Partia Demokratike komentoi të premten një deklaratë të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, mbi disa akuza se makina e tij është përdorur për trafik.
“Si pa të keq, ndoshta nën efektin e substancave trullosëse Saimir Tahiri pranoi mbrëme në heshtje faktin se makina e tij private është përdorur nga habilajt për transport droge por ai nuk paska lidhje se e paskësh shitur makinën.
Ministri i Brendshëm pranoi se Audi që kanë përdorur trafikantët për të pasur lehtësi në lëvizjet e tyre, brenda vendit dhe në pikat kufitare, është makina e tij.
Pra e famshmja AA003GB, vetura e Saimir Tahirit është përdorur nga habilajt e drogës, siç dëshmoi oficeri Zagani.
Eshtë përdorur makina e Saimirit nga bandat sepse me këtë targë askush nuk i ndalonte ato, madje i nderonin kudo.
Në një përpjekje të dëshpëruar për t’iu fshehur akuzave, Tahiri tha se e kishte shitur makinën.
Por nëse e paskësh shitur, por s’ka as dokument dhe as kupon, atëherë është veprim në të zezë që dënohet me ligj.
Pikërisht në kohën që qeveria e tij po i merr shpirtin të pamundurve me kërbaç në dorë, kur Tahiri arreston e rras në burg berberë pa kupon tatimorë, ky vetë paska shitur pa letra makinën e tij.
Një krim i dyfishtë në sytë e të gjithë qytetarëve dhe para ligjit,” tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani.
“I gjendur përballë akuzave të rënda të oficerëve të lartë të policisë si kumbar i bandave të drogës, Tahiri fsheh një krim, me një krim tjetër.
Pas këtij pohimi, ministri i Brendshëm i Ramës është nën akuzë të dyfishtë: për lidhje me bandat e drogës dhe për evazion fiskal dhe fshehje pasurie.
Ministri i Brendshëm ka pranuar haptasi se nuk i njeh e nuk i respekton vendimet e gjykatave, por u fshihet atyre.
Këtu kemi mbërritur.
Në këtë ditë na ka sjellë krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim.
Skandali thellohet edhe më tej nëse rezulton se edhe pas shitjes në të zezë të Audit me targë AA003GB, me atë makinë kanë lëvizur habilajt e drogës dhe më pas Tahiri ose familjarët e tij, e prapë habilajt. Çka provon se Tahiri nuk e ka shitur automjetin, por gënjen publikisht.
Saimir Tahiri duhet të largohet menjëherë, duhet të largohet tani nga zyra, dhe një hetim i plotë duhet të nisë pa humbur kohë”, vijoi Ristani.