Ajo do të ishte një skenariste përfekte filmash. Po flasim për gruan në Ndroq, e cila gënjeu burrin, duke thënë se e kishin lidhur në karrige dhe i morën të gjitha paratë.
Ngjarja ndodhi në fshatin Pinet të Ndroqit, por e vërteta nuk është ajo që tha Dalina Azuni.
Gruaja për të tërhequr vëmendjen e bashkëshortit të saj, me të cilin pranon se prej kohësh nuk kishin marrëdhënie të mira, ka sajuar historinë e grabitjes së parave nga një hajdut i cili edhe e kishte lidhur.
Por nga hetimet e policisë, u gjetën paratë të fshehura në dhomën tjetër të shtëpisë, nga vetë gruaja, dhe se ishte lidhur po vetë.
Njoftim i policisë:
Më datë 22.10.2016, rreth orës 04:40, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një njoftim se në fshatin Pinet, Ndroq, në banesën e shtetasit I. Azuni dyshohet se ka hyrë një person për të vjedhur, i cili duke përfituar se i zoti i banesës ishte larguar ka lidhur të shoqen shtetasen Dalina Azuni dhe më pas ka marrë në banesë shumën prej 65.000 lekësh.
Menjëherë në adresën e dhënë janë dërguar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, të cilët kanë filluar kontrollin e territorit dhe mbledhjen e informacioneve për autorët e mundshëm të kësaj ngjarje.
Nga informacionet e marra është mësuar se bashkëshortët Azuni, prej disa kohësh nuk kishin një marrëdhënie të mirë me njëri tjetrin.
Duke qenë përpara këtyre fakteve Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 6, kanë filluar hetimin në drejtim të një kallzimi të rremë dhe nga ku kanë arritur të faktojnë se:
Pas largimit të bashkëshortit të saj, Dalina Azuni, dyshohet ti ketë fshehur në një nga dhomat e tjera shumën e lekëve (të cilat u gjetën nga kontrolli i ushtruar nga Specialistet e Policisë pas dyshimeve), më pas ka hapur dritaren e banesës dhe dyshohet se ka lajmëruar familjarët që dikush kishte hyrë në banesë.
Kur kanë shkuar familjarët e kanë konstatuar të lidhur në banesë këtë shtetase.
Nga intervistimi paraprak, Dalina Azuni,pranon se i ka bërë këto veprime vetëm për të tërhequr vëmendjen e të shoqit pasi kishte vënë re që kohët e fundit nuk kishin komunikim dhe kishte mosmarrëveshje mes tyre.
Duke qenë përpara këtyre fakteve Specialistët e Komisariatit të Policisë nr 6, kanë bërë arrestimin e Dalina Azuni, 29 vjeçe, banuese në Tiranë.
Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Kallëzim i rremë” dhe “Njoftim i rremë në organet e rendit publik”, parashikuar nga Nenet 305 dhe 272 të Kodit Penal.