Në listën e 21 personave shumë të kërkuar në qytetin e Durrësit janë edhe dy femra të shpallura nga policia në kërkim.
Njëra prej tyre të tërheq vëmendjen për monstruozitetin e krimit të kryer, moshën e njomë në të cilën është përfshirë në krim dhe faktin që ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë për rreth 20 vite. Bëhet fjalë për Ornela Shefqet Domi (Shaba), e akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të vjehrrës së saj më 30 maj të vitit 1997.
Në kohën e krimit Ornela, për të cilën policia nuk disponon as foto, ishte vetëm 17 vjeç. Ajo sapo ishte martuar dhe jetonte në shtëpinë e burrit të saj bashkë me vjehrrën, Dritën. Bashkëshorti ishte larguar menjëherë pas martesës në Greqi. Në atë kohë, bashkëshortja e tij adoleshente krijon lidhje intime me kushëririn e parë të burrit, djalin e xhaxhait, Xhurian Shabën. Edhe ky i fundit ishte adoleshent, madje një vit më i vogël sesa gruaja e kushëririt të tij.
Një natë, kur Xhuriani ishte në dhomën bashkëshortore të Ornelës, ata kapen mat nga vjehrra e nuses. E shokuar nga pamja që ka para syve, Drita tenton të largohet nga shtëpia, por qëllohet 5 herë me thikë nga Xhurian Shaba dhe vdes.
Krimi makabër u pasua me një tjetër ngjarje në vitin 2007. Lufti Shaba, babai i Xhurianit, djalit që vrau vjehrrën e të dashurës së tij, u qëllua për vdekje pasi mbylli minimarketin që kishte në pronësi, në Rrugën e Elbasanit, në Tiranë. Në atë kohë, Policia ngriti disa pista dyshimi, mes tyre dhe atë të krimit për shkak të hakmarrjes për ngjarjen ku ishte i biri protagonist.
Më 2 nëntor të vitit 2007, një person i armatosur dhe i maskuar i doli para Lufti Shabës dhe bashkëshortes së tij, duke e qëlluar për vdekje 63-vjeçarin, i njohur dikur dhe si trajner i çiklizmit. Për shkak të punës si tregtar dhe të kaluarës së tij, Policia ngriti disa pista, njëra prej të cilave ishte dhe hakmarrja, por ende sot nuk dihet se kush ka qëlluar mbi Lufti Shabën dhe pse./BW/