Verilindja e vendit është zbardhur nga dëbora. Gjate orëve të para të mëngjesit lartësitë mbi 800 metër në nivelin e detit pësuan rënie të ndjeshme të temperaturave, ndërsa reshjet e dëborës arritën në 10 cm.
Shishtaveci, Topojani, Arrni, Kalisi, Grykecaja, Bushtrica, Zapodi e disa zona të tjera në Kukës, Has e Tropojë, tashmë janë nën pushtetin e dëborës e para për këtë vit.
Përveç disa problemeve me mungesën energjisë elektrike në Shishtavec e Topojan, nuk pati të tjera shqetësime në lidhje me qarkullimin e mjeteve apo dhe bllokime rrugësh.
Sipas Meteoalb-it, fundjava do të jetë me vranësira dhe kthjellime, ndërsa gjatë javës së ardhshme shirat do të kenë intensitet të lartë, që do të sjellin edhe përmbytje në zona të caktuara të vendit.
Parashikimi nga Meteoalb: Gjatë orëve vijuese, moti do të jetë me kthjellime dhe vranësira të cilat do të gjenerojnë herë pas here shira të dobët, më të dukshme në veri të vendit.
Parashikohet që fundjava të jetë me kthjellime dhe vranësira në bregdet dhe zonat e ulëta duke lënë me vranësira dhe shira zonat malore veriore.
Java tjetër do të dominohet me shira intensivë duke rrezikuar përmbytje në shumë zona të vendit. Më problematike situata do të paraqitet ne veriperëndim dhe qendër, nuk përjashtohen mundësitë për përmbytje edhe në zonat jugperëndimore.
Temperaturat e ajrit janë rritur në vlerat minimale, ndërsa maksimalet do të jenë rreth vlerës 22 gradë C./tvklan.al/