Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Ja kush digjet nga ligji i dekriminalizimit

$
0
0

ermonela felajQeveria ka miratuar dje projektligjin për dekriminalizimin. Ndalohet të zgjidhen dhe emërohen ata që janë dënuar minimumi dy vjet me vendim të formës së prerë. Pezullohen ata që janë dënuar me dy vite në gjykatë të shkallës së parë. Lista me 79 vepra penale

Ashtu siç e kishim premtuar dhe paralajmëruar, qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e djeshme projektligjin “Për legjitimitetin e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili parashikon të ndalojë të zgjidhen apo të emërohen të gjithë ata persona të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë për një kategori veprash penale deri minimumi dy vite burg.

Po ashtu, ai parashikon të ndalojë zgjedhjen dhe ushtrimin e detyrës edhe për ata persona për të cilët nuk ka një vendim të formës së prerë, por vetëm vendim të shkallës së parë.

Në një dalje të posaçme për mediat pas mbledhjes së djeshme të qeverisë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj theksoi se nëpërmjet kësaj nisme, qeveria shqiptare i jep zgjidhje përfundimtare debatit të kohëve të fundit mbi të ashtuquajturin “dekriminalizim”.

Felaj bëri të ditur se falë kësaj nisme të Këshillit të Ministrave, frymëzuar nga ligji italian “Severino” dhe praktikat më të mira ndërkombëtare që adresojnë të njëjtën problematikë, qeveria shqiptare iu jep votuesve mundësinë për t’u njohur me të shkuarën e secilit prej kandidatëve që pretendojnë të zgjidhen, emërohen apo të ushtrojnë funksione publike në Republikën e Shqipërisë.

“Përmes këtij ligji hapet një faqe e re në historinë e demokracisë shqiptare. Asnjë individ, që në të kaluarën e tij është dënuar në gjykatat vendase apo të huaja, nuk do të ketë mundësi të zgjidhet apo të emërohet në ndonjë funksion publik dhe as të fshehë të kaluarën e tij të errët”, – tha Felaj në një deklaratë për mediat menjëherë pas mbledhjes së djeshme të qeverisë ku dhe u miratua projektligji në fjalë, i cili tashmë do t’i kalojë për shqyrtim Kuvendit të Shqipërisë.

Konkretisht, Këshilli i Ministrave përmes këtij projektligji propozon që ndalohen të zgjidhen deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë në këshillin bashkiak, të emërohen në detyrën e Kryeministrit, apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, si dhe të zgjidhen në funksione për të cilat voton Parlamenti, këshillat bashkiakë apo këshillat e qarkut; të gjithë personat e dënuar, brenda apo jashtë vendit, me vendime gjyqësore të formës së prerë, për një sërë krimesh të rënda të kryera me dashje e që përcaktohen shprehimisht në këtë projektligj.

Gjithashtu, Felaj bëri të ditur se ndalimi për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur do të zbatohet edhe ndaj personave që kanë kryer krimet e parashikuara në ligj edhe për rastin kur ndaj tyre janë dhënë vendime dënimi nga gjykatat e shkallës së parë.

Pra, janë dhënë vendime dënimi jopërfundimtare, ose ndaj të cilëve është vendosur një masë sigurimi personal, apo është lëshuar një urdhër kërkimi nga një autoritet gjyqësor i huaj.

Për këtë kategori personash ndalimi do të zgjasë deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit të arrestit ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë.

Ndërkohë që në rast se do të rezultojë që të sipërshënuarit, janë tashmë të zgjedhur apo të emëruar, apo janë duke ushtruar një funksion publik, ata do të pezullohen nga çdo lloj funksioni i tillë deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit të kërkimit ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë. Kjo pikë duket se prek edhe kreun e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.

“Sa i takon kategorisë së personave të dënuar, ndalimi për të kandiduar, zgjedhur ose emëruar në funksione publike do të jetë në përpjesëtim me rëndësinë e veprës që ata kanë kryer, në kuptimin që për veprat penale më të rënda, të nominuara shprehimisht në ligj dhe të gjendura në listën bashkëlidhur, ndalimi do të jetë përjetë”, – tha Felaj.

Gjithashtu ministrja bëri të ditur se projektligji parashikon që për vepra të tjera penale ose për dënime të caktuara, ndalimet do të jenë me afate.

Kështu, 20 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit me burg për dënime që lidhen me veprat penale të korrupsionit apo ato që cenojnë zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve dhe 10 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit në burg për personat që janë dënuar me jo më pak se dy vjet burg.

 

 

Projektligji, pastërtia do bëhet me anë të vetëdeklarimit

Verifikimi i të dhënave që përbëjnë shkak për pazgjidhshmëri dhe pakandidueshmëri, do të bëhet përmes vetëdeklarimit të subjektit që kërkon të kandidojë, të zgjidhet apo të emërohet, e mandej përmes verifikimit që do të kenë për detyrë të kryejnë të gjitha organet shtetërore që konform detyrës së tyre funksionale, të përcaktuar nga ligji ose Kushtetuta, do të administrojnë këtë lloj dokumentacioni.

Refuzimi për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit apo mosdorëzimi i tij, do të përbëjnë shkak për mosregjistrimin e kandidatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, apo për mos emërimin nga organi përgjegjës.

Të dhënat e formularit të vetëdeklarimeve parashikohen të jenë publike, ndërkohë që titullari i formularit do të mbajë përgjegjësi penale në rast të të dhënave të rreme ose të shtrembëruara. Verifikimet për të dhënat e personave në fjalë, do të kryhen si brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar ngushtë me organin e Prokurorisë apo çdo organ tjetër kompetent që disponon informacionin që nevojitet.

Jo vetëm të dhënat e vetëdeklarimeve, por dhe rezultatet e verifikimeve parashikohet të jenë publike dhe kjo shkon në vijë të drejtë me gjithë frymën e ligjit, rritjen e besimit të publikut përkundrejt përfaqësuesve të vetë në rang kombëtar apo lokal, dhe administratës publike.

Ligji parashikohet të ushtrojë veprimin e tij dhe ndaj të gjithë atyre që janë zgjedhur, emëruar ose janë duke ushtruar funksione publike, pikërisht përmes të njëjtave instrumente, vetëdeklarimeve dhe më tej verifikimeve nga organet përgjegjëse.

Qeveria dhe mazhoranca në Kuvend do paraqesin menjëherë në Parlament këtë projektligj, së bashku me draftin për ndryshimet kushtetuese që reflektojnë parimet e kësaj nisme, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj çështje me interes publik.

“Dua të theksoj se jemi të gatshëm të ballafaqohemi konstruktivisht me opozitën mbi këtë projekt dhe të integrojmë në të çdo kontribut që është në përputhje të plotë me frymën dhe germën e ligjit “Severino”, që nuk cenon asnjë standard ndërkombëtar dhe që nuk përbën asnjë lloj shpikje alla shqiptarçe”, – tha Felaj.

 

Lista e veprave penale, dënimi për të cilat ndalon këdo dhe përjetë, nga ushtrimi i funksioneve publike, zgjedhja apo emërimi në to.

  1. Genocidi
  2. Krime kundër njerëzimit
  3. Krimet e luftës
  4. Vrasja me dashje
  5. Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër
  6. Vrasja me paramendim
  7. Vrasja për gjakmarrje
  8. Vrasja në rrethana të tjera cilësues
  9. Vrasja e funksionarëve publikë
  10. Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit
  11. Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare
  12. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve material për të kryer vrasje
  13. Tortura
  14. Tortura me pasoja të rënda
  15. Plagosja e rëndë me dashje kur ka sjellë si pasojë vdekjen apo e kryer kundër disa personave, ose atyre që janë bashkëshort/bashkëjetues, gjini e afërt/krushqi e afërt
  16. Shitblerja e transplanteve
  17. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur
  18. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç
  19. Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura
  20. Marrëdhënie homoseksuale me dhunë me të rritur
  21. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur
  22. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës
  23. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën
  24. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari
  25. Vepra të turpshme
  26. Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit
  27. Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë
  28. Zhdukja me forcë
  29. Trafikimi i personave të rritur
  30. Veprimet që lehtësojnë trafikimin
  31. Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera
  32. Shfrytëzimi i prostitucionit
  33. Trafikimi i të miturve
  34. Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën
  35. Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit
  36. Vjedhja me armë
  37. Vjedhja me pasojë vdekjen
  38. Trafikimi i mjeteve motorike
  39. Skemat mashtruese dhe piramidale
  40. Dëmtimi i objekteve mbrojtëse
  41. Sigurimi i mjeteve për shkatërrimin e teknikës luftarake
  42. Marrja e shpërblimeve
  43. Vënia në shërbim të shteteve të huaja
  44. Atentati
  45. Komploti
  46. Kryengritja
  47. Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës
  48. Thirrjet publike për veprime të dhunshme
  49. Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese
  50. Shpërndarja e krimeve antikushtetuese
  51. Vepra me qëllime terroriste
  52. Financimi i terrorizmit
  53. Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin
  54. Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur
  55. Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit
  56. Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste
  57. Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprimeve me qëllime terroriste
  58. Kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste
  59. Krijimi i turmave të armatosura
  60. Prodhimi i armëve luftarake
  61. Organizata terroriste
  62. Banda e armatosur
  63. Trafikimi i armëve dhe i municionit
  64. Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese, radioaktive
  65. Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
  66. Trafikimi i narkotikëve
  67. Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale
  68. Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
  69. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë
  70. Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë
  71. Organizata kriminale
  72. Grupi i strukturuar kriminal
  73. Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal

Vepra të tjera

  1. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
  2. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë
  3. Shpërdorimi i detyrës
  4. Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose të ardhurave të tjera nga sigurimet shoqërore
  5. Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
  6. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Trending Articles