Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Dosja: Ja si u ngrit ‘perandoria’ e Dash Gjokës

$
0
0

policiaaaaaMe kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në sekuestro 11 mijë metër katror truall, ndërtime e biznese, si dhe 15 mijë metër katror tokë arë. Pasuria në pronësi të Dashamir Gjokës, dyshohet se është vendosur nga aktivitet i paligjshëm jashtë vendit, pasi ai rezulton i dënuar nga gjykata italiane me 7.5 vite burg, si drejtues i një organizate kriminale që shfrytëzonte femra për prostitucion

 

Një dënim i vitit 2009 nga drejtësia italiane i ka kushtuar sekuestrimin e të gjitha pronave shtetasit shqiptar Dashamir Gjoka, pronar i kompleksit “Gjoka” në Shijak.

Edhe pse i dyshuari është i lirë, pasi gjykata refuzoi ekstradimin e tij drejt Italisë, në kuadër të ligjit Antimafia, prokuroria dhe gjykata dyshojnë se pasuritë e tij janë krijuar me burime jo të ligjshme. Për herë të parë, problemet e Dashamir Gjokës me drejtësinë kanë nisur në vitin 2013, kur ai është arrestuar në Shqipëri për llogari të drejtësisë italiane, por të tria gjykatat kanë refuzuar kërkesën për ekstradim.

Në kuadër të hetimit pasuror të kryer nga Prokuroria e Durrësit, gjykata e këtij rrethi fillimisht ka sekuestruar dhe më pas ka liruar pasuritë e të dyshuarit. Vendimi për sekuestrimin e pasurive të tij u mor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kuadër të ligjit Antimafia, pasi pronari i këtyre pasurive nuk ka mundur të provojë burimin e ligjshëm të tyre.

Sipas prokurorisë bëhet fjalë për sekuestrimin e kompleksit “Gjoka”, i cili ndodhet në Shijak dhe që është ndërtuar mbi një sipërfaqe prej 6949 m2. Në përbërje të tij ka njësi shërbimi të tilla si bar, restorant, supermarket, motel, terrene sportive, pishinë, si dhe një magazinë. Ende nuk dihet vlera reale e këtij kompleksi, pasi ai ka qenë në proces legalizmi dhe pronari i tij, shtetasi Dashamir Gjoka e ka vetëdeklaruar vlerën në shumën e 1 miliard e 700 milionë lekëve të vjetra.

Por prokuroria dyshon se vlera e tij është shumë herë më e lartë dhe i dyshuari nuk ka mundur të provojë burimin e ligjshëm të parave. Po ashtu, në listën e pronave të sekuestruara janë një ndërtesë dhe truall me sipërfaqe 1247 m2, si dhe pasuria me sipërfaqe 928 m2, brenda të cilit ka një objekt të ndërtuar. Ndërsa pjesa tjetër e pasurisë janë të paktën shtatë toka arë dhe ullishte me sipërfaqe 15 mijë metër katror.

Në një njoftim për mediat prokuroria sqaron se pronat e regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, nga Shijaku, Durrës, dyshohet se janë vënë nga veprimtari kriminale që ai ka kryer jashtë vendit.

“Në aktet e administruara në Prokurorinë e Përgjithshme, të mbërritura nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata e Apelit e Milanos më datë 29.11.2007, vendim që është bërë përfundimtar më datë 07.10.2009, me 7 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale të organizatës kriminale që synon shfrytëzimin e prostitucionit dhe të tjerë”, thotë prokuroria.

Sipas akuzës, episodet për të cilat është deklaruar fajtor dhe dënuar shtetasi Dashamir Gjoka, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003.

“Në këto episode, shtetasi Dashamir Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Puglia dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetasit italian të grave me origjinë nga Europa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit”, thotë prokuroria.

Sipas informacionit të autoriteteve italiane, shtetasi Dashamir Gjoka rezulton si drejtues i organizatës në fjalë dhe të hollat e siguruara nga ky aktivitet kriminal merreshin dhe i dërgoheshin atij në Shqipëri. Sipas provave në gjykim, me të ardhurat e marra ai kishte blerë disa prona në Shqipëri.

“Paralelisht me shqyrtimin gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, për të verifikuar burimin e pasurive të tij, për të cilat kishte dyshime se ishin krijuar nga aktiviteti i paligjshëm në Itali. Fillimisht, me kërkesë të prokurorisë, në datë 17.03.2015, Gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të tij. Por më pas, po kjo gjykatë, në datën 30.06.2015, ka urdhëruar heqjen e sekuestros preventive për pasuritë e shtetasit Dashamir Gjoka”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në vijim, Prokuroria e Durrësit ka deleguar aktet e procedimit për hetimin pasuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është kompetente për zbatimin e ligjit “Antimafia”.

Në bazë të këtij ligji, personi nën hetim duhet të justifikojë ligjshmërinë e burimit të pasurive të tij. Për këtë arsye, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive për pasuritë e regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, si më poshtë:

 

Gjykata sekuestron edhe kompaninë “Gjoka”

Në listën e pasurive që i përkasin Dashamir Gjokës, të cilat janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda është edhe kompania “Gjoka” sh.p.k.

Kjo kompani është krijuar në vitin 2012 dhe rezulton se e ka selinë qendrore në një prej pronave të tjera të Gjokës, që gjithashtu është sekuestruar me vendim gjykate. Kjo kompani ka një kapital prej 17 milionë e 800 mijë lekësh të reja dhe ka aktivitet në tregtinë me shumicë dhe pakicë, import-eksportin e artikujve të ndryshëm, hoteleri-turizëm, transport mallrash, si dhe pikë servisi.

Pjesë e aktivitetit të kompanisë së sekuestruar është edhe tregtia e karburanteve me pakicë, vajra lubrifikante dhe të gjitha nënproduktet e tyre.

Kjo kompani rezulton me bilance të rregullta, të depozituara në QKR dhe prej shumë vitesh është drejtuar nga vetë Dashamir Gjoka. Ky i fundit është edhe ortaku i vetëm i kompanisë që prej krijimit të saj në vitin 2002 dhe regjistrimin në gjykatë 1 vit më pas.

 

Të sekuestruara:

1.“Kompleks Shërbimesh “Gjoka”, me sipërfaqe ndërtimore prej 6949 m2.

  1. a) Objekt i ndarë në 3 kate me emërtim “Supermarket, Bar Restorant, Motel”;
  2. b) Objekt dy kate me emërtim “Disko Bar, Palestër, sallë lojërash”;
  3. c) Objekt një kat me emërtim “Bar Kafe”; pishinë;
  4. d) Objekt qendër sportive (Motel 2 dhoma);
  5. e) Objekt Qendra Sportive, Kalҫeto;
  6. f) Objekt magazinë një kat.
  7. Pemishte+truall+ndërtesë me sipërfaqe 1800 m2, e ndodhur në Sallmone, Xhafzotaj.
  8. Tokë arë me sipërfaqe 5090 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak.
  9. Tokë arë me sipërfaqe 5520 m2 e ndodhur në Sallmone, Shijak.
  10. Tokë arë e ndodhur në Qerret Katund i Ri me sipërfaqe 1546 m2.
  11. Ndërtesë +truall me sipërfaqe 1247 m2 truall e ndërtesë 230 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak, (në të cilën është ngritur një godinë shërbimi dy kate+bodrum, sipërfaqe bodrumi 147 m2, sipërfaqe kati 710 m2).
  12. Tokë arë me sipërfaqe 3110 m2, e ndodhur ne Sallmone, Shijak.
  13. Pasuria me sipërfaqe 928 m2, (brenda të cilës ndodhet një ndërtim 160 m2, dhe truall 400m2).
  14. Tokë arë me sipërfaqe 3700 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.
  15. Tokë arë me sipërfaqe 1980 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.
  16. Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj.

 

 

Tri gjykata rrëzuan ekstradimin e Gjokës në Itali, ja argumentet

Pas një dënimi prej 7 vjet e gjysmë burg dhe një urdhër-arresti ndërkombëtar në vitin 2013, policia shqiptare arrestoi shtetasin Dashamir Gjoka mbrëmjen e 6 qershorit të vitit 2013. Ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti nr.946/2009 SIEP, datë 30.11.2009 i Gjykatës së Milanos, për veprën penale të “bashkëpunimit kriminal me qëllim emigracionin klandestin”.

Por menjëherë pas arrestimit, Gjykata e Durrësit mbajti një qëndrim “të butë” ndaj Gjokës, pasi me vendimin nr.30 datë 8 qershor 2013, caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji”.

Pas marrjes së masës së sigurimit, vendimi i është komunikuar Ministrisë së Drejtësisë, e cila brenda 10 ditëve ka njoftuar autoritetet italiane mbi zbatimin e masës së sigurimit me qëllim paraqitjen e kërkesës së tyre për ekstradim.

Kërkesa e drejtësisë italiane për ekstradimin e personit të dënuar ka mbërritur brenda afateve të parashikuara në ligj dhe menjëherë prokuroria e ka adresuar këtë kërkesë në Gjykatën e Durrësit. Pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë, më datë 31 korrik 2013, një ditë përpara pushimeve zyrtare Gjykata e Durrësit ka refuzuar kërkesën për ekstradimin e Gjokës drejt Italisë.

Kjo kërkesë sipas gjykatës ka rezultuar e pa mbështetur në ligj dhe prova pasi ai akuzohej se kishte krijuar skemën e trafikimit të femrave në Itali për qëllime prostitucioni në të njëjtën kohë që sipas vendimit të gjykatës italiane ishte me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Nga vendimi i formës së prerë të Gjykatës së Milanos rezulton se faktet për të cilat është dënuar ky shtetas në Itali kanë ndodhur në periudhat janar-nëntor 2000, kohë kur sipas vendimit të gjykatës së Milanos ky person u jepte strehim grave në Shqipëri në lokale të ndryshme që kishte në përdorim, organizonte futjen e tyre në Itali nga Durrësi dhe Vlora etj, ndërkohë, që sipas vendimit të Gjykatës së Lartë ka qenë me masë sigurimi “arrest në burg””, thuhet në vendimin e Gjykatës së Durrësit, e cila rrëzoi ekstradimin e Dashamir Gjokës.

Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Durrës më vendimin e datës 22.10.2013. Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë e cila më 7 maj të vitit 2014 shqyrtoi këtë kërkesë me një trupë gjyqësore të përbërë nga gjyqtarët Edmond Islamaj kryesues dhe anëtarë, Shkëlzen Selimi, Artan Zeneli, Tom Ndreca dhe Guxim Zenelaj.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë fillimisht bëhet një përshkrim se çfarë është ekstradimi, kur kryhet ai, cila është baza ligjore që parashikon ekstradimin në Shqipëri dhe si funksionon marrëdhënia e ndërsjelltë juridiksionale në bazë të marrëveshjeve të posaçme dhe Konventa Europiane e Ekstradimeve.

Vetëm pasi përshkruan pjesën teorike, gjykata futet në çështjen objekt gjykimi duke u shprehur se shqyrtimi i dokumentacionit që shoqëron kërkesën për ekstradim ka një rëndësi të veçantë, pasi mungesa e këtyre dokumenteve pengon ekstradimin.

Ndër të tjera, Gjykata e Lartë shprehet në këtë mënyrë: “Në bazë të këtij parimi, prezumohet një respektim i krahasueshëm dhe ekuivalent i të drejtave dhe lirive themelore të personit ndërmjet shteteve, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje të përbashkëta, apo që veprojnë sipas parimit të mirëbesimit dhe njohjes së ndërsjelltë të akteve të nxjerra nga organet e tyre përkatëse, veçanërisht sa i takon aspektit të garancive të procesit të rregullt dhe të drejtë, për personin i cili kërkohet të ekstradohet”.

Në rastin konkret, sipas Gjykatës së Lartë vendimet e fajësisë të marra nga drejtësia italiane ndaj shtetasit Dashamir Gjoka janë shpallur në mungesë të tij. për këtë arsye Gjykata i referohet çështjes ‘Sejdoviç’ kundër Italisë në Gjykatën e Strasburgut e cila thotë se kur një person i akuzuar për një vepër penale nuk është njoftuar personalisht, nuk mund të prezumohet thjesht nga statusi i tij si i “ikur”, i cili bazohet në një prezumim në vetvete, të pabazuar mjaftueshëm në fakte, që i pandehuri ka hequr dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjykim dhe për t’u mbrojtur.

Mbi këtë parim Gjykata e Lartë nuk lejoi ekstradimin e Gjokës, pasi drejtësia italiane nuk e ka zgjidhur ende çështjen e vendimeve që kanë marrë formë të prerë. Dashamir Gjoka ishte dënuar në mungesë dhe sapo ai u vu në dijeni të dënimit bëri kërkesë për rishikimin e vendimit të formës së prerë.

Drejtësia italiane nuk ka ende një mekanizëm për rishikimin e vendimeve të formës së prerë dhe për këtë arsye, shtetasi Dashamir Gjoka, sipas Gjykatës së Lartë, nuk duhet të ekstradohet.

 

 

 

Të gjitha akuzat e drejtësisë italiane për Dashamir Gjokën

Në vitin 2007, Gjykata e Apelit në Milano ka dënuar shtetasin shqiptar Dashamir Gjoka me 7 vjet e gjysmë burg për akuzat e trafikimit të femrave për shfrytëzim prostitucioni. Ky vendim ka marrë formë të prerë më 7 tetor të vitit 2009 dhe që prej asaj kohe, i dyshuari është shpallur në kërkim ndërkombëtar për këto akuza. Gjyqi ndaj tij është zhvilluar në mungesë dhe kjo ka qenë një nga arsyet përse gjykatat shqiptare refuzuan kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij. Në vendimin e Gjykatës së Milanos renditen edhe faktet kriminale, që dyshohet se ka kryer shtetasi Dashamir Gjoka, të cilat sipas autoriteteve italiane tashmë janë të provuara.

Ka bashkëpunuar me disa persona, me qëllim kryerjen e një shumice krimesh relative me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetit italian të grave me origjinë nga Europa Lindore me qëllim që t’i prostituonin. Gjoka ishte me detyrën e organizuesit dhe drejtuesit të grupit, i cili vepronte në Milano dhe Puglia që prej vitit 1999.

Në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar dhe drejtuar aktivitetin që favorizonte hyrjen klandestine në Itali të 2 vajzave me origjinë moldave, me qëllim prostituimi. Krim ky i kryer në Puglia, në periudhën përpara datës 08.01.2000.

Ka vepruar në bashkëpunim për të futur, favorizuar dhe shfrytëzuar prostituimin e 2 grave që flitet në pikën e mësipërme, fakt i vërtetuar në Milano në periudhën përpara datës 08.01.2000.

Ka vepruar në bashkëpunim me disa persona për të organizuar dhe drejtuar aktivitetin e futjes në mënyrë klandestine në Itali të 3 vajzave me origjine moldave, me qëllim që t’i shfrytëzonin si prostituta. Fakt i vërtetuar në Bari ndërmjet datave 8 dhe 9 janar 2000.

Në bashkëpunim, ka organizuar dhe drejtuar aktivitet që të favorizonte hyrjen klandestine në Itali të 3 vajzave me origjinë moldave, me qëllim prostituimi. Krim ky i kryer në Milano në periudhën janar 2000 deri më 06.11.2000 (koha kur pala e dëmtuar ka depozituar kallëzimin).

Në bashkëpunim, ka organizuar dhe drejtuar aktivitet që të favorizonte hyrjen klandestine në Itali të 4 vajzave me origjine të huaj (njëra rumune) me qëllim prostituimi. Krim ky i kryer në Itali më 15.12.2000.

Ka vepruar në bashkëpunim për të futur, favorizuar dhe shfrytëzuar prostituimin e 4 grave që flitet në pikën e mësipërme, fakt i vërtetuar në Milano më 15.12.2000.

Në bashkëpunim me disa persona, ka organizuar dhe drejtuar aktivitet që të favorizonte hyrjen klandestine në Itali të vajzave me origjinë rumune, me qëllim prostituimin. Krim i kryer në Puglia më 12.01.2001.

 

Kishte detyruar, favorizuar dhe shfrytëzuar prostituimin e shtetases V. A, fakt i vërtetuar në Milano nga datat 13.01. 2001 e më pas.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128