Reshjet e fundit që kanë shoqëruar ditët e fundit vendon tonë kanë shkaktuar mjaft probleme për qytetin e Gjirokastres. Jo vetëm banesat e vjetra që janë monumente kulture, por edhe muret rrethuese të kalasë historike janë shembur.
Reshjet e shiut të një nate më parë kanë sjellë dhe shembjen e një pjese të murit anësor në hyrjen e krahut lindor të kalasë së gurtë. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, Albert Kasi, zona është izoluar dhe parë nga specialistët të cilët kanë konstatuar se nuk përbën rrezik për banesat përreth dhe shume shpejt do të nisë rehabilitimi i saj.
Shembja e banesave karakteristike është një plagë e trashëguar në vite në qytetin e UNESKO-s. Sipas DRKK Gjirokastër numri i banesave monument kulture në rrezik shkon në 18, ndërkohë që është ndërhyrë vetëm në 30% të tyre dhe shifra e shtëpive karakteristike gjirokastrite në rrezik është më e lartë se ajo e zyrtarizuar. Së fundmi, rreziku i shembjes është bërë evident edhe në kalanë legjendare, simbol i qytetit të gurtë të Gjirokastrës, një kambanë alarmi për autoritetet.