysmë.
Vajza sapo ka nisur të flasë, fjala e parë që ka thënë është “babi”. Vajza kërkon babin e saj, unë kërkoj djalin, ndërsa nusja fare e re kërkon bashkëshortin.
Çfarë informacionesh keni mundur të merrni rreth zhdukjes së Renit?
Disa fqinj më kanë thënë se ditën e fundit që Reni është zhdukur është parë duke hipur me zor në një mjet shumë pranë shkollës Pedagogjike nga dy persona. Ndërsa në rrethrrotullimin e 1 Majit, po atë natë Reni është përpjekur t’ia bëjë me dorë nga po ky mjet djalit të hallës së tij që po kalonte rastësisht aty.
I keni deklaruar këto në Polici?
Po, unë thuajse më shumë ditët i kaloj në Polici sesa në shtëpi. Shefi i Krimeve e mori në pyetje Redonën, por dy ditë më pas e la të lirë, pasi nuk kishte asnjë provë që e implikonte atë në rrëmbim.
Unë kërkoj që të merren tabulatet e telefonatave që më kanë marrë mua, të verifikohen personat që shkruajnë në “FB” e Renit dhe të nipit tim, ku edhe na shkruanin se Reni është sëmurë në koma etj.
Të merren kamerat e sigurisë në rrugët ku Reni ka qenë atë ditë ku edhe është marrë me zor dhe është futur zvarrë në makinë. Dhe ajo që dua më shumë nga Policia është që të shkojë në qelinë e Indrit Shaqjes dhe të pyesë për Renin. Jam e sigurt se ai e ka vrarë djalin tim, në mos e ka vrarë, dua të di ku e kam djalin, çfarë i kanë bërë djalit tim./Panortama/