Kompania “AM-L Group” në pronësi të vëllezërve Arben dhe Mark Frroku, e cila operon në fushën e hoteleri turizmit, ndërtimit dhe shërbimeve të ndryshme është vënë nën sekuestro për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, shkruan A1 Report.
Shkak për këtë sekuestro është bërë një detyrim tatimor prej 8.6 milionë lekë që AM-L Group i detyrohet shtetit në zëra të papaguara si tatim-fitimi, tatim i vlerës së shtuar dhe sigurime shoqërore.
Vendimi i sekuestros mban datën 12 maj të këtij viti shoqëruar me firmën e drejtorit rajonal të Tatimeve Androkli Kokthi dhe Qendra Kombëtare e Bizneseve ka bërë aktiv këtë sekuestro më datë 22 qershor 2015.
Arben Frroku aksioneri i kësaj shoqërie me 50 % të aksioneve është në kërkim nga Policia e Shtetit pas vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda i cili rikthen ndaj tij dënimin me burg për jetë për vrasjen e kryepolicit Dritan Lamaj shkurtin e vitit 2013.
Ndërkohë vëllai i tij deputeti kristian demokrat Mark Frroku i cili po ashtu disponon 50 % të aksioneve pranë AM-L Group qëndron në burg pas hetimeve të nisura dhe akuzës që rëndon ndaj tij për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurti në vitin 1999 në Belgjikë.