Një bandë e specializuar në grabitje dyqanesh, baresh e qëndra shërbimi ishin bërë terrori i sipërmarrësve në disa komuna e qyteza të Italisë.
Policia italiane ka arrestuar tre shqiptarë si anëtarët e kësaj bande që kishte kryer disa grabitje brënda e përreth qyteteve të Arezos e Riminit.
Dy prej tyre u arrestuan natën e 1 shtatorit, ndërsa anëtari i tretë i moshës 25 vjeç, i konsideruar dhe si kreu i kësaj bande, kishte mundur t’i shmangej forcave të rendit duke u arrestuar 2 ditë më vonë në provincën e Riminit.
Policia italiane ka regjistruar vetëm gjatë javës së fundit 10 grabitje të kryera nga tre shqiptarët, ndërsa vazhdon hetimet e ekzaminimit të të gjitha grabitjeve të denoncuar deri më tani në territoret ku vepronte kjo bandë.
Identifikmi i tyre u bë falë videokamerave të instaluara në ambientet e brendshme të lokaleve të grabitura si dhe nga bashkëpunimi mes forcave të rendit e të qytetarëve.
Të tre shqiptarët do t’i nënshtrohen gjykimit të shkurtuar duke u riatdhesuar më pas në Shqipëri.
Ndërkohë një foto e postuar tek “Jeta osh qef” tregon se si hajdutët shqiptarë, që në rrjet njihen me nofkën “skifterat”, kishin vjedhur shtëpinë e një shqiptari, por kur e kuptuan se e kishin bashkëatdhetar, ia kthyen dokumentet.
“Një mikut tim në Trento të Italisë i kanë hyrë skifterat në shtëpi! Shyqyr Zotit i kthyen dokumentet duke lënë portofolin në ballkon, me këtë shënimin në foto”, thotë postuesi.